Kërko

Jubileu i botës edukative, kard. De Mendonça: arsimi është shpresë dhe paqe

Programi për ngjarjen e Jubileut të botës edukative u paraqit në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë. Më 28 tetor do të kremtohet 60-vjetori i Deklaratës Konciliare Gravissimum Educationis, dhe do të publikohet një dokument nga Papa Leoni XIV. Më 1 nëntor, Shën Gjon Henri Newman do të shpallet Doktor i Kishës. Kardinali José Tolentino de Mendonça: këto do të jenë ditë lutjeje dhe reflektimi

R.SH. / Vatikan

Kohë hiri, kohë ripërtëritjeje. Një ftesë për të rizbuluar bukurinë dhe përgjegjësinë e arsimit, i cili është gjithmonë një akt shprese. Kremtimet e kryesuara nga Papa Leoni XIV do të hapin dhe do të mbyllin Jubileu i Botës Edukative, i cili do të arrijë kulmin me shpalljen e Shën Gjon Henri Newman Doktor i Kishës.

Një busull për ditët e Jubilare

Jo vetëm për të transmetuar njohuri, por për të kryer një akt shoqërimi dhe dashurie, sepse ata që edukojnë, mbjellin fara në zemra. Këtë do të përjetojnë edukatorët dhe studentët në Fshatin e Arsimit. Kardinali José Tolentino de Mendonça, Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Kulturën dhe Arsimin, e paraqiti Jubileun e botës së Arsimit, duke theksuar tri pika kryesore. E para është se deklarata e Koncilit të Dytë të Vatikanit, Gravissimum Educationis, 60-vjetori i të cilit bie më 28 tetor, do të shërbejë si sfond për këto ditë lutjeje dhe reflektimi. E pikërisht për këtë përvjetor, vuri në dukje kardinali, pritet një dokument nga Papa Leoni XIV, që do të reflektojë mbi rëndësinë e Deklaratës Konciliare të shpallur nga Papa Pali VI më 28 tetor 1965.

Pakti Global mbi Arsimin

Ky Jubile, siç theksoi prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Kulturën dhe Arsimin, do të jetë gjithashtu edhe një mundësi për ta realizuar dhe për ta pasuruar Paktin Global mbi Arsimin, iniciativë e nxitur nga Papa Françesku. Gjatë konferencës, Atë Ezio Lorenzo Bono, përfaqësues i Paktin Global mbi Arsimin, foli mbi këtë temë, duke theksuar se tre objektiva të tjerë do t'u shtohen edhe shtatë, tashmë të përcaktuar: inteligjenca artificiale, paqja e çarmatosur dhe çarmatosëse dhe edukimi në jetën shpirtërore.

Shën Gjon Newman, Doktor i Kishës

"Ati i Shenjtë", deklaroi më pas Kardinali de Mendonça, "ka vendosur ta shoqërojë Jubileun e Arsimit me figurën e një edukatori të jashtëzakonshëm dhe një frymëzuesi të madh të filozofisë së arsimit: Shën Gjon Henri Newman. Ai do të shpallet Doktor i Kishës gjatë kremtimit, më 1 nëntor". Shenjti Newman do të emërohet gjithashtu edhe bashkëmbrojtës qiellor i misionit arsimor të Kishës, së bashku me Shën Tomën Akuini. Duke filluar nga këto ditë Jubileu, qëllimi është "të përurohet një epokë e re, që përfshin konstelacione arsimore me frymë dhe vizion të ri, duke kërkuar të bëhen harta të vërteta shprese në botën e sotme", shpjegoi Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Kulturën dhe Arsimin, që përfundoi me fjalët: "Arsimi është emri i ri për paqen, që vendos shpresën në hartën e së tashmes dhe të ardhmes."

Programi

Ndërmjet shumë ngjarjeve të planifikuara - të detajuara nga Kryeipeshkvi Carlo Maria Polvani, Sekretar i Dikasterit të Vatikanit për Kulturë dhe Arsim - do të ketë edhe disa aktivitete të paraqitura nga Kardinali Peter Turkson, Kancelar i Akademisë Papnore të Shkencave dhe Akademisë Papnore të Shkencave Sociale, i cili foli për Jubileun e Dijes. Ky aktivitet do të mbahet brenda Jubileut të Arsimit dhe do të theksojë temën e ekologjisë. Jubileu i Arsimit do të hapet me një Meshë Shenjte, kryesuar nga Papa Leoni XIV, më 27 tetor. Të nesërmen, do të kremtohet përvjetori i Gravissimum Educationis.

Më 29 tetor, do të përurohet ekspozita "Duke jetuar, duke besuar, duke parë këtë qiell" nga Tommaso Spazzini Villa. Të enjten, më 30 tetor, Papa do të takohet me studentët në Sallën Pali VI, ndërsa konferenca ndërkombëtare me titull "Konstelacionet Arsimore - Një Pakt me të Ardhmen" do të mbahet në Auditorin Conciliazione, në Romë. Më 30 dhe 31 tetor, "Shkolla e Zemrës" do të mbahet në Kishën e Shëm Lorencit në Piscibus, dhe "Konstelacionet e Rrjeteve Arsimore" do të mbahen në Sallën e San Pio X. Më 31 tetor, Papa do të takohet me edukatorët.

Arsimi Katolik në Botë

Një raport i detajuar do të kujtojë gjendjen e arsimit katolik në mbarë botën. Profesoresha Elena Beccalli, Rektore e Universitetit Katolik të Zemrës së Shenjtë në Itali dhe presidente e Federatës së Universiteteve Katolike Evropiane (FUCE), prezantoi raportin gjatë konferencës. Ka shumë aspekte të rëndësishme, përfshirë një kyç: Arsimi katolik është rrjeti më i madh arsimor në botë. Sipas të dhënave nga Zyra Qendrore e Statistikave të Kishës Katolike në Selinë e Shenjtë, ky rrjet përfshin mbi 231,000 shkolla dhe universitete, që veprojnë në 171 vende të botës. Profesoresha Beccalli theksoi se 72 milionë studentë ndjekin shkolla dhe universitete katolike.

23 tetor 2025, 16:41