Bashkësia e Shën Egjidit: dialogu është forca e feve, paqja është rruga drejt jetës e zhvillimit
R.SH. – Vatikan
Edhe para konflikteve hapet një rrugë, që nuk ka të bëjë me dhunën, reagimin ushtarak apo me armët: është rruga e dialogut, e kapërcimit të keqkuptimeve dhe të urrejtjes. Kështu u tha në fillim të Takimit të 39-të Ndërkombëtar të Feve dhe Kulturave në Dialog, që po mbahet nga 26 deri më 28 tetor në Romë, këtë vit me titull "Guxo për Paqen". Është rruga e ndjekur nga Bashkësia e Shën Egjidit gjatë dekadave të fundit, duke respektuar trashëgiminë e Frymës së Asizit, lutjes për paqe organizuar nga Papa shenjt Gjon Pali II, në vitin 1986, në qytetin italian të Umbries. Një frymë që, pavarësisht nga lufta, duhet mbajtur gjallë si "dëshmi me rëndësi të madhe", siç theksoi presidenti italian Sergio Mattarella. Në fjalimin e tij në asamblenë përuruese, kreu i shtetit përshkroi skenarin e një bote që, me fundin e Luftës së Ftohtë, mendonte se kishte ardhur "një epokë paqeje", por sot, edhe në Evropë, përballet me një realitet krejtësisht të ndryshëm. Kështu, "tema e forcës pretendon sërish të jetë masa e marrëdhënieve ndërkombëtare" dhe "nacionalizmi, për t’iu kundërvënë nacionalizmave të tjerë, lind, në fund të fundit, nga fakti se i konsiderojmë popujt e tjerë armiq, nëse jo si prani abuzive, ose edhe inferiore, me qëllimin për të afirmuar me arrogancë e, shpesh, me dhunë, pretendimet për dominim".
Riccardi: dialogu, forca e feve
Nga epoka e forcës dhe luftës, duhet të kalojmë në epokën e dialogut dhe të bisedimeve. Kjo, ndërkaq, thirrja e themeluesit të Bashkësisë së Shën Egjidit, Andrea Riccardi. Jetojmë në një kohë kur lufta po rehabilitohet "si mjeti kryesor për plotësimin e interesave dhe axhendave personale", kur kultura e dialogut dhe e diplomacisë po degradohet, kur e drejta ndërkombëtare po shkelet, kur popujt mbruhen me një "barrë agresiviteti, pasojat e së cilës ende duhen kuptuar", kur mohohet "që popujt kanë një fat të përbashkët" e, në vend të kësaj, "promovohet një ideologji e formuar nga ridalja në dritë e miteve të varrosura, e nacionalizmave, e frikërave, si të vjetra, ashtu edhe të reja", duke dëshmuar "afirmimin e një teknokapitalizmi global". Pavarësisht globalizimit të idesë së një bote të bashkuar, lufta nuk është eliminuar, duke sjellë si rezultat atë, që Papa Françesku e quante "dështim të politikës dhe të njerëzimit, dorëzim i turpshëm, disfatë para forcave të së keqes". Riccardi kujtoi Deklaratën “Nostra Aetate”, që kremton 60-vjetorin më 28 tetor, si çast historik për dialogun ndërmjet feve. Ajo dhe Dita Botërore e Lutjes për Paqen, themeluar në Asizi, në vitin 1986, nga Papa Gjon Pali II, tregojnë se dialogu është forca e feve, i cili nuk do të thotë domosdoshmërisht paqe, por sigurisht, e shikon tjetrin si pjesë të së ardhmes së përbashkët.
Al-Tayyeb: të drejtat dhe barazia
Masakra e Gazës ka "shkruar një faqe të errët në historinë moderne", sipas Imamit të Madh të Al-Azharit, Ahmed Al-Tayyeb, i cili, së bashku me Papën Françesku, nënshkroi Dokumentin mbi Vëllazërimin Njerëzor në Abu Dabi, në vitin 2019. Al-Tayyeb kujtoi se krizat e sotme, në të cilat paqja botërore "mbahet peng nga raportet e forcës së fitimeve të tregtisë së armëve dhe nga ekonomia e luftës, duke injoruar plotësisht kriteret e ligjit dhe të barazisë", tregojnë çorientimin e thellë të rendit botëror, i cili po ndjek rrugë të kundërta me ato të kërkuara nga etika e detyrës. Që këtej, vlerësimi i tij për "guximin" e vendeve, të cilat kanë vendosur ta njohin shtetin palestinez, pasi zgjidhja me dy shtete mbetet "e vetmja mënyrë për të arritur paqen në rajon". Al-Tayyeb njoftoi më pas se një grup pune i përbashkët i Al-Azharit dhe i Selisë së Shenjtë po përpilon një dokument të përbashkët mbi Inteligjencën Artificiale, "për t’ia udhëhequr etikisht zhvillimin dhe për të siguruar përdorimin e saj në shërbim të njerëzimit, jo kundër tij".