Kërko

Imzot Caccia, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara Imzot Caccia, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara

Imzot Caccia: liria fetare është guri i provës për respektimin e të drejtave të njeriut

Ndërhyrja e kryeipeshkvit Caccia, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, në sesionin e punimeve të komitetit të tretë në kuadër të Asamblesë së 80-të të Përgjithshme të OKB-së

R.SH. / Vatikan

"Bota bashkëkohore po përballet me sfida të rëndësishme, duke përfshirë konfliktet dhe dhunën, varfërinë dhe urinë, kufizimin e të drejtave dhe fragmentimin social. Në këtë kontekst, përpjekjet për të optimizuar efikasitetin e Kombeve të Bashkuara shpesh pengohen nga polarizimi dhe komplikohen më tej nga kufizimet financiare të imponuara nga kriza e likuiditetit. Në rrethana të tilla, nevojiten një reflektim i kujdesshëm, një mendim inovativ dhe guximi për të marrë vendime sfiduese": kështu deklaroi kryeipeshkvi imzot Gabriele Caccia, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, në sesionin e punimeve të komitetit të tretë në kuadër të Asamblesë së 80-të të Përgjithshme të OKB-së.

Promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut

Në fjalën e tij, prelati kujtoi se «rrënjët e të drejtave të njeriut zënë fill në dinjitetin e dhuruar nga Zoti çdo qenieje njerëzore». Shteti, pra, «ka detyrën të promovojë dhe të mbrojë të drejtat e njeriut, të cilat janë kushte të nevojshme për prosperitetin njerëzor». Për imzot Caccia, «kjo duhet të ndodhë në një kuadër që mbështet si liritë individuale ashtu edhe përgjegjësitë tona reciproke. Këto të drejta janë universale, të paprekshme, të patjetërsueshme. Universale sepse janë të pranishme në të gjitha qeniet njerëzore, pa përjashtim. Të paprekshme pasi janë të qenësishme për personin njerëzor dhe dinjitetin e tij. Të patjetërsueshme pasi askush nuk mund t'i heqë ligjërisht një personi tjetër këto të drejta, pasi kjo do të shkelte natyrën e tyre».

Rreziku i një mode kulturore që nivelon gjithçka

Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë theksoi se "nëse në të kaluarën mentaliteti kolonialist injoronte jetën konkrete të njerëzve dhe impononte modele kulturore të paracaktuara, sot shtohen kolonizimet ideologjike që bien ndesh me realitetin, mbytin lidhjen natyrore të popujve me vlerat e tyre dhe pretendojnë të çrrënjosin traditat, historinë dhe lidhjet e tyre fetare".

Sipas imzot Caccia-s, "ky mentalitet, duke menduar me arrogancë se ka kapërcyer faqet e errëta të historisë, hapet ndaj "kulturës së anulimit", e cila gjykon të kaluarën vetëm duke u nisur nga kategoritë bashkëkohore. Kështu krijohet një modë kulturore që nivelon gjithçka, barazon gjithçka, nuk toleron ndryshimet dhe përqendrohet te e tashmja, te nevojat dhe të drejtat e njerëzve, duke neglizhuar shpesh detyrat ndaj vëllezërve më të dobët dhe më të prekshëm: të varfërve, migrantëve, të moshuarve, të sëmurëve, të palindurve... Janë ata — vazhdoi ai — të harruarit në "shoqëritë e mirëqenies"; janë ata që, në indiferencën e përgjithshme, hidhen si gjethe të thata për t'u djegur". Vëzhguesi i Përhershëm i Vatikanit Imzot Caccia, gjithashtu, ritheksoi angazhimin e Selisë së Shenjtë "për rolin qendror të lirisë fetare, jo sepse injoron liritë e tjera, por sepse përfaqëson gurin e provës për respektimin e të gjitha të drejtave të tjera të njeriut dhe lirive themelore. Siç thekson Papa Leoni, duke punuar së bashku ekziston mundësia për të "ndërtuar një botë ku të gjithë mund të bëjnë një jetë të denjë njerëzore në të vërtetë, drejtësi dhe paqe". Selia e Shenjtë — përfundoi ai — do të vazhdojë të bëjë pjesën e saj".

09 tetor 2025, 19:19