Kard.Parolin për 7 tetorin dhe Gazën: "E papranueshme t'i reduktosh njerëzit në viktima kolaterale"
R.SH. / Vatikan
Andrea Tornielli – Roberto Paglialonga
Kanë kaluar dy vjet nga ajo ditë e tmerrshme, nga sulmi terrorist i kryer nga Hamasi kundër Izraelit dhe nga fillimi i asaj, që është kthyer në një luftë të vërtetë, e cila e ka rrafshuar Rripin e Gazës. Kujtojmë ato ngjarje dhe ç’ndodhi më pas me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin.
Hirësi, po hyjmë në vitin e tretë pas sulmit tragjik të 7 tetorit. Si e kujtoni atë moment dhe çfarë domethënie pati, sipas jush, për Shtetin e Izraelit dhe për bashkësitë hebraike në botë?
Përsëris atë që kam pasur rastin të them në ato ditë: sulmi terrorist i kryer nga Hamasi dhe milicitë e tjera kundër mijëra izraelitëve dhe migrantëve e banorëve, shumë prej të cilëve civilë, të cilët po përgatiteshin të festonin ditën e Simchat Torah, në përfundim të javës së festës së Sukkot, ishte çnjerëzor dhe është i pajustifikueshëm. Dhuna brutale e kryer kundër fëmijëve, grave, të rinjve, të moshuarve, nuk mund të ketë asnjë justifikim. Ishte një masakër e padenjë dhe – e përsëris – çnjerëzore. Selia e Shenjtë menjëherë e shprehu dënimin e saj të plotë dhe të prerë, duke kërkuar lirimin e pengjeve dhe duke shprehur afërsinë me familjet e prekura gjatë sulmit terrorist. Jemi lutur dhe vazhdojmë ta bëjmë këtë akoma, ashtu siç vazhdojmë të kërkojmë t'i jepet fund kësaj spiraleje perverse të urrejtjes dhe dhunës, që rrezikon të na tërheqë në një humnerë pa kthim.
Çfarë dëshironi t'u thoni familjeve të pengjeve izraelite, ende në duart e Hamasit?
Fatkeqësisht kanë kaluar tashmë dy vjet, disa prej tyre kanë vdekur, të tjerë janë liruar pas negociatash të gjata. Më prekin thellësisht e më pikëllojnë imazhet e këtyre njerëzve të mbajtur robër në tunele dhe në uri. Nuk mundemi dhe nuk duhet t'i harrojmë ata. Kujtoj se Papa Françesku, gjatë 18 muajve të fundit të jetës së tij bëri 21 thirrje publike, duke kërkuar lirimin e pengjeve dhe takoi disa nga familjet e tyre. Pasardhësi i tij, Papa Leoni XIV, ka vazhduar t'i bëjë këto thirrje. U shpreh atyre gjithë afërsinë time, në lutjen e përditshme për vuajtjet e tyre, duke vazhduar të siguroj gjithë gatishmërinë tonë për të bërë ç’është e mundur që të përqafojnë të dashurit e tyre, ose të paktën që këta të rimarrin trupat e të vdekurve, që të varrosen me dinjitet.
Në përkujtimin e përvjetorit të parë të sulmit të 7 tetorit, Papa Françesku fliste për "paaftësinë e turpshme të bashkësisë ndërkombëtare dhe të vendeve më të fuqishme për t’i bërë armët të heshtin dhe për t'i dhënë fund tragjedisë së luftës". Çfarë duhet bërë për paqen?
