Kërko

20.03.2024 Mesha e Katekistëve - Dioqeza e Porto Alegres - Brazil 20.03.2024 Mesha e Katekistëve - Dioqeza e Porto Alegres - Brazil

Papa dhe Jubileu i Katekistëve

Pas liturgjisë, katekizmi është ndoshta fusha më e dukshme e veprimtarive kishtare për besimtarët, që është prekur më shumë nga vendimet e Koncilit II të Vatikanit. Brenda pak vitesh, u krijuan tekste të reja katekistike, si në nivelin lokal ashtu edhe në atë universal të Kishës. Bota e katekizmit, megjithatë, është sidomos, një fushë veprimtarie kishtare, që përfshin laikë të panumërt, gra dhe burra, të cilët, së bashku me barinjtë e tyre, i kushtojnë kohë dhe energji transmetimit të fesë.

R.SH. / Vatikan

Sot paradite Papa Leoni XIV kremtoi në bazilikën e Vatikanit Meshën për Jubileun e Katekistëve, që shënoi kulmin e veprimtarive dy ditore, gjatë të cilave u mblodhën në Romë më se 20 mijë vetë nga e gjithë bota. Në mesditë, Ati i Shenjtë Prevost tha lutjen e Engjëllit të Tënzot së bashku me ata, që u mësojnë fëmijëve të vërtetat e fesë dhe i udhëheqin drejt Sakramenteve të para të jetës së krishterë. Ndër të pranishmit në Sheshin e Shën Pjetrit, edhe shqiptarë.

Pas liturgjisë, katekizmi është ndoshta fusha më e dukshme e veprimtarive kishtare për besimtarët, që është prekur më shumë nga vendimet e Koncilit II të Vatikanit. Brenda pak vitesh, u krijuan tekste të reja katekistike, si në nivelin lokal ashtu edhe në atë universal të Kishës. Ky proces kulmoi me botimin e Katekizmit të Kishës Universale (1992) dhe të Përmbledhjes së tij (2005), përkatësisht, nën papninë e Shën Gjon Palit II dhe të Benediktit XVI.

Krahas këtyre të ashtuquajturave tekste praktike, ka edhe dokumente magjisteri nga Papët, Konferencat Ipeshkvnore dhe nga ipeshkvij të veçantë, që japin udhëzime për katekizmin. Duke filluar me Nxitjen Apostolike “Evangelii nuntiandi” (1975) të Shën Palit VI, ato dëshmojnë për vetëdijen në rritje mbi lidhjen e ngushtë ndërmjet katekizmit dhe natyrës misionare të Kishës, temë, që ishte një nga gurët themelorë të magjisterit të Papës Françesku. Përveçse i dha Kishës universale direktiva të reja për Katekizmin (2020), me Motu Proprio “Antiquum ministerium” (2021), ai themeloi edhe shërbesën laike të katekizmit, dëshirë, të cilën e pati shprehur edhe Papa shenjt Pali VI, pa mundur ta realizonte kurrë.

Bota e katekizmit, megjithatë, nuk është vetëm një përmbledhje tekstesh, sado të rëndësishme. Është sidomos, një fushë veprimtarie kishtare, që përfshin laikë të panumërt, gra dhe burra, të cilët, së bashku me barinjtë e tyre, i kushtojnë kohë dhe energji transmetimit të fesë. E ky transmetim, edhe në një epokë si e jona, karakterizuar nga kultura dixhitale, mund të ndodhë, si në çdo epokë, vetëm përmes dëshmisë personale.

Roli i katekistit mund të ndryshojë në varësi të vendit dhe të kohës, por ajo që duhet t’i dallojë gjithmonë këta besimtarë është dashuria për Krishtin dhe Kishën, e kombinuar me dëshirën e ndierë për t’u përcjellë të tjerëve lajmin e mirë të ringjalljes së Krishtit dhe të së vërtetës, që shëlbon.

28 shtator 2025, 13:39