Kërko

Nëntë salesianët martirë në kampet e përqendrimit të Aushvicit dhe Dahaut midis viteve 1941 e 1942 Nëntë salesianët martirë në kampet e përqendrimit të Aushvicit dhe Dahaut midis viteve 1941 e 1942

Do të lumnohen 11 meshtarë, martirë nën nazizëm dhe komunizëm

Bëhet fjalë për nëntë salezianë polakë, të vdekur në kampet e përqendrimit të Aushvicit dhe Dachaut, dhe dy meshtarë dioqezanë të vrarë nga urrejtja ndaj fesë gjatë regjimit komunist çekosllovak. Janë shpallur dekretet për katër të nderuar të rinj: një murgeshë cistercense spanjolle, një meshtar domenikan spanjoll, një meshtar dhe një frat karmelit italianë.

R.SH. – Vatikan

Kisha do të ketë njëmbëdhjetë të Lumënuar të rinj. Gjatë audiencës së dhënë sot, më 24 tetor, kardinalit Marcello Semeraro, prefekt i Dikasterit të Kauzave të Shenjtorëve, Leoni XIV autorizoi shpalljen e dekreteve në lidhje me martirizimin e 9 salezianëve polakë, të vrarë midis viteve 1941 dhe 1942, nga urrejtja ndaj fesë, në kampet e përqendrimit të Aushvicit e Dachaut, dhe të dy meshtarëve dioqezanë të ish-Çekosllovakisë të vrarë midis viteve 1951 dhe 1952 për shkak të persekutimit të Kishës Katolike nga regjimi komunist i instaluar në vend pas Luftës së Dytë Botërore. Sot u shpallën edhe dekretet që njohin virtytet heroike të katër Shërbëtorëve të Zotit, të cilët bëhen kështu të Nderuar: Maria Evangelista Quintero Malfaz, murgeshë cisterciane; Angelo Angioni, meshtar dioqezan, themelues i Institutit Misionar të Zemrës së Papërlyer të Marisë; José Merino Andrés, rregulltar domenikan; Gioacchino della Regina della Pace, frat i Urdhrit të Karmelitëve të Zbathur.

Martirë në kampet e përqendrimit naziste

Salezianët Jan Świerc, Ignacy Antonowicz, Ignacy Dobiasz, Karol Golda, Franciszek Harazim, Ludwik Mroczek, Włodzimierz Szembek, Kazimierz Wojciechowski dhe Franciszek Miśka, të angazhuar në veprimtari baritore dhe edukative, ishin viktima, gjatë pushtimit gjerman të Polonisë që filloi më 1 shtator 1939, të persekutimit nazist, të shpërthyer me veçanti të theksuar edhe kundër Kishës Katolike. Larg ndaj tensioneve politike të kohës, ata u arrestuan thjesht sepse ishin meshtarë katolikë. Ndaj tyre shfaqet veçanërisht ashpërsia e rezervuar për klerin polak, të persekutuar dhe fyer. Të dërguar në kampet e përqendrimit, rregulltarët u ofruan ngushëllim shpirtëror shokëve të tyre të burgosjes dhe, pavarësisht poshtërimeve dhe mizorive të pësuara, vazhduan ta dëshmonin fenë e tyre. Të tallur me fyerje ndaj shërbesës së tyre, ata u torturuan dhe u vranë ose u çuan drejt vdekjes nga kushtet çnjerëzore të burgosjes. Të vetëdijshëm se shërbesa e tyre baritore meshtarake konsiderohej nga nazistët si një kundërshtim ndaj regjimit, ata vazhduan veprën e tyre apostolike, duke qëndruar besnikë ndaj thirrjes së tyre dhe duke pranuar me qetësi rrezikun e arrestimit, deportimit dhe më pas vrasjes.

