Kërko

Shtegtarët në rrugëtim drejt Portës së Shenjtë në Bazilikën e Vatikanit Shtegtarët në rrugëtim drejt Portës së Shenjtë në Bazilikën e Vatikanit

Jubileu i katekistëve, në Shën Pjetër nga 115 vende të botës nga 26 deri më 28 shtator

Mbi 20 mijë shtegtarë do të mbërrijnë në Vatikan duke filluar nga e premtja, 26 shtator. Të dielën, Mesha e kremtuar nga Papa Leoni XIV, në të cilën 39 katekistë të rinj do të marrin kryqin e Krishtit si shenjë të thirrjes së tyre

R.SH. / Vatikan

Jubileu i katekistëve do të fillojë të premten, më 26 shtator, duke mbledhur në Romë – lexohet në një komunikatë të Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin – mbi 20 mijë shtegtarë nga 115 vende të botës, me delegacione të shumta nga Italia, Spanja, Portugalia, Franca, Polonia, Ukraina, Shtetet e Bashkuara, Argjentina, Brazili, Paraguai, Meksika, Peruja, Kolumbia, Filipinet, India, Australia.

Jubileu do të fillojë të premten paradite, më 26 shtator, me shtegtimet e katekistëve në Portën e Shenjtë të Bazilikës së Shën Pjetrit, në Vatikan, ndërmjet orës 8 dhe 17, dhe do të vazhdojë me Vigjiljen e lutjes në orën 18:30 në Bazilikën e Vatikanit, kryesuar nga imzot Rino Fisichella, Pro-Prefekt i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Ungjillëzimin.

Në pjesën e dytë të liturgjisë së Fjalës së Zotit, përqendruar në fragmentin e ungjillit të Lukës që flet për dishepujt e Emausit (Lk 24,13-33a), do të propozohen tre dëshmi të katekistëve, ajo e Liliana Russo nga Italia, e Paulo Agostinho Matica nga Mozambiku dhe e Estela Evangelista Torres nga Meksika, të cilët do të tregojnë historinë e tyre të shërbimit në kontekstet lokale nga të cilat vijnë.

Të shtunën, më 27 shtator, në orën 10, katekistët do të mund të marrin pjesë në audiencën jubilare të Papës Leoni XIV, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Pasdite, në orën 16, në disa Kisha të qendrës së Romës janë parashikuar katekizmat me ipeshkvij, të cilat do të mbahen në gjuhën italiane, angleze, portugeze, spanjolle, franceze dhe polake.

Jubileu do të përfundojë të dielën, më 28 shtator, me Meshën në Sheshin e Shën Pjetrit të kryesuar nga Papa në orën 10, gjatë së cilës Leoni XIV do të krijojë e bekojë 39 katekistë të rinj. Kandidatët për shërbimin laik të katekistit, të cilët do të marrin nga duart e Papës edhe kryqin e Krishtit si shenjë e thirrjes së tyre të veçantë, vijnë nga Italia, Spanja, Anglia, Portugalia, Brazili, Meksika, India, Koreja e Jugut, Timori Lindor, Emiratet e Bashkuara Arabe, Filipinet, Shtetet e Bashkuara, Mozambiku, Brazili, Peruja dhe Republika Domenikane.

25 shtator 2025, 10:34