Kërko

Motra Merletti: Viti Jubilar dhe sfidat kryesore të jetës rregulltare

Intervistë e mediave të Vatikanit me Sekretaren e Dikasterit të Vatikanit për Institutet e Jetës së Kushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike. “Pjesëmarrja e grave në ushtrimin e lidershipit brenda Kishës është gjithnjë e më domethënëse”. Lufta kundër abuzimeve dhe sfidat e një bote të globalizuar e komplekse. Sinodaliteti dhe takimi jubilar në tetor

R.SH. - Vatikan

Befasi, frikë, por edhe shpresë e madhe në përqafimin e ndryshimit: këto janë ndjenjat me të cilat Motër Tiziana Merletti priti, më 22 maj, thirrjen e Leonit XIV në detyrën e sekretares së Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Institutet e Jetës së Kushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike. Ky ishte emërimi i parë i Papës së ri, pak pas zgjedhjes, në një rol në krye të një organizmi të Kuries Romake. Në këtë intervistë për mediat e Vatikanit, motra Merletti rregulltare e Motrave Françeskane të të Varfërve rrëfen emocionet e asaj dite, së bashku me perspektivat dhe sfidat që paraqet detyra e re.

Si e pritet emërimin nga Leoni XIV?

Sigurisht, emërimi më krijoi shumë befasi dhe frikë. Siç tha së fundmi vetë Papa për ipeshkvijtë e rinj, edhe unë kisha projektet e mia dhe shumë perspektiva të bukura, duke qenë se sapo kisha mbërritur në Asizi; prandaj, të mendoja se duhej të lija gjithçka dhe të filloja nga e para në një shërbim kaq të rëndësishëm dhe delikat, më befasoi dhe në të njëjtën kohë më gjeti të papërgatitur. Pastaj, përmes lutjes dhe gjithashtu bisedave me ministren time kongregacionale, erdhi drita për t’i thënë po thirrjes së re të Zotit dhe të Kishës, mirënjohëse për kaq shumë besim. Për sa më pret, i besoj Shpirtit Shenjt, i cili nuk do të mungojë të më udhëheqë; i besoj faktit që nuk jam vetëm, pasi ka një ekip të shkëlqyer në Dikasterin për Institutet e Jetës së Kushtuar që punon me energjitë maksimale; i besoj Shpirtit Shenjt gjithashtu edhe rrugëtimin tim personal, sepse edhe në faza të tjera të jetës e kam ndjerë udhëheqjen urtë për t'iu përmbajtur vullnetit të Zotit".

Dikasteri për Institutet e Jetës së Kushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike, ka si prefekte një tjetër rregulltare, motrën Simona Brambilla. A nxjerr kjo në pah një "udhëheqje karizmatike" të grave dhe në veçanti të motrave rregulltare në Kishë?

E kuptoj që struktura e Dikasterit tonë është një risi absolute brenda Kuries Romake. Një motër rregulltare si Prefekte e këtij dikasteri, një Kardinal Pro-Prefekt [saleziani Ángel Fernández Artime shën. red.], një tjetër motër rregulltare si Sekretare. Ajo që më bie më shumë në sy është mundësia për të zbatuar stilin sinodal jo vetëm në parime, por në konkretësinë e përditshmërisë sonë: në mënyrën e ndërtimit të marrëdhënieve mes nesh, në bahskëndarjen e kompetencave, në organizimin e punës, në trajtimin me respekt, dinjitet dhe drejtësi të çështjeve që na paraqiten dhe të bashkëpunimeve në të cilat duhet të angazhohemi në vijën e parë. Dhe po, më pëlqen të mendoj se ky stil i ri është gjithashtu një fryt i rëndësishëm dhe premtues i pjesëmarrjes gjithnjë e më të madhe të grave në ushtrimin e udhëheqjes brenda Kishës. Është vetë Ungjilli që na thërret të tregtojmë talentet tona, dhuratat e marra nga Zoti. Nuk ka rëndësi të jesh burrë apo grua: që nga edukimi im familjar kam mësuar se kanë rëndësi angazhimi, sakrifica, këmbëngulja dhe gjithashtu gëzimi në shërbim. Sigurisht, kur e gjithë kjo shoqërohet me njohje në nivele të ndryshme, vjen një mesazh i fortë që dëshmon se si Kishë jemi në rrugën e duhur.

Në vitin 1986, ju bëtë kushtet e parë të jetës rregulltare në Institutin, ku ishit edhe Eprore e Përgjithshme nga viti 2004 deri në vitin 2013. Çfarë ju tërhoqi?

