Kërko

Imzot Paul Richard Gallagher Imzot Paul Richard Gallagher

Kryeipeshkvi Gallagher: teknologjia nuk mund ta zëvendësojë gjykimin njerëzor në çështjet për jetë a vdekje

Në një debat në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare theksoi "realitetin urgjent" të rreziqeve, që lidhen me zhvillimin e Inteligjencës Artificiale në fushën ushtarake. Ai përsëriti thirrjen e Selisë së Shenjtë për një "moratorium të menjëhershëm" për armët autonome vdekjeprurëse dhe theksoi rreziqet e përdorimit të IA-së në sistemet e komandimit dhe të kontrollit bërthamor

R.SH. – Vatikan

 Selia e Shenjtë bën thirrje të vihet në qendër njeriu në “zhvillimin dhe përdorimin e teknologjive të reja", veçanërisht në fushën ushtarake, duke nënvizuar se ato nuk mund të zëvendësojnë "gjykimin njerëzor në çështjet për jetë a vdekje", sepse do të kalonin kufij, "që nuk duhen kaluar kurrë". Këtë theksoi Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat Ndërkombëtare, kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, në një debat të 24 shtatorit në Kombet e Bashkuara, në Nju Jork. I organizuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, takimi u përqendrua në Inteligjencën Artificiale, paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Imzot Gallagher theksoi se "kur zhvillimi dhe përdorimi i Inteligjencës Artificiale nuk i kanë rrënjët në respektin për dinjitetin njerëzor dhe të mirën e përbashkët", ka rrezik të bëhen "mjete të përçarjes dhe të agresionit", si edhe "të nxisin konflikte të mëtejshme". Ky nuk është "shqetësim abstrakt", por "një realitet urgjent, duke pasur parasysh paqëndrueshmërinë aktuale globale dhe integrimin e shpejtë të Inteligjencës Artificiale në sistemet e armëve konvencionale dhe bërthamore", nguli këmbë ai.

Një moratorium mbi armët autonome vdekjeprurëse

Siç është theksuar shpesh vitet e fundit, Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet pohoi se Selia e Shenjtë "mbështet fuqimisht miratimin e një moratoriumi të menjëhershëm mbi zhvillimin" e sistemeve autonome të armëve vdekjeprurëse (LAWS). Zhvillimi i këtyre teknologjive "shkakton shqetësime të mëdha" për bashkësinë ndërkombëtare në nivel ligjor, humanitar, etik dhe në atë të sigurisë, pasi është fjala për sisteme "të privuara nga aftësia njerëzore" për gjykim moral dhe shoshitje etike. Selia e Shenjtë, vazhdoi kryeipeshkvi, bën thirrje për krijimin e "një mjeti ligjërisht të detyrueshëm për t’u siguruar që vendimet për jetën dhe vdekjen të mbeten nën kontrollin njerëzor".

Imzot Gallagher ngriti çështjen "po aq shqetësuese" të "garës së re të armatimeve, karakterizuar nga integrimi i Inteligjencës Artificiale me sistemet ushtarake". Për kryeipeshkvin, kjo ka rrezik “ta ndryshojë natyrën e armëve dhe të luftës", duke krijuar "një nivel të paparë pasigurie". Përdorimi i Inteligjencës Artificiale në sistemet e komandimit dhe të kontrollit bërthamor, në veçanti, vazhdoi ai, mund të çojë në "rreziqe të reja të panjohura, që shkojnë përtej logjikës së brishtë dhe moralisht të dyshimtë të parandalimit".

Roli i Këshillit të Sigurimit

Sekretari i Vatikanit theksoi se Këshilli i Sigurimit ka "përgjegjësinë kryesore për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë ndërkombëtare", prandaj, duhet "t'i kushtojë vëmendje të veçantë progresit shkencor dhe teknologjik" në botën bashkëkohore. Duke falënderuar Korenë e Jugut, e cila e kërkoi debatin mbi këtë temë aktuale, imzot Gallagher sqaroi se Inteligjenca Artificiale tashmë ka "ndikim të thellë" në fusha si arsimi, punësimi, komunikimet, kujdesi shëndetësor dhe të tjera. Kjo teknologji, komentoi ai, "ka potencialin të ndihmojë në realizimin" e aspiratave, "që udhëhoqën krijimin e Kombeve të Bashkuara tetëdhjetë vjet më parë", si: paqja, siguria dhe garantimi i lirisë dhe i të drejtave të njeriut.

26 shtator 2025, 12:46