Kërko

Kardinali George Jacob Koovakad në Samitin Ndërkombëtar të Liderëve Fetarë në Kuala Lumpur, Malajzi (28 gusht 2025) Kardinali George Jacob Koovakad në Samitin Ndërkombëtar të Liderëve Fetarë në Kuala Lumpur, Malajzi (28 gusht 2025)

Kard. Koovakad: dialogu si një shtegtim për të ndërtuar ura

Kardinali Koovakad, prefekt i Dikasterit tò Vatikanit për Dialogun Ndërfetar foli të shtunën e kaluar në një kremtim të veçantë të Vitit Jubilar 2025, organizuar nga Kryedioqeza e Bombeit: "Fetë kanë një rol të rëndësishëm në ndërtimin e urave midis njerëzve të besimeve, kulturave dhe trashëgimive të ndryshme"

R.SH. - Vatikan

Rruga e dialogut, jo vetëm ndërfetar, është si një shtegtim, si një thirth-yatra indiane. Ne e bëjmë atë «pavarësisht nga tradita fetare së cilës i përkasim» dhe përfshin «dinamika dhe qëllime të ngjashme shpirtërore». Kërkohet pastrimi i brendshëm, takimi me Zotin: «Gjatë shtegtimit ekziston dëshira për të bashkëndarë përvojat e thella të besimit dhe, në këtë bashkëndarje reciproke, zbulohet një përkatësi që gjeneron ngushëllim, guxim dhe motivim për të vazhduar jetën me një shpresë të ripërtërirë». Këtë krahasime i përdori kardinali George Jacob Koovakad, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Dialogun Ndërfetar, i cili – duke folur të shtunën e kaluar në kremtimin ndërfetar të Vitit Jubilar 2025 me titull “Shtegtarë të Shpresës. Fetë që udhëtojnë për Paqe”, organizuar nga Kryedioqeza e Bombeit – theksoi rëndësinë e takimit, bashkëndarjes, ecjes së bashku si baza për zhvillimin e një dialogu të pjekur.

Dokumenti Koncilit të Dytë të Vatikanit Nostra aetate

Kremtimi ishte gjithashtu edhe një rast për të kujtuar gjashtëdhjetë vjetorin (28 tetor) e deklaratës së Koncilit të Dytë të Vatikanit Nostra aetate mbi marrëdhëniet e Kishës katolike me fetë jo-kristiane, e cila «hodhi themelet për lulëzimin e dialogut [...] midis njerëzve të feve të ndryshme në mbarë botën», parimet e së cilës «na kanë bashkuar dhe na kanë mundësuar të punojmë në frymën e vëllazërisë, miqësisë, unitetit dhe solidaritetit për të mirën e njerëzimit». Kardinali indian Koovakad, duke u kthyer te tema e shtegtimit, përmendi shtegtimin – vizita e parë e një pape në Indi – e kryer në dhjetor 1964 nga Papa Pali VI pikërisht në Bombei (Mumbai) gjatë së cilës ai pohoi se të gjithë jemi «shtegtarë që nisen për të gjetur Zotin [...] në zemrat njerëzore. Njeriu duhet të takojë njeriun [...] si vëllezër e motra, si bijë të Zotit. Në këtë mirëkuptim dhe miqësi reciproke, në këtë bashkësi të shenjtë, duhet të fillojmë të punojmë së bashku për të ndërtuar të ardhmen e përbashkët të njerëzimit».

Ndërtimi i urave midis feve

Kardinali Koovakad, duke iu kthyer temës së takimit ndërfetar në Mumbai, vuri në dukje se fetë «na mësojnë të tregojmë dashuri, dhembshuri, falje dhe mëshirë ndaj njëri-tjetrit. Dhe Papa Leoni XIV ka ripohuar se “feja, në thelbin e saj më autentik, nuk është burim konflikti, por burim shërimi dhe pajtimi”. Me burimet e tyre shpirtërore dhe morale, të cilave u referohet dokumenti Nostra aetate, fetë kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur në ndërtimin e urave midis njerëzve të besimeve, kulturave dhe trashëgimive të ndryshme. Në veçanti, ato janë të thirrura të mbjellin fara shprese [...], të promovojnë paqen përmes drejtësisë, vëllazërisë, çarmatimit dhe kujdesit për krijimin. Dialogu dhe bashkëpunimi ndërfetar luajnë një rol unik në ndërtimin e vëllazërisë dhe miqësisë sociale midis popujve, në promovimin e veprimit të përbashkët për harmoni dhe në forcimin e angazhimit të njerëzve për kauzën e paqes», tha prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Dialogun Ndërfetar.

Të bëhemi shtegtarë të shpresës

Për të gjitha këto ka një nevojë urgjente në kontekstin global të sotëm ku «ndihet një ndjenjë në rritje cinizmi dhe dorëzimi në ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët për njerëzimin, një ndjenjë disfate për shkak të pasigurive të zakonshme që rrjedhin nga një intolerancë e përhapur, nga diskriminimi, indiferenca, padrejtësia, korrupsione, nepotizmi, papunësia dhe dhuna e kryer, ndonjëherë, edhe në emër të Zotit dhe fesë». Takimi i organizuar në Mumbai, përfundoi kardinali Koovakad, «na nxit të bëhemi, siç na ka thirrur Papa Françesku, “shtegtarë të shpresës”, për t'ua sjellë atë atyre që e kanë humbur, veçanërisht të varfërve, të vuajturve, të margjinalizuarve, të diskriminuarve, të persekutuarve dhe më të cenueshmëve të shoqërisë».

06 tetor 2025, 15:17