Kërko

Oficerë policie me disa emigrantë në Itali (ANSA) Oficerë policie me disa emigrantë në Itali (ANSA)

Kard. Parolin: Selia e Shenjtë në krah të punonjësve të paqes

Në revistën mujore të Policisë së Shtetit Italian “Polizia Moderna”, kushtuar “Paqes dhe sigurisë”, Sekretari i Shtetit të Vatikanit kardinali Parolin ofron kontributin e tij mbi temën e paqes, duke theksuar se dobësimi i multilateralizmit ka rritur vështirësitë në zgjidhjen e konflikteve që ekzistojnë në botë. Numri special i revistës, në festën e Shën Mëhillit Kryeengjëll, nxjerr në pah angazhimin e forcave të sigurisë me rastin e ngjarjeve të fundit të mëdha që u regjistruan në Vatikan.

R.SH. / Vatikan

Kardinali Pietro Parolin*

Paqja është fjala e parë që Ati i Shenjtë Leoni XIV u drejtoi njerëzve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan për të takuar Papën të sapo zgjedhur. Paqen e kërkon zemra e çdo burri dhe gruaje. Paqen e kërkojnë me lutje popujt që vuajnë për shkak të luftërave të shumta që shumohen në mënyrë absurde këto ditë. Paqja është si oksigjeni: merret si e mirëqenë kur ekziston; ndjehet një nevojë e dëshpëruar për të kur mungon. Dhe në kohën tonë është një e mirë gjithnjë e më e rrallë dhe e çmuar.

Papa Leoni është i vetëdijshëm për këtë, i cili ka dashur ta vendosë paqen në qendër të shërbesës së tij, duke përshkruar karakteristikat e saj: «E çarmatosur dhe çarmatosëse, e përvujatur dhe këmbëngulëse» (Mesazhi Urbi et Orbi, 8 maj 2025). E çarmatosur sepse nuk imponohet, por i propozohet zemrës së çdo personi me vullnet të mirë, duke e çarmatosur nga çdo tentativë hakmarrjeje.

«Paqja ndërtohet në zemër dhe duke filluar nga zemra, duke çrrënjosur krenarinë e pretendimet, dhe duke matur gjuhën, pasi mund të plagosësh e të vrasësh edhe me fjalë, jo vetëm me armë» (Fjalimi i Papa Leonit XIV para Korpusit Diplomatik, 16 maj 2025). Paqja «angazhon secilin prej nesh, pavarësisht nga prejardhja kulturore dhe përkatësia fetare» (ibid.). Na fton të punojmë për ta ndërtuar atë në mënyrë aktive, duke filluar nga marrëdhëniet private, në çdo shoqëri dhe midis popujve.

Në këtë perspektivë, kuptohet se si paqja është në qendër të veprimtarisë së Selisë së Shenjtë në komunitetin ndërkombëtar, në përpjekjen e vazhdueshme për të ndërtuar ura midis njerëzve, popujve dhe kulturave, edhe përmes gatishmërisë për të ndërmjetësuar midis palëve në konflikt. Ky është edhe qëllimi i diplomacisë shumëpalëshe, e lindur pas luftërave botërore të shekullit të kaluar, me qëllimin e saktë për të nxitur dialogun midis shteteve për të favorizuar sigurinë, paqen dhe bashkëpunimin. Fatkeqësisht, kohët e fundit është vënë re një dobësim progresiv i multilateralizmit, me vështirësinë e dukshme dhe pasuese për të zgjidhur tensionet dhe konfliktet që lindin në botë.

Nga ana e saj, Selia e Shenjtë ndjek dhe shoqëron me vëmendje të gjithë operatorët e paqes. Midis tyre janë burrat dhe gratë e Policisë së Shtetit, të cilët punojnë me përkushtim të thellë dhe frymë shërbimi.

Të gjithë atyre, dhe veçanërisht atyre që punojnë në Inspektoratin e Sigurisë Publike pranë Vatikanit, u shprehet mirënjohja e sinqertë e Selisë së Shenjtë, veçanërisht për dislokimin e çmuar dhe të madh me rastin e Selisë Vakante dhe zgjedhjes së Papës Leoni e që tani vazhdon me të njëjtin zell për të garantuar sigurinë e shtegtarëve dhe zhvillimin e qetë të kremtimeve jubilare.

Urimi im personal për të gjithë anëtarët e Policisë së Shtetit, dhe në përgjithësi të Forcave të Rendit, është që me bujarinë e shërbimit të tyre të mund të kontribuojnë gjithmonë dhe pa u lodhur në nxitjen e një kulture paqeje në shoqëri, premisë e domosdoshme për të ardhmen e Italisë dhe të gjithë botës.

*Sekretari i Shtetit të Vatikanit

29 shtator 2025, 16:59