Gaza, Imzot Gallagher: marrëveshja për fazën e parë është e mirë, tani të punohet për stabilizimin
R. SH. – Vatikan
“Është mirë që marrëveshja për Gazën u bë, dhe duhet njohur në këtë kuptim angazhimi i presidentit të SHBA-së, Trump. Por nga ana tjetër, të gjithë e dimë se është ende një ekuilibër i brishtë dhe se tani do të ketë nevojë për shumë punë nga të gjithë, sidomos ndërmjetësit dhe aktorët e përfshirë”. Kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, ndërhyri dje pasdite në një dialog mbi “Diplomacinë e Vatikanit dhe diplomacinë e Shteteve”, së bashku me ambasadorin italian Giampiero Massolo, president i Mundys dhe i komitetit shkencor të Festivalit të Diplomacisë. Ngjarja, e organizuar nga ambasada e Italisë pranë Selisë së Shenjtë, në Romë, u zhvillua pikërisht në kuadër të Festivalit të Diplomacisë 2025, i cili ka arritur edicionin e XVI-të, me moderimin e gazetares Giovanna Pancheri.
Gaza: thirrjet e Selisë së Shenjtë dhe mbështetja për komunitetet e krishtera
Pas përshëndetjeve hyrëse të ambasadorit të Italisë pranë Selisë së Shenjtë, Francesco Di Nitto, biseda nuk mund të mos fillonte nga përfundimi pozitiv i negociatave në Lindjen e Mesme dhe nga nënshkrimi i marrëveshjes për fazën e parë të planit të Shtëpisë së Bardhë, që u realizua në Sharm el-Sheikh, Egjipt. “Në këto vite – tha imzot Gallagher – kemi mësuar se paqja është një nga opsionet, një vendim që mund ta quajmë transcendental, të cilit megjithatë duhet t’i pasojnë zgjedhje të tjera dhe marrëveshje të tjera” që t’i japin konkretësi. Selia e Shenjtë, në këtë kuptim, ka bërë gjithçka që ishte në mundësitë e saj: “Nuk pati mundësi të bëhej ndërmjetëse – pranon imzot Gallagher –, por kemi punuar gjithmonë për të inkurajuar dialogun midis palëve dhe për të kërkuar respektimin e të drejtës ndërkombëtare”. Në këto dy vite, thirrjet e vazhdueshme ishin së pari të Papa Françeskut dhe tani të Papa Leonit XIV, e ashtuquajtura “diplomaci publike”; pastaj mbështetja “për komunitetet tona, kujtojmë telefonatat e përditshme të Françeskut në famullinë e Familjes së Shenjtë në Gaza City”, dhe, së fundi, mbështetja përmes iniciativave të Patriarkatit Latin të Jeruzalemit.
Pikat e dobëta të marrëveshjes
Sigurisht, shpjegoi ambasadori Massolo, “do të mbeten për t’u zgjidhur pikat e brishtësisë së fazës së dytë të marrëveshjes – çarmatimi i Hamasit dhe tërheqja e Izraelit nga Rripi, dy perspektiva të lidhura –, duke marrë parasysh edhe ndryshimin e raporteve të forcave në fushë, mungesën aktualisht të një perspektive shtetërore palestineze dhe faktin se deri në marrëveshjen aktuale është arritur përmes armëve: në idenë e Trump janë këto që i hapin rrugën diplomacisë”. Ambasadori Massolo sheh megjithatë një bazë të përbashkët interesi, “dhënë nga perspektiva e marrëveshjeve të Abrahamit”.
Rëndësia e Nostra Aetate dhe marrëdhëniet me fetë e tjera
Dy vitet e konfliktit kanë krijuar “nganjëherë ndonjë keqkuptim” në marrëdhëniet me fetë e tjera, “në veçanti me judaizmin”, pranon kryeipeshkvi Gallagher, “dhe megjithatë duhet të vihemi në një rrugë pajtimi”. Me Islamin, pastaj, shumë është bërë “falë papnisë së Françeskut: nga njëra anë marrëdhëniet me botën sunite, përmes kontakteve me Imamin e Madh të al-Azhar, Al Tayyeb, dhe nga ana tjetër me atë shiite, kujtojmë vizitën në Irak dhe takimin me ajatollah Ali al-Sistani”. Por në përgjithësi, thekson Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, “vendimet e marra nga Etërit e Koncilit të Dytë të Vatikanit me Deklaratën Nostra Aetate janë të pakthyeshme: sigurisht ka ende shumë për të bërë, por po ecet përpara. Burimet tona fetare duhet të jenë burime pajtimi”.
Kompleksiteti i luftës në Ukrainë
Duke prekur temën e krizës ruso-ukrainase, prelati – megjithëse shpreh shpresën se do të arrihet herët a vonë një paqe, “që nuk duket ende afër” – thekson kompleksitetin e situatës aktuale, shumë të ndryshme nga ajo e Lindjes së Mesme”. Në këtë kontekst, në të cilin “ka njëfarë paralize të sektorit multilateral”, detyra e Selisë së Shenjtë “është të vazhdojë të lehtësojë kontaktet”, thotë imzot Gallagher. Pozitive është që “Leoni ka konfirmuar misionet humanitare të kardinalit Zuppi për shkëmbimin e të burgosurve, fushë në të cilën kemi arritur disa rezultate, dhe për fëmijët”. Fatkeqësisht, vazhdon ambasadori italian Massolo, “nëse në Lindjen e Mesme dinamikat, edhe pse është dashur kohë, gjithmonë janë dukur disi zgjidhëse, në Ukrainë mungojnë parakushtet e një bashkëinteresimi midis palëve, si për shembull marrëveshjet e Abrahamit për Lindjen e Mesme”. Do të ishte pra në duart e presidentit Trump mundësia për të vendosur të përdorë “disa leva presioni sidomos ndaj Moskës”.
Konfliktet e harruara, udhëtimi i Leonit në Turqi dhe Liban
Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet imzot Gallagher ndalet pastaj te krizat dhe konfliktet e harruara, “sepse tërheqin më pak vëmendjen mediatike”, dhe mbi të cilat megjithatë Selia e Shenjtë vazhdon të mbajë një vëmendje të vazhdueshme: Sudani, “ku ka një luftë civile të vërtetë”, Republika Demokratike e Kongos, Sahel, Madagaskari, Mianmari, “ku Kisha vazhdon të punojë në nivelin lokal me shumë nga komunitetet e saj”. Imzot Gallagher flet edhe për udhëtimin e ardhshëm të Leonit XIV në Turqi, “Koncili i Nikesë është thelbësor për historinë e krishterimit”, duke theksuar se sa e rëndësishme është të bashkëpunosh me Patriarkatin e Kostandinopojës dhe të mbash marrëdhënie frytdhënëse me Ankaranë si “aktor i madh ndërkombëtar”; dhe në Liban, “të cilit Françesku i kishte bërë një premtim solemn, duke e lidhur edhe me emërimin e një presidenti të ri”, dhe ku “duhet punuar për të konsoliduar paqen dhe për të sjellë stabilitet në zonë”.
Kënaqësia për vizitën e Papës në Quirinale
Së fundi, për vizitën e djeshme të Papës Leoni XIV te presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, e para jashtë vendit, thotë imzot Gallagher: “Një ditë me kënaqësi të madhe për Selinë e Shenjtë. U pa mirë mirëkuptimi që ekziston me Italinë për çështjen e paqes”.