Kërko

kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet i Selisë së Shenjtë kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet i Selisë së Shenjtë

Imzot Gallagher, “kemi nevojë për liderë kompetentë dhe profetikë”

Në Këshillin Evropian për Afrikën dhe Lindjen e Mesme, Imzot Gallagher pohon, “kemi nevojë për liderë kompetentë dhe profetikë”

R.SH. / Vatikan

“Kemi nevojë për liderë kompetentë dhe profetikë, të përvujatur dhe të vëmendshëm ndaj nevojave të të gjithëve, veçanërisht të më të fundit të shoqërisë”. Kështu deklaroi kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet i Selisë së Shenjtë, duke folur në edicionin e shtatë të Këshillit Evropian për Afrikën dhe Lindjen e Mesme (Ecam) organizuar nga The European House Ambrosetti, në kuadrin e sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që po mbahet në Nju Jork. Ky edicion ka bashkuar në të njëjtën tryezë mbi 20 vende, nga 4 kontinente.

Në fjalimin e tij mbi temën “Liderë afrikanë për ndryshim: farkëtimi i bashkëpunimit në shëndetësi, edukim, kërkim, agro-industri dhe energji të gjelbër”, Imzot Gallagher theksoi rëndësinë e bashkëpunimit midis liderëve për të përballuar sfidat globale. “Liderët nuk duhet të izolohen ose të përpiqen të zgjidhin gjithçka vetë, por të bashkëpunojnë me të tjerët për të promovuar progresin e të gjithëve”, deklaroi ai. Në frontin shëndetësor, kryeipeshkvi Gallagher kujtoi se më shumë se gjysma e popullsisë botërore nuk ka qasje në kujdesin thelbësor dhe 1.4 miliardë njerëz shtyhen në varfëri nga shpenzimet mjekësore.

“Selia e Shenjtë mbështet arritjen e mbulimit universal shëndetësor”, tha imzot Gallagher, duke kritikuar megjithatë abortin si një “zgjidhje të rreme” për vdekshmërinë amtare. Lidhur me edukimin, Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet theksoi se ky është “hapi i parë drejt një shoqërie të aftë për parandalim dhe kujdes më të barabartë”. Më pas ai ilustroi katër shtyllat e edukimit integral të propozuara nga Selia e Shenjtë: njohja e vetes, e të tjerëve, e krijimit dhe e Transhendentit (Zotit). Kryeipeshkvi Imzot Gallagher, përfundoi duke cituar Papa Leonin XIV: “Të punohet për një botë ku pushteti orijentohet nga ndërgjegjja dhe ku ligji është në shërbim të dinjitetit njerëzor”. Këshilli Evropian për Afrikën dhe Lindjen e Mesme (Ecam) ka bashkuar në të njëjtën tryezë mbi 20 vende, për 4 kontinente të përfaqësuara.

26 shtator 2025, 10:03