Inkurajimi i Papës për Joint Working Group, në një botë të ndarë
R.SH. / Vatikan
Përfundoi dje, më 3 shtator, mbledhja plenare e Grupit të Përbashkët të Punës së Kishës Katolike dhe Këshillit Botëror të Kishave (WCC). Ishte takim për të shkëmbyer përvoja, për të thelluar marrëdhëniet dhe për të menduar përparësi të reja. Duke folur për mediat e Vatikanit, Kryeipeshkvi Imzot Flavio Pace, Sekretar i Dikasterit të Vatikanit për Promovimin e Unitetit të Krishterë, u ndalua tek puna e Grupit të Përbashkët të Punës dhe tek audienca e mëngjesit me Papën Leoni XIV.
Imzot Flavio Pace, çfarë doli nga seanca e dytë e punimeve?
Seanca e dytë e kësaj faze të Grupit të Përbashkët të Punës, si në çdo rast, i kushtohej kryesisht njohjes së anëtarëve të Grupit e anëtarëve të Këshillit Botëror të Kishave, me realitetin e Kuries Romake. Ishte përvojë e mrekullueshme punëtoria e djeshme, e ndarë në shumë zëra. Në vend që të vizitonim dikasteret e ndryshme, mblodhëm përfaqësues të dikastereve ose institucioneve kuriale në grupe prej katër vetash. Ata patën mundësinë të bënin një paraqitje të shkurtër të punës së tyre, por edhe të angazhohen në dialog, me një stil pozitiv sinodal, duke përfshirë Sekretarinë e Shtetit të Selisë së Shenjtë, Dikasterin e Vatikanit për Promovimin e Zhvillimit Integral Njerëzor, Dikasterin e Vatikanit për Ungjillëzimin, Dikasterin e Vatikanit për Kultin Hyjnor, Dikasterin e Vatikanit për Dialogun Ndërfetar dhe Sekretarinë e Sinodit.
Kjo u dha atyre një ndjesi të realitetit të gjallë të Kuries Romake, realitet që bashkëvepron, dëgjon dhe është në lëvizje, sipas kompetencave të ndryshme. Prandaj, faza e dytë, kur mbahet në Romë, sipas traditës, është gjithmonë mundësi për t'u takuar dhe për ta dëgjuar këtë realitet. Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Promovimin e Unitetit të Krishterë Kardibali Kurt Koch foli gjithashtu mbi sfidat aktuale, me të cilat ndeshet Dikasteri për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterë.
Pastaj është veprimtaria e brendshme e Grupit të Përbashkët të Punës, i cili përbëhet nga tre nënkomisione anëtarësh, si katolikë ashtu edhe anëtarë të Këshillit Botëror të Kishave, të cilët punojnë një numër temash që, me sa duket, do të jenë objekt i një dokumenti, siç është traditë, në fund të mandatit të tyre. Duhet theksuar se mandati i Grupit të Përbashkët të Punës do të përfundojë në vitin 2030, kur do t'ia paraqesë përfundimet si Kishës Katolike, ashtu edhe Këshillit Botëror të Kishave. Prandaj, është përpjekje shumëvjeçare. Një punë, që do të zhvillohet me kalimin e kohës.
Pastaj takimi me Papën Leoni...
Ishte një takim shumë, shumë i bukur. Së pari, sepse Ati i Shenjtë pranoi të rezervonte një vend në planin e tij dhe na priti para audiencës së përgjithshme. Fillimisht besohej të ishte vetëm një përshëndetje, një mundësi për t'u paraqitur dhe për të bërë një foto në grup. Në të vërtetë, Ati i Shenjtë Prevost donte të kalonte kohë me secilin prej pjesëmarrësve, të dëgjonte prejardhjen dhe përkatësitë e tyre e, më pas, përpara se të kremtonte Lutjen e Tënzot, të jepte bekimin dhe të realizonte foton në grup, na ofroi një fjalë inkurajimi.
Leoni XIV theksoi, në veçanti, se kjo punë e përbashkët ndërmjet Kishës Katolike dhe Këshillit Botëror të Kishave duhet të vazhdojë, veçanërisht sepse thirrja për unitet, në një kohë kur bota është kaq e përçarë dhe e plagosur, është urgjente. E edhe sepse dëshmia e krishterë dhe e Kishës mund të jetë vetëm një thirrje për unitet e bashkësi. E Lutja drejtuar Zotit, të cilën ai e tha së bashku me ne, thotë se e gjejmë këtë forcë, këtë burim uniteti, para së gjithash në marrëdhënien tonë me Krishtin, duke e thirrur Zotin me emrin Atë. Pastaj Papa na dha bekimin. Pra, ishte një takim më i bukur nga sa pritej, në kuptimin se ai na kushtoi më shumë kohë, ndaj këto fjalë të thjeshta na dhanë një gëzim të tillë për të ecur përpara me shpresë dhe gjithashtu me përgjegjësinë e këtij mandati të bashkësisë.