Kërko

Kardinali Farrell hapi Kongresin II Ndërkombëtar të Kujdesit Pastoral për të Moshuarit Kardinali Farrell hapi Kongresin II Ndërkombëtar të Kujdesit Pastoral për të Moshuarit

Kard. Farrell: të moshuarit janë mundësi, jo "një emergjencë për t'u menaxhuar"

Në hapjen e Kongresit të II Ndërkombëtar të baritorisë së të Moshuarve që po mbahet në Kurien e Jezuitëve, në Romë, kardinali prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën fton të lexohet jetëgjatësia si një dhuratë e Zotit dhe një vlerë që kërkon "përgjigje baritore të përshtatshme".

R. SH. – Vatikan

Zgjatja e jetës është një nga shenjat e "ndryshimit të epokës" në zhvillim. Nga njëra anë, rritja e popullsisë së moshuar perceptohet si një "emergjencë për t'u menaxhuar", një barrë për shoqërinë. Nga ana tjetër, Kisha fton të njihet në jetëgjatësi një "dhuratë" e Zotit, që kërkon "përgjigje baritore të përshtatshme" të afta për të vlerësuar kontributin e të moshuarve. Me këto fjalë kardinali Kevin Joseph Farrell, prefekt i Dikasterit të Vatikanitpër Laikët, Familjen dhe Jetën, hapi sot, më 2 tetor, Kongresin e II Ndërkombëtar të Baritorisë së të Moshuarve, që po mbahet në Kurien e Jezuitëve, në Romë.

"Pasuria e viteve"

Kardinali Farrell kujtoi intuitën e zhvilluar pesë vjet më parë me kongresin e parë, me titull ‘Pasuria e viteve’, e cila u tregua një përgjigje konkrete ndaj "një nevoje reale dhe në rritje" të komunitetit kishtar: zhvillimin e një veprimtarie baritore të dedikuar moshës së tretë.

"Prekja me dorë"

Puna e operatorëve të sektorit është "thelbësore", theksoi kard. Farrell, sepse për të përgatitur ndërhyrje adekuate është e nevojshme "të prekësh me dorë" përditshmërinë e të moshuarve: gëzimet, shpresat, por edhe vështirësitë. Vetëm kështu mund të lindë një veprimtari baritore "e rrënjosur në dëgjim", e aftë për të njohur "kontributin unik" të moshës së tretë, duke shmangur iniciativat "që vijnë nga lart".

Vëmendja e Papa Françeskut

Kardinali Farrell kujtoi vëmendjen e vazhdueshme që Papa Françesku i ka kushtuar të moshuarve: nga audiencat e dedikuara atyre te cikli i katekezave mbi pleqërinë — "i pasur me urtësi njerëzore dhe shpirtërore" — deri te themelimi i Ditës Botërore të Gjyshërve e të Moshuarve dhe mesazhet e shpërndara me këtë rast.

"Roli krijues" i moshës së tretë

Megjithatë, vëmendja ndaj moshës së tretë nuk është e re. Edhe Shën Gjon Pali II, gjatë Udhëtimit Apostolik në Spanjë në vitin 1982, pati shpresuar për një veprimtari baritore të aftë për të vlerësuar "rolin krijues" të të moshuarve. Një intuitë e zhvilluar nga Këshilli Papnor për Laikët me dokumentin Dinjiteti i të moshuarit dhe misioni i tij në Kishë dhe në botë (1998) dhe nga vetë Papa me Letrën "prekëse" drejtuar të moshuarve (1999). Benedikti XVI vazhdoi në këtë linjë, duke vizituar në vitin 2012 shtëpinë familjare Rroftë të Moshuarit dhe duke ofruar një reflektim ende aktual: "Cilësia e një shoqërie gjykohet edhe nga mënyra se si trajtohen të moshuarit. Kush u bën vend të moshuarve, i bën vend jetës".

"Të moshuarit janë e ardhmja"

Reflektimi kishtar mbi baritorinë e moshës së tretë i ka rrënjët në Koncilin e Dytë të Vatikanit, kur Kisha u njoh si "Popull i Zotit në udhëtim", duke riafirmuar dinjitetin pagëzues të të gjithë besimtarëve dhe bashkëpërgjegjësinë e tyre në mision. Nga ky vizion lind njohja e rolit aktiv të të moshuarve në jetën kishtare. Në vazhdën e Kushtetutave të Koncilit të Dytë të Vatikanit Lumen Gentium dhe Gaudium et Spes, Dikasteri i Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën ka rinovuar angazhimin ndaj kësaj faze të jetës. Papa Françesku e pati theksuar tashmë në kongresin e parë: "Të moshuarit janë e ardhmja e Kishës, jo vetëm e kaluara e saj: përvoja e tyre, besimi i rrënjosur dhe urtësia janë një thesar i paçmueshëm për të gjithë Popullin e Zotit në udhëtim".

Një "jetëgjatësi e përhapur"

Realiteti social, megjithatë, është në transformim të shpejtë: për herë të parë në histori, regjistrohet një "jetëgjatësi e përhapur". Një tranzicion demografik që sheh të moshuarit të përbëjnë një "pjesë të madhe dhe në rritje" të shoqërisë. Të dhënat e raportuara nga kardinali Farrell e konfirmojnë këtë: në Evropë më shumë se një e pesta e popullsisë ka kaluar moshën 65 vjeç; në vende si Japonia, Italia dhe Gjermania kjo kategori përfaqëson tashmë një të katërtën e qytetarëve. Shkaqet e fenomenit janë të shumta: nga njëra anë "mirëqenia e përhapur", nga ana tjetër shpopullimi i zonave të brendshme, migrimet, krizat ekonomike dhe politike që detyrojnë të rinjtë të largohen nga territoret. Edhe në Afrikë, kontinent tradicionalisht i karakterizuar nga një moshë mesatare e ulët, të moshuarit po bëhen një prani e qëndrueshme dhe domethënëse.

Mundësitë e zgjatjes së jetës

Koncili ftonte për t’i "lexuar shenjat e kohës në dritën e Ungjillit". Në këtë perspektivë, "zgjatja aktuale e jetës" duhet të pranohet si hir, si "një mundësi e re". Më shumë vite për të jetuar, të lexuara në dritën e besimit, nënkuptojnë më shumë kohë për t'u hapur "me entuziazëm" ndaj shpalljes së Ungjillit, duke pasuruar të gjithë komunitetin.

Veprimtari baritore sinodale dhe jo "të parapërgatitura" Famullitë kishtare, përfundoi prefekti Farrell, tashmë karakterizohen nga prania aktive e moshës së tretë. Pensioni nuk është më sinonim i pasivitetit, por shpesh kohë e pasur me angazhime dhe pasione. Për këtë arsye nevojitet një veprimtari baritore që di të shoqërojë dhe vlerësojë këto energji, duke shmangur "recetat e parapërgatitura" dhe duke promovuar në vend të kësaj rrugë të përbashkëta, "në një frymë autentikisht sinodale".

02 tetor 2025, 13:16