Kërko

2023.11.17 Paolo Benanti

Centesimus Annus: atë Benanti fiton edicionin e shtatë të Çmimit "Ekonomia dhe Shoqëria"

Eseja e teologut dhe filozofit françeskan, "Njeriu në lak: vendimet njerëzore dhe Inteligjenca Artificiale", mori vlerësimin e Fondacionit të Vatikanit për veprat, që i kushtohen zbatimit të Doktrinës Shoqërore të Kishës. Studiuesit Frosio dhe Susha morën dy bursa studimi për punë kërkimore-shkencore mbi mendimin ekonomik dhe social të krishterë. Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet më 25 tetor

R.SH. – Vatikan

 Atë Paolo Benanti, teolog dhe filozof i Urdhrit të Tretë të Shën Françeskut, fitoi edicionin e shtatë të Çmimit Ndërkombëtar "Ekonomia dhe Shoqëria" të Fondacionit Centesimus Annus Pro Pontifice, me esenë e tij "Njeriu në lak: vendimet njerëzore dhe Inteligjenca Artificiale". Ceremonia e dhënies së çmimeve do të mbahet të premten, më 24 tetor, nga ora 10.00 deri në orën 12.15, në Sallën Gjon Pali II të Institutit Maria Bambina, në Romë. Ceremonia do të jetë edhe rast për të reflektuar mbi mendimin shoqëror të krishterë dhe kontributin e tij në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të barabartë dhe më gjithëpërfshirëse. Çmimi, i themeluar dymbëdhjetë vjet më parë, jepet çdo dy vjet dhe nderon veprat, që dallohen për kontributin e tyre origjinal në studimin dhe zbatimin e Doktrinës Shoqërore të Kishës, njihen për mbrojtjen e fuqishme të doktrinës dhe janë të kuptueshme për publikun e gjerë.

Inteligjenca Artificiale, e pranishme në jetën e përditshme

Në ceremoninë e dhënies së çmimeve do të marrin pjesë figura të shquara nga bota kishtare, akademike dhe kulturore, që do të kenë mundësinë të debatojnë e të diskutojnë mbi sfidat etike të kohës sonë. Në një njoftim për shtyp, Fondacioni thekson se "Inteligjenca Artificiale është e pranishme në çdo aspekt të jetës së përditshme" dhe, siç shkruan vetë atë Benanti në faqen e tij të internetit, kushtuar temave të etikës, bioetikës dhe teknologjisë: "përpiqem të përqendrohem në rëndësinë etike dhe antropologjike të teknologjisë për Homo sapiens: jemi një specie që banon prej 70 mijë vitesh në botë, duke e transformuar atë; kushtet njerëzore janë kushte tekno-njerëzore".

Dy bursa për studiuesit Frosio dhe Susha

Përveç çmimit për librin, janë dhënë edhe dy bursa studimi për punë kërkimore-shkencore mbi mendimin ekonomik dhe shoqëror të krishterë. Bursa iu dha Enrico Frosio-s, një student doktorature në Universitetin Katolik të Zemrës së Krishtit në Milano, për studime mbi temën e rimendimit të së tashmes duke filluar nga trashëgimia murgare benediktine. Bursa i jepet edhe atë Raman Susha-s, një student doktorature në Universitetin Papnor të Shën Tomës së Akuinit-Angelicum në Romë, për një reflektim mbi kërkimin e kuptimit të jetës e të realitetit në epokën dixhitale.

21 tetor 2025, 13:49