Kërko

Papa: 'katekizmi i parë bëhet në familje, në tryezë'

Leoni XIV: 'Detyra e katekistëve është të lënë një shenjë, të edukojnë për paqen'.

R.SH. / Vatikan

"Emri i shërbimit që kryeni - tha Papa Leoni në homelinë e Meshës së sotme, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan me rastin e kremtimit të Jubileut të Katekistëve - vjen nga folja greke katēchein, që do të thotë të udhëzosh gojë më gojë, të bësh që të ketë jehonë. Kjo do të thotë se katekisti është një person i fjalës, një fjalë që e shqipton me jetën e tij. Prandaj katekistët e parë janë prindërit tanë, ata që na folën të parët dhe na mësuan të flasim".

"Siç kemi mësuar gjuhën tonë amtare - vazhdoi Leoni XIV -, ashtu edhe kumtimi i fesë nuk mund t'u delegohet të tjerëve, por ndodh aty ku jetojmë. Para së gjithash në shtëpitë tona, rreth tryezës: kur ka një zë, një gjest, një fytyrë që të çon te Krishti, familja përjeton bukurinë e Ungjillit".

"Të gjithë jemi edukuar të besojmë përmes dëshmisë së atyre që besuan para nesh - vazhdoi Ati i Shenjtë Prevost -. Si fëmijë dhe të rinj, pastaj si të rritur e madje edhe si të moshuar, katekistët na shoqërojnë në fe duke bashkëndarë një rrugëtim të vazhdueshëm, siç keni bërë ju sot, në shtegtimin jubilar".

Kështu, katekizmi, përfundoi Leoni XIV, është "mjet i udhëtimit" që "na mbron nga individualizmi dhe mosmarrëveshjet, sepse dëshmon fenë e mbarë Kishës Katolike. Çdo besimtar bashkëpunon në veprën e saj baritore duke dëgjuar pyetjet, duke bashkëndarë provat, duke shërbyer dëshirën për drejtësi dhe të vërtetë që banon në ndërgjegjen njerëzore. Kështu katekistët mësojnë, domethënë lënë një shenjë të brendshme: kur edukojmë në fe, nuk japim një mësim, por vendosim në zemër fjalën e jetës, në mënyrë që të sjellë fryte të një jete të mirë".

“Kur edukojmë në fe, nuk japim ndonjë mësim, por vendosim në zemër fjalën e jetës, në mënyrë që ajo të japë fryte të një jete të mirë”. Dhe duke kujtuar Shën Augustinin, Papa citoi ftesën drejtuar diakonit Deogratias: “Shpjego çdo gjë në mënyrë që ai që të dëgjon duke dëgjuar të besojë, duke besuar të shpresojë dhe duke shpresuar të dojë” (De catechizandis rudibus, 4, 8). Një ftesë kjo për t’u pranuar, ende sot.

28 shtator 2025, 16:36