Thirrja për të përqafuar karizmën e të lumes Francesca Schervier erdhi gradualisht. Planet e mia si njëzetvjeçare ishin mjaft të qarta dhe më çonin në një drejtim tjetër, derisa u shfaq bukuria e dhurimit të jetës për të ndjekur Jezusin në mënyrë radikale, duke lënë gjithçka. Njohja me ‘Motrat Françeskane të të Varfërve’ më mundësoi të thelloja karizmën françeskane të "unitetit të shenjtë e varfërisë së lartë" dhe në veçanti thirrjen për të "shëruar plagët e Krishtit të kryqëzuar në njerëzimin e varfër dhe të vuajtur" që i ishte dhënë Nënë Franceskës Schervier. Takimi me gratë autentike që e mishëronin atë, thellësisht njerëzore në betejat e tyre personale dhe për të varfrit, së bashku të dashuruara pas Krishtit të vdekur dhe të ngjallur dhe Ungjillit të Tij, bëri pjesën tjetër më shumë se 40 vjet më parë. Dhe kjo dritë më mbështet edhe sot.

Cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballet jeta rregulltare e kushtuar Zotit, edhe në raport me një botë të globalizuar dhe komplekse, ku duket se mbizotërojnë luftërat, krizat ekonomike dhe sociale?

Duke u përpjekur të sintetizoj, pa dashur të banalizoj kompleksitetin në të cilin jemi zhytur edhe ne, sfidat kryesore më duket se shprehen nga disa fjalë: shpresa, ndryshimi, vizioni. Po shpjegohem: përballë polarizimeve të shumta dhe të rënda që po shkaktojnë urrejtje, dhunë dhe luftëra, jemi thirrur të kultivojmë shpresën për të qenë në anën e duhur të historisë, pra atë të Ungjillit. Të mbështetemi te të butët që do të trashëgojnë tokën, më duket se kërkon shumë guxim, së bashku me durimin për të vazhduar të veprojmë në mjediset tona, duke besuar thellësisht në atë që bëjmë. Kujdesi, dhurimi, besimi është ajo që Papa Leoni XIV rekomandon për të vazhduar të besojmë në aleancën e njeriut. Përqafimi i ndryshimit është një tjetër sfidë e vështirë. Të vazhdosh të vajtosh siguritë e së kaluarës, të bëra nga numra, vepra, institucione imponuese, nuk ndihmon për të bërë pyetjet e duhura. Për shembull: çfarë do të thotë sot të vësh në veprim karizmën e një instituti rregulltar në shërbim të njerëzimit që na është besuar? Stili ynë i jetës, mënyra jonë e lutjes, strukturat tona, si na ushqejnë ne dhe ata që takojmë? Sa jemi të gatshëm të rrezikojmë për të nisur procese shqyrtimi gjithëpërfshirëse dhe efektive, për një jetë të shenjtëruar me shijen e verës së re? Një fjalë e tretë është vizioni. Ka kohë që, të paktën në disa pjesë të botës, pyetet se ku po shkon jeta rregulltare, jeta e kushtuar, si do të jetë në të ardhmen, çfarë formash do të marrë. Përgjigja nuk pritet sigurisht nga llogaritjet njerëzore, por më tepër nga dëgjimi kontemplativ dhe kolektiv i asaj që Shpirti Shenjt Zot do të dëshirojë të tregojë. Ne duhet të vazhdojmë të ecim me guxim dhe besim, në të vërtetën që na bën të lirë.

Në tetor do të zhvillohet Jubileu i Jetës së Kushtuar. Si po përgatiteni për këtë ngjarje dhe cilat do të jenë momentet kryesore?

Kur filloi përgatitja e Jubileut, duke dëgjuar nevojën e botës për pajtim dhe paqe, erdhi natyrshëm që shpresa të lidhej me temën e paqes dhe të zgjidhej të niseshim si «Shtegtarë të shpresës në udhën e paqes». Pas takimeve të ndryshme gjatë vitit, ku u përgatitëm së bashku, në mënyrë sinodale, tani jetojmë emocionin e pragut, me detajet e fundit për t'u finalizuar. Programi është shumë i pasur: do të fillojmë më 8 dhe 9 tetor me ditën pendestare, kalimin e Portës së Shenjtë dhe Meshën e Shenjtë të kryesuar nga Papa Leoni XIV. Mbrëmjen e 9 tetorit, në tre sheshe të Romës — Piazza dei Mirti, Piazza Don Bosco dhe Piazza Vittorio Emanuele — kemi organizuar momente bashkëndarjeje, vëllazërie dhe dëshmish. Çdo vend do të ketë temën e tij specifike: angazhimi ndaj njerëzve më të varfër, kujdesi për krijimin dhe vëllazëria universale, për të na kujtuar se paqja ndërtohet çdo ditë, me gjeste konkrete solidariteti dhe dashurie. Në ditët në vijim do të alternohen momente lutjeje, dëgjimi, reflektimi dhe bashkëndarjeje dhe të shtunën më 11 tetor do të ketë edhe mundësi për të marrë pjesë në seminare mbi teknikat e ndërmjetësimit dhe menaxhimit të konflikteve. Presim me gëzim të madh mijëra të shenjtëruar që janë regjistruar!.

23 shtator 2025, 16:32