Jubileu: dy mijë anëtarë të ekipeve të Sinodit nga e gjithë bota mblidhen në Romë
R.SH. - Vatikan
Një kohë lutjeje, ndarjeje dhe dallimi. Këtë po përgatisin për Jubileun e tyre ekipet e Sinodit dhe organet pjesëmarrëse. Takimi do të zhvillohet nga 24 deri më 26 tetor. Kjo ngjarje, thekson njoftimi për shtyp, shënon një çast të rëndësishëm në zbatimin e udhëzimeve që dalin nga Dokumenti Përfundimtar i Asamblesë XVI të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve. Takimi me Papën do të zhvillohet të premten pasdite, i ndjekur nga diskutimet në grupet gjuhësore mbi temat sinodale dhe një kremtim përmbyllës në Sheshin e Shën Pjetrit. Të dielën, në orën 10:00 paradite, Mesha me Leonin XIV do të kremtohet në Bazilikën e Vatikanit.
Të shndërrohen në vendime baritore orientimet e Dokumentit Përfundimtar
Përafërsisht 2 000 anëtarë të ekipeve sinodale dhe organeve pjesëmarrëse (këshilli presbiteral, këshilli baritor, këshilli për çështjet ekonomike, etj.) pritet të marrin pjesë në nivele dioqezane/heparkiale, kombëtare ose globale të grupeve të Kishës. Ky aktivitet shënon hapin e parë kolektiv në fazën e zbatimit, e cila synon t’i shndërrojë udhëzimet e Dokumentit Përfundimtar në vendime baritore dhe strukturore, në përputhje me natyrën sinodale të Kishës. "Në të njëjtën kohë," vazhdon deklarata, "aktiviteti synon të njohë shërbimin e vlefshëm, ofruar nga këto organe dhe njerëzit që punojnë në gjirin e tyre, duke synuar ndërtimin e një Kishe gjithnjë e më sinodale brenda horizontit të shpresës së Jubileut".
Seanca e hapjes
Seanca e hapjes është planifikuar të premten, në orën 3:00 pasdite (transmetim i drejtpërdrejtë, në Vatican News dhe kanalet e Sekretarisë së Përgjithshmde të Sinodit). Programi përfshin praraqitjen nga Kardinali Grzegorz Ryś, Kryeipeshkëv i Łódź (Poloni), titulluar "Sinodaliteti përballë tensioneve në Kishë"; më pas Miguel De Salis Amaral, profesor në Universitetin Papnor të Kryqit të Shenjtë, do të flasë mbi "Konvertimin e Marrëdhënieve", ndërsa Mariana Aparecida Venâncio, anëtare e ekipit të Sinodit të Konferencës Ipeshkvnore të Brazilit, do të trajtojë sinodalitetin si profeci shoqërore.
Me Papën, një takim-dialog të premten dhe Meshë në Bazilikë të dielën
Një takim-dialog me Leonin XIV planifikohet për orën 17:00, të premten. Përfaqësues nga shtatë zona gjeografike do të paraqesin një raport mbi sfidat dhe ndryshimet e paraqitura për të zhvilluar sinodalitetin në territoret e tyre, pastaj do t'i bëjnë një pyetje Pasardhësit të Shën Pjetrit. Sesioni do të përfshijë edhe kontribute muzikore nga Jezuiti Cristobal Fones, Drejtor i Rrjetit Botëror të Lutjeve të Papës. Vetë Papa do të kryesojë Meshën e Jubileut të dielën, në orën 10:00, në Bazilikën e Shën Pjetrit.
Workshop-e, seminare tematike dhe vigjilje përfundimtare në Sheshin e Shën Pjetrit
E shtuna, duke filluar nga ora 8:00 e mëngjesit, do t'i kushtohet vetë shtegtimit dhe kalimit nëpër Portën Shenjte. Mbi njëqind grupe të vogla gjuhësore do të ndajnë përvojat e tyre përmes metodës Bisedë në Shpirt. Në fund të mëngjesit dhe në fillim të pasdites, do të mbahen takime dhe seminare, duke përfshirë 25 seminare gjuhësore dhe gjashtë seminare tematike mbi konvertimin misionar dhe sinodal të Kishës. Sesioni i fundit, nga ora 17:00 deri në 18:30, do të transmetohet gjithashtu drejtpërdrejt në të njëjtat kanale, duke ndarë përvojat sinodale dhe praktikat më të mira. Ngjarja do të drejtohet nga Enrico Selleri (TV2000) dhe Paola Arriaza (EWTN), me këngë nga grupi ScalaMusic. Për të përmbyllur përvojën e Jubileut, për Shën Marinë në Sheshin e Shën Pjetrit do të kremtohet një Vigjilje Lutjeje, duke nisur nga ora 21:00, për të gjithë shtegtarët në Romë.
Këshilli i Zakonshëm i Sekretarisë të Përgjithshme të Sinodit do të mblidhet nga pasditja e së dielës, 26 tetor, deri të hënën, 27 tetor.