Kërko

Anëtarët e rinj të Trupit Ndërkombëtar Këshillimor të të Rinjve (Iyab) Anëtarët e rinj të Trupit Ndërkombëtar Këshillimor të të Rinjve (Iyab)

Dikasteri për Laikët, Familjen e Jetën: në Romë, takimi i të rinjve, anëtarë të IYAB

Trupi Këshillues Ndërkombëtar i të Rinjve, organizëm i lindur pas kërkesës së Dokumentit Përfundimtar të Sinodit për Rininë, që i sjell shqetësimet e brezave të rinj në vëmendjen e Selisë së Shenjtë, do të mblidhet nga 28 deri më 31 tetor. Diskutimet do të përqendrohen në Ditën Botërore të të Rinjve, që do të mbahet së shpejti në Seul dhe në një reflektim mbi ungjillëzimin në kontekstin familjar.

R.SH. / Vatikan

Nga 28, deri më 31 tetor 2025, do të mblidhet në Romë, pranë zyrave të Dikasterit të Vatikanit për Laikët, Familjen, Jetën, takimi i Trupit Këshillimor Ndërkombëtar të të rinjve, International Youth Advisory Body (IYAB). Ky organ këshillimor synon ta informojë Selinë e Shenjtë për perspektivat e të rinjve lidhur me çështje të ndryshme, në zemër të misionit të Kishës.

Temat e bisedës

Në konferencë do të marrin pjesë anëtarët e grupit të dytë të të rinjve - caktuar  që në vitin 2024 - pas takimit të parë, i cili u zhvillua dhjetorin e kaluar. Nga përgatitjet për Ditën Botërore të Rinisë 2027 në Seul, deri tek një reflektim mbi ungjillëzimin e të rinjve në kontekstin e familjes e nga mënyrat për të lidhur shërbesën rinore me shërbesën familjare, deri te rëndësia e Nxitjes Apostolike pas-sinodale Christus Vivit në kontekstet aktuale shoqërore: këto do të jenë temat e trajtuara gjatë takimit katërditor, i cili do të përfshijë edhe një vizitë në Borgo Laudato Si'.  Pjesëmarrja, sinodaliteti dhe misioni do t’i mbështesin këto reflektime, të cilat do të kenë formën e bisedave në Shpirt, me ndarjen e grupeve dhe përvojave praktike në zhvillimin e propozimeve, në mënyrë që të krijojnë një laborator të vërtetë, i cili i ofron Dikasterit udhëzime konkrete për veprim.

Aktivitetet e IYAB

Që nga viti 2018, pas kërkesës së qartë të Dokumentit Përfundimtar të Sinodit kushtuar të Rinjve, 20 të rinj nga vise të ndryshme të botës dhe nga disa lëvizje, shoqata dhe komunitete ndërkombëtare ofruan kontributet e tyre për bashkëpunëtorët e Papës në Kurien Romake, në një stil sinodal, për të biseduar rreth çështjeve që lidhen me shërbesën rinore dhe tema të tjera me interes më të përgjithshëm.

Si një "zëdhënës" për të rinjtë, IYAB i ofron Dikasterit të Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën - si dhe çdo Dikasteri tjetër i kuries romake që kërkon këshillën e tij - mbështetje konsultative dhe proaktive për të rinjtë, veçanërisht më të prekshmit, më të varfrit,  më të izoluarit, por edhe të gjithë ata që jetojnë në kushte të vështira ose që kanë vështirësi të bashkëpunojnë me të rinjtë e tjerë në fushën arsimore dhe atë të punësimit.

28 tetor 2025, 11:24