Kërko

Papa Giovanni Paolo I, Papa Luciani

Papa Luciani, paqja dhe lëvdata për "nënë maturinë"

Një virtyt që "nuk funksionon i vetëm; ka një grup i tërë bijash të mira dhe të guximshme që e ndihmojnë: bindja, zgjuarsia, metodologjia, largpamësia, urtia, kujdesi, qëndrueshmëria". Kështu shkruante Gjon Pali I, i cili, gjatë papnisë së tij të shkurtër, e pati thirrur shpesh “nënë maturinë” në angazhimin e tij të vazhdueshëm për paqen, shprehur edhe në një letër drejtuar presidentit të SHBA-së Carter, pas bisedimeve në Camp David

R.SH. – Vatikan

Stefania Falasca*

Gjon Pali I u largua nga kjo botë papritur, më 28 shtator, 47 vjet më parë, duke mbajtur në duar një virtyt. I pari nga virtytet kryesore: maturia. Virtyti kryesor i atyre që qeverisin. Auriga virtutum, kryetarja e të gjitha virtyteve, e quan Platoni. "Nënë maturia", e quan Papa Luciani në letrat që i mbante shtrënguar fort në dorë, kur e gjetën të nesërmen dy nga murgeshat, që kishin hyrë të parat në dhomën e tij. Ato e gjetën kështu, "si dikush, që bie në gjumë duke lexuar", pikërisht me ato letra në gjoks: ato të një shkrimi të tij të vjetër mbi virtytin e parë kryesor. Një lloj traktati të shkurtër, me titull “Reflektime mbi maturinë e krishterë”, botuar në "Bollettino della diocesi di Vittorio Veneto" në vitin 1964. Në fakt, Gjon Pali I e pati vënë në listë për audiencën e përgjithshme, që do të mbante të mërkurën pasardhëse, pas atyre mbi virtytet teologale, që tashmë i kishte mbajtur, sepse ky ishte programi i tij. Donte të përvijonte një udhë me "Shtatë Llamba" të jetës së krishterë: virtytet teologale të fesë, të shpresës dhe të dashurisë, të paraprira nga përvujtëria, si edhe katër virtytet kryesore: maturia, drejtësia, forca dhe vetëpërmbajtja.

Ato që, bashkë me “Ditarin e një Shpirti” të Gjonit XXIII, i quajti "Shtatë Llamba të Shenjtërimit", siç pati deklaruar më 13 shtator 1978, gjatë audiencës së përgjithshme mbi fenë. Ky program është dokumentuar në shënimet e shkruara me dorë të fletores së papnisë, ruajtur në Arkivin Privat të Albino Lucianit (APAL) në Fondacionin e Vatikanit Gjon Pali I. Ai u transkriptua dhe u botua nga Fondacioni në librin (Il Magistero. Testi e documenti del Pontificato, LEV - San Paolo, 2022), i cili përmban vëllimin e plotë të teksteve dhe dokumenteve të Gjon Palit I gjatë papnisë së tij, së bashku me një përmbledhje të ndërhyrjeve të tij të shkruara dhe të shqiptuara, si edhe transkriptimet e shënimeve të shkruara me dorë nga ditari dhe fletoret e tij personale, që përbëjnë gjenezën e tyre. Shënime, në të cilat reflektimi për këtë virtyt u referohet jo pak shkrimeve të tij të mëparshme, trajtimi i të cilave, në lectio doctoralis “Lavdërimi i maturisë”, i dha atij një diplomë “Honoris causa” nga Universiteti Federal i Shën Marisë në Brazil, në vitin 1975. E pikërisht mbi këtë virtyt, të domosdoshëm për ata që qeverisin, Luciani, në një zgjidhje origjinale me dy zëra - i cili përdor mjetin letrar të së tashmes pa kohë për t'u folur bashkëkohësve të vet - hap një dialog fiktiv me Bernardin e Kiaravales, në koleksionin e tij të famshëm të letrave imagjinare “Illustrissimi”.

