Gaza, kard. Parolin: Selia e Shenjtë shpreson se plani i paqes do të funksionojë
R.SH. / Vatikan
Selia e Shenjtë "është e shqetësuar" për armëpushimin në Gaza që duket se tashmë ka "mbaruar" me dhunën e ditëve të fundit, por "është plot shpresë se Plani i paqes mund të funksionojë". Kështu shprehet kardinali Pietro Parolin, sekretar i Shtetit të Selisë së Shenjtë, për situatën në Tokën e Shenjtë me rastin e prezantimit zyrtar të edicionit të fundit të Raportit mbi Lirinë Fetare në Botë (RFR), realizuar nga fondacioni ‘Ndihma për Kishën që Vuan’. Kardinali Parolin u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve jashtë Institutit Papnor Augustinianum në Romë; ndër këto, një kërkesë për komentin e ngacmimeve që përjetojnë të krishterët në Bregun Perëndimor, veçanërisht në fshatin Taybeh, nga kolonët izraelitë. "Sigurisht atje problemi është shumë kompleks, por nuk arrijmë të kuptojmë pse këta të krishterë që jetojnë jetën e tyre normale mund të jenë objekt i kaq shumë ashpërsie ndaj tyre", thotë kard. Parolin. "Të flasësh për persekutim është paksa problematik, por sigurisht janë situata që nuk mund t'i pranojmë".
Dhuna kundër të krishterëve në Nigeri
Duke e zhvendosur vështrimin në Afrikë dhe në valën e fortë të urrejtjes dhe dhunës që godet të krishterët në zona të Nigerisë, kardinali Parolin - duke cituar bashkëbisedues lokalë - sqaron se ai nigerian "nuk është një konflikt fetar, është më shumë një konflikt i tipit social, për shembull midis blegtorëve dhe fermerëve". "Të kemi parasysh se edhe në Nigeri janë shumë myslimanë që janë viktima të kësaj intolerance", thekson kardinali Parolin. "Këta janë grupe ekstremiste që nuk bëjnë dallime për të çuar përpara qëllimin e tyre, objektivat e tyre. Ata përdorin dhunën ndaj të gjithë atyre që i konsiderojnë kundërshtarë".
Frikësimet ndaj shtypit të lirë
Duke reflektuar së fundi mbi konceptin e lirisë fetare, por edhe mbi atë të lirisë në përgjithësi, kardinaliParolin thekson se "është një burim shqetësimi i madh që mund të ketë akte të tilla frikësimi ndaj shtypit të lirë".Sekretari i Shtetit të Vatikanit, duke shprehur para së gjithash "solidaritet me ata që kanë qenë objekt kërcënimi", thotë: "Rrezikojmë të jetojmë gjithnjë e më shumë në një klimë intolerance, ku shprehjet e lira nuk pranohen më. Ne – thekson kard. Parolin – duam që të gjithë të mund të shprehin pikëpamjen e tyre me respekt dhe objektivitet, por që të gjithë të mund të shprehen pa qenë objekt kërcënimesh".