Kard. Parolin: kënaqësi për marrëveshjen për Gazën, tani duhet vullnet i mirë
R.SH. – Vatikan
Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin shpreh "kënaqësi të përgjithshme" për marrëveshjen e paqes midis Hamasit dhe Izraelit të nënshkruar në Egjipt, me ndërmjetësimin e SHBA-së. Kardinali ishte dje pasdite në Universitetin Papnor Urbaniana për prezantimin e Akteve të Konferencës Ndërkombëtare me temë 100 vjet nga Concilium Sinense (Sinodi i parë dhe i vetëm i Kishës në Kinë): midis historisë dhe së tashmes. Por para se të hyjë në Aulën Magnanë Urbaniana, e mbushur me studentë dhe pedagogë, kard. Parolin ndalet për t'iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve mbi çështjet aktuale. Marrëveshja e armëpushimit në Gaza, para së gjithash. "Një hap përpara", e përkufizon Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë; një hap përpara për "zgjidhjen e konfliktit në Gaza". "Edhe ne – thotë ai – bashkohemi me këtë kënaqësi dhe shprehim urimin se ky do të jetë hapi i parë i një rruge drejt një paqeje të qëndrueshme dhe përfundimtare".
Deklarata e Ambasadës së Izraelit për intervistën në mediat e Vatikanit
Kardinalit Parolin iu bë edhe një pyetje në lidhje me deklaratën e lëshuar javën e kaluar nga Ambasada e Izraelit pranë Selisë së Shenjtë kundër intervistës së tij dhënë për mediat e Vatikanit me rastin e 7 tetorit. Për këtë çështje ishte shprehur tashmë Papa Leoni XIV me mediat jashtë rezidencës së Castel Gandolfo: "Kardinali ka shprehur shumë mirë mendimin e Selisë së Shenjtë në këtë kuptim", pati thënë Leoni XIV.
Sot kard. Parolin shton se intervista e publikuar në Vatican News dhe L'Osservatore Romano "donte të shprehte praninë dhe pjesëmarrjen e Selisë së Shenjtë në atë që kishte ndodhur më 7 tetor, sepse ishim në përvjetor të ngjarjes, duke pasur parasysh se tashmë ishin duke u zhvilluar negociatat në Sharm El Sheikh në Egjipt". "Mbi të gjitha" intervista "donte të ishte një ftesë për paqe": "Unë nuk besoj se ka një ekuivalencë morale midis njërës dhe tjetrës situatë. Aty ku ka dhunë, gjithmonë duhet dënuar", thekson kardinali Parolin. Pra, ajo që donte të shprehej me ato deklarata është "dëshira për paqe"; dëshira "për t'i dhënë fund kësaj dhune dhe për të nisur një rrugë dhe një proces pajtimi e paqeje".
Dhe kjo dëshirë duket se po konkretizohet me Marrëveshjen në Sharm El Sheikh. Megjithatë, tani bëhet fjalë për ta realizuar atë. "Mendoj se është pjesa më e vështirë – përfundon kardinali Parolin – sepse natyrisht ka edhe shumë pika. Siç thonë, djalli fshihet në detaje. Dhe kështu ka shumë pika që kërkojnë të zbatohen dhe ndoshta për të cilat nuk ka përputhje të përsosur midis dy palëve". Ajo që tani nevojitet është "vullneti i mirë", thotë kard. Parolin, duke përshëndetur faktin se sidoqoftë është arritur ky rezultat: "Shpresojmë që të mund të vazhdojmë në këtë drejtim".
Përpara në dialogun me Kinën
Në bisedën e shkurtër të Sekretarit të Shtetit të Vatikanit me gazetarët nuk mungon referimi për Kinën, në dritën e temës së konferencës në Universitetin Urbaniana, dhe sidomos për Marrëveshjen me Selinë e Shenjtë për emërimin e ipeshkvijve të nënshkruar në vitin 2017 dhe të rinovuar tashmë dy herë. A do të vazhdohet në këtë rrugë? "Marrëveshja eksperimentale vazhdon të ecë përpara, ne e konsiderojmë gjithmonë një gjë pozitive, në kuptimin që i ka mundësuar Selisë së Shenjtë dhe Kinës të gjejnë një konsensus minimal mbi çështjen themelore për emërimin e ipeshkvijve", shpjegon kardinali Parolin. Sigurisht, "nuk mungojnë vështirësitë" por duhet t'i përballojmë "me shumë durim dhe shumë besim". Aktualisht "ka ende grupe që deklarohen klandestine, por Marrëveshja ishte pikërisht e destinuar të kapërcente këtë situatë ndarjeje dhe të çonte drejt normalizimit të Kishës". Që nga fillimi i papnisë së Leonit XIV, thekson përsëri kardinali, janë bërë disa "hapa": "Imagjinoj se Papa do të vazhdojë këtë linjë", siguron ai. Pra, linja për të dëshmuar se mund të "jesh katolik i mirë dhe të jesh kinez i mirë", siç përsëriste shpesh Papa Françesku. "Kjo vlen për të gjitha vendet", thekson kardinali Parolin. "Të qenit katolik i mirë nuk bie aspak në kundërshtim me besnikërinë ndaj atdheut dhe bashkëpunimin për ndërtimin e tij dhe për mirëqenien e gjithë shoqërisë".
Nobeli për Machadon, udhë për të rigjetur demokracinë
E pashmangshme ishte kërkesa drejtuar atij që e njeh mirë Venezuelën, duke qenë nunc apostolik nga viti 2009 deri në vitin 2013, për një koment mbi Maria Corina Machadon, aktivisten venezuelase të shpërblyer me Çmimin Nobel për Paqe. "Unë shpresoj që ky vendim i marrë ndaj Maria Corina-s të mund ta ndihmojë vërtet vendin", përfundon kardinali Parolin. Ky është urimi i tij: "Që të mund ta ndihmojë vendin të rigjejë qetësinë, të rigjejë rrugën e demokracisë dhe të bashkëpunimit mes të gjitha palëve politike".