Meshtarët Jan Bula dhe Václav Drbola, martirë
Meshtarët Jan Bula dhe Václav Drbola, martirë

Martirët nën regjimin komunist çekosllovak

Meshtarët e dioqezës së Brnos, Jan Bula dhe Václav Drbola, u vranë në Jihlava, nga urrejtja ndaj fesë. Të dy, për shkak të zellit të tyre baritor, konsideroheshin të rrezikshëm nga regjimi komunist që ishte instaluar në Çekosllovakinë e atëhershme që nga viti 1948 dhe që kishte nisur një persekutim të hapur ndaj Kishës. I arrestuar më 30 prill 1951, viktimë e një komploti të policisë sekrete shtetërore, Bula, megjithëse ishte në burg, u akuzua se kishte frymëzuar atentatin me të cilin, më 2 korrik 1951, në Babice, ishin vrarë disa funksionarë komunistë. I gjykuar dhe i dënuar me vdekje, ai u var më 20 maj 1952 në burgun e Jihlavës. Drbola, i arrestuar me mashtrim më 17 qershor 1951, gjithashtu i akuzuar për atentatin e Babices ndërsa ishte i burgosur në të njëjtin burg, i dënuar me vdekje, u ekzekutua më 3 gusht 1951. Të mashtruar dhe të burgosur nga një kurth i orkestruar me dëshmitarë të rremë, dy meshtarët pësuan dhunë dhe tortura që çuan në një shtrembërim të ngjarjeve dhe nënshkrimin e detyruar të rrëfimeve të rreme të fajësisë. Prandaj, viktima të proceseve farsë, ata u dënuan me vdekje. Të vetëdijshëm për rreziqet që u kanoseshin në kontekstin dramatik të kundërshtimit ndaj Kishës dhe, pavarësisht ashpërsisë së burgut dhe torturave të pësuara, ata e pranuan fatin e tyre me besim dhe braktisje të sigurt ndaj vullnetit të Zotit, siç dëshmohet nga letrat e shkruara para ekzekutimit dhe nga dëshmia e meshtarit të thirrur për të rrëfyer Jan Bulën.

Murgesha Maria Evangelista Quintero Malfaz
Murgesha Maria Evangelista Quintero Malfaz

Katër të rinjtë e Nderuar, Maria Evangelista Quintero Malfaz

Me dekretet e shpallura sot paradite nga Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Çështjen e Shenjtorëve, që nga sot është e Nderuar nga Kisha Maria Evangelista Quintero Malfaz, e cila jetoi midis shekujve XVI dhe XVII. Nga Cigales, Spanjë, ajo lindi më 6 janar 1591, në një familje me fe të thellë të krishterë. E mbetur jetime nga të dy prindërit, ajo ndjeku thirrjen e saj rregulltare dhe hyri në manastirin cistercen të Sant’Anna di Valladolid. Shembullore në kryerjen e detyrave që i qenë besuar, ajo pati përvoja mistike që i shkruan, nën udhëheqjen e Etërve të saj shpirtëror e rrëfyes Gaspar de la Figuera dhe Francisco de Vivar. Në vitin 1632, pasi u themelua një manastir cistercen në Casarrubios del Monte, në provincën e Toledos, Maria Evangelista Quintero Malfaz u dërgua në komunitetin e ri dhe u bë Abatesha e kësaj bashkësie murgare më 27 nëntor 1634, duke nxitur jetën e lutjes dhe të soditjes. Ajo vazhdon përvojat mistike, të cilat i lënë shenja të dukshme të jashtme, pastaj, në vitin 1648 shëndeti i saj bëhet i dobët. E goditur nga sëmundje të rënda, vdes më 27 nëntor të të njëjtit vit. E varrosur në sallën kapitullare të manastirit cistercen në Casarrubios del Monte, pesë vjet më vonë, pas një verifikimi, mbetjet e saj mortore gjenden të paprishura ndërsa fama e shenjtërisë së saj rritet. Dialogu me Zotin, gjithmonë, i vazhdueshëm, ka qenë elementi dominues i rrugëtimit të saj shpirtëror që e ka çuar atë të ofrohet si fli me Krishtin në favor të kthimit të mëkatarëve në udhën e Zotit. Maria Evangelista Quintero Malfaz i ka jetuar me bindje të plotë virtytet teologjike duke u lëshuar krejtësisht në duar të Zotit në vështirësitë e jetës dhe ka duruar me qëndresë fatkeqësitë dhe brishtësinë e saj fizike. Ajo, gjithashtu, e ka jetuar dashurinë ndaj Zotit duke u angazhuar të bëjë vullnetin e tij në çdo rrethanë me përvujtëri të madhe.

24 tetor 2025, 12:45