Maturia dhe "bijat" e saj

Në trajtimin e tij të hollësishëm, maturia, shkruan ai, "nuk funksionon vetëm; ka një grup të tërë bijash të mira dhe të afta për ta ndihmuar: bindjen, zgjuarsinë, metodologjinë, largpamësinë, urtinë, kujdesin, qëndrueshmërinë". "Është një lloj shkence. Shkenca e gjërave drejt të cilave duhet të priremi, por edhe duhet t’i shmangim, thoshte Ciceroni". E, bashkë me klasikët, Luciani pohon se është "ars vivendi", që do të thotë "shkencë praktike; prandaj, njeriu i matur duhet të jetë i aftë t’i zbatojë dhe t’i përshtatë parimet me rrethanat, me jetën". E duke qenë virtyt, "ajo shërben vetëm për çështje fisnike dhe përdor vetëm mjete legjitime". Por mbi të gjitha, është edhe "një lloj motori", pohon ai, duke u mbështetur te shën Toma i Akuinit: "Kjo deklaratë mund të duket paradoksale, por është e Shën Tomës: 'Prudentia est motor'".

Maturia është me të vërtetë një virtyt, dhe çdo virtyt çon në veprim - shkruan ai më tej në Reflektim. - Kjo u bie ndesh heronjve të quieta non movere, të ashtuquajturve "shenjtorëve të maturisë", atyre që thonë sistematikisht: "Nuk do të më kapin!", "Nuk dua asnjë telash!", duke e ngatërruar maturinë me allishverishin, me ikjen nga çdo përgjegjësi dhe nga çdo luftë. Jo, kjo nuk është maturi, por inerci, përtaci, përgjumje, pasivitet, të gjitha kushërira të asaj gjëje të shëmtuar, që quhet frikacakëri. Maturia e përjashton zellin e verbër dhe guximin e marrë, por kërkon veprim të sinqertë, vendimtar dhe të guximshëm, kur duhet”.

Letra drejtuar presidentit të SHBA-së, Carter

Pikërisht duke u mbështetur në këtë "motor maturie", Gjon Pali I i shkroi presidentit të SHBA-së Jimmy Carter, më 21 shtator 1978: "Kemi shënuar me kujdes pikat e konvergjencës të arritura gjatë takimit, siç na e keni treguar në detaje, të cilat kanë të bëjnë si me planin e përgjithshëm të paqes për Lindjen e Mesme, ashtu edhe me traktatin e ardhshëm të paqes ndërmjet Egjiptit dhe Izraelit", shkruante ai në anglisht, duke nënshkruar letrën e tij në fund të bisedimeve të paqes për Lindjen e Mesme, mbajtur në Camp David nga 15 deri më 17 shtator 1978. Letra, që vjen nga shënimet e rezervuara të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, dëshmon mbështetjen e Papës për bisedimet; një proces, që e bën të qartë angazhimin e tij të vazhdueshëm për paqen gjatë gjithë papnisë 34-ditore. Më 17 shtator, presidenti Carter i shkruan Papës Gjon Palit I për ta informuar mbi rezultatet e arritura, duke deklaruar se ishte "frymëzuar shumë nga lutjet tuaja për samitin e Camp David dhe për paqen në Lindjen e Mesme", siç dokumentohet në Notën Sekrete të Sekretarit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës drejtuar Ambasadës Amerikane në Romë, më 18 shtator 1978.

Përsa i përket kërkimit të paqes, Gjon Pali I e pati shprehur qartë vullnetin e tij në programin e papnisë së tij, shprehur në falimin “Urbi et Orbi” në Kapëln Sikstine, më 27 gusht dhe e pati pohuar atë edhe në të fundit nga gjashtë shprehjet programatike "dëshirojmë", ende kaq të rëndësishme: "Së fundi, ne dëshirojmë të favorizojmë të gjitha nismat e mira dhe të lavdërueshme, që mund të ruajnë dhe të shtojnë paqen në këtë botë të trazuar: duke i bërë thirrje për bashkëpunim të gjithë të drejtëve, të mirëve, të ndershmëve, të drejtëve në zemër, në mënyrë që ata të mund të ndalin, brenda kombeve, dhunën e verbër, e cila vetëm shkatërron dhe mbjell rrënim e zi, dhe, në jetën ndërkombëtare, të mund t'i çojnë njerëzit drejt mirëkuptimit të ndërsjellë, drejt bashkimit të forcave, që nxisin përparimin shoqëror, zhdukin urinë fizike dhe injorancën shpirtërore dhe nxisin përparimin e popujve më pak të pasur, por të pasur me energji dhe vullnet". E mbi këtë "dëshirë" të fundit, Komiteti Shkencor i Fondacionit të Vatikanit Gjon Pali I, në bashkëpunim me Komitetin Papnor për Shkencat Historike, do të mbajë konferencën e ardhshme në Universitetin Papnor Gregorian, të planifikuar për dy ditë në vitin 2026.

*Postulatore e çështjes së kanonizimit të Papës Gjon Pali I

27 shtator 2025, 17:48