Akademia Papnore për Jetën, Salesforce nënshkruan Thirrjen e Romës për Etikën e IA-së
R.SH. – Vatikan
Firmë e re në Thirrjen e Romës për Etikën e IA-së, me vlerë "të jashtëzakonshme", pasi vë në dukje "urgjencën e algoretikës dhe aktualitetin e një impenjimi global". Kështu e komentoi sot, 27 tetor, presidenti i ri i Akademisë Papnore për Jetën dhe Fondacionit RenAIssance, imzot Renzo Pegoraro, nënshkrimin e dokumentit nga Sabastian Niles, president dhe drejtor ligjor i Salesforce, një kompani teknologjike, që ndihmon bizneset e të gjitha përmasave të përdorin Inteligjencën Artificiale.
Etika në Inteligjencën Artificiale
Thirrja e Romës për Etikën e IA-së është dokumenti i menduar dhe i promovuar nga organizmi papnor dhe nga Fondacioni RenAIssance, themeluar më 12 prill 2021 nga Papa Françesku. Ajo bën thirrje për një bazë etike në algoritmet e Inteligjencës Artificiale (IA). Nënshkrimi i saj nga kompania Salesforce, komentoi imzot Pegoraro, "ka rëndësi themelore, sepse nuk është fjala vetëm për të shpallur parime etike abstrakte, por për ta zbatuar konkretisht etikën në praktikën e zhvillimit të IA-së".
Liderë globalë bashkohen me nismën
"Liderë globalë si Salesforce, me burimet dhe kompetencën e tyre teknike, janë në pozitën ideale për të gjetur zgjidhje konkrete, që sigurojnë zbatimin e parimeve të Thirrjes", vazhdoi presidenti i Akademisë Papnore për Jetën. "Një realitet i këtij lloji mund ta përfshijë etikën në vetë ADN-në e IA-së, që nga projektimi. Kjo është rruga për t’u siguruar që algoretika të bëhet realitet për të gjithë dhe që Inteligjenca Artificiale të jetë vërtet dhuratë e inteligjencës njerëzore, në dobi të gjithë njerëzimit". Ceremonia e nënshkrimit të Thirrjes së Romës - bërë vitet e fundit nga liderë globalë të teknologjisë si Microsoft, IBM, Cisco dhe Qualcomm, nga institucione si FAO, universitete të shumta në të gjithë botën, kompani, individë dhe përfaqësues të të gjitha feve kryesore të botës - u mbajt në Vatikan, në Akademinë Papnore për Jetën.
Njerëzit dhe teknologjia të bashkëpunojnë
"Jemi krenarë, që nënshkruajmë Thirrjen e Romës për Etikën e IA-së, duke përforcuar më tej angazhimin e Salesforce për të krijuar një IA të besueshme dhe etike në çdo fazë të zhvillimit, implementimit dhe zbatimit të saj", pohoi Niles. "Nga inovacionet si Agentforce deri te përdorimi i agjentëve të IA-së, është themelore që njerëzit dhe IA të punojnë së bashku me përgjegjësi, transparencë dhe me qëllim të mirëpërcaktuar. Objektivi ynë është të sigurohemi që besimi të ecë krah për krah me inovacionin, me ndikim pozitiv si për biznesin, ashtu edhe për shoqërinë".