Sot, situata në Gaza është edhe më e rëndë e më tragjike se një vit më parë, pas një lufte shkatërruese, që ka marrë dhjetëra mijëra jetë. Duhet të rikthehet arsyeja, të braktiset logjika e verbër e urrejtjes dhe e hakmarrjes, të refuzohet dhuna si zgjidhje. Është e drejtë e atij, që sulmohet, të mbrohet, por edhe mbrojtja legjitime duhet të respektojë parametrin e proporcionalitetit. Fatkeqësisht, lufta që ka shpërthyer ka pasur pasoja katastrofike dhe çnjerëzore... Më prek dhe më pikëllon numërimi ditor i të vdekurve në Palestinë, me dhjetëra, madje, ndonjëherë, me qindra në ditë, shumë fëmijë, faji i vetëm i të cilëve është se kanë lindur në atë vend: ka rrezik të mësohemi me këtë masakër! Njerëz të vrarë, ndërsa përpiqeshin të merrnin një copë bukë, njerëz që kanë mbetur të varrosur nën rrënojat e shtëpive, njerëz të bombarduar në spitale, në tenda, të zhvendosur të detyruar të lëvizin nga njëra anë në tjetrën të atij territori të ngushtë dhe të mbipopulluar... Është e papranueshme dhe e pajustifikueshme t’i reduktosh njerëzit në "viktima anësore".
Si mund t'i gjykojmë episodet e antisemitizmit, që janë rritur ndjeshëm në pjesë të ndryshme të botës gjatë muajve të fundit?
Ato janë pasojë e trishtë dhe po aq e pajustifikuar: jetojmë me fake news, me thjeshtimin e realitetit. Dhe kjo i bën ata, që ushqehen me këto gjëra, t'u atribuojnë gjithë hebrenjve përgjegjësinë për ç’po ndodh sot në Gaza. E dimë që nuk është kështu: ka edhe shumë zëra të fortë disidentësh, që ngrihen nga bota hebraike kundër mënyrës se si qeveria aktuale izraelite ka vepruar dhe po vepron në Gaza dhe në pjesën tjetër të Palestinës, ku – të mos harrojmë – ekspansionizmi shpesh i dhunshëm i kolonëve izraelitë synon ta bëjë të pamundur lindjen e një Shteti Palestinez. Shohim dëshminë publike të familjarëve të pengjeve. Antisemitizmi është një kancer, që duhet luftuar dhe çrrënjosur: ka nevojë për burra dhe gra vullnetmirë, edukatorë që ndihmojnë kuptimin e shoshitjen e ngjarjeve... Nuk mund të harrojmë ç’ndodhi në zemër të Evropës me Holokaustin, duhet të angazhohemi me të gjitha forcat që kjo e keqe të mos e ngrejë kokën sërish. Në të njëjtën kohë, duhet të sigurohemi që aktet çnjerëzore dhe shkelja e së drejtës humanitare të mos justifikohen kurrë: asnjë hebre nuk duhet të sulmohet apo diskriminohet si hebre, asnjë palestinez, thjesht për faktin se është i tillë, nuk duhet të sulmohet apo diskriminohet, sepse – siç dëgjohet fatkeqësisht të thuhet – është "terrorist potencial". Zinxhiri pervers i urrejtjes është i destinuar të krijojë një spirale, që nuk mund të sjellë asgjë të mirë. Është për të ardhur keq kur sheh se nuk arrijmë të mësojmë nga historia, edhe nga ajo e kohëve të fundit, e cila mbetet mësuese e jetës.
Çfarë mund të bëjë pra bashkësia ndërkombëtare?
Sigurisht që mund të bëjë shumë më tepër sesa po bën. Nuk mjafton të thuash se ç’po ndodh është e papranueshme dhe pastaj, ta lejosh të ndodhë. Për shembull, duhet të bëhen pyetje serioze mbi ligjshmërinë e vazhdimit të furnizimit me armë, të cilat përdoren në dëm të popullsisë civile. Fatkeqësisht, siç e kemi parë, deri tani Kombet e Bashkuara nuk kanë qenë në gjendje të ndalojnë ç’po ndodh. Por ka protagonistë ndërkombëtarë, që do të mund të ndikonin më shumë për t'i dhënë fund kësaj tragjedie dhe duhet gjetur një mënyrë për t'u dhënë Kombeve të Bashkuara një rol më të frytshëm në ndalimin e luftërave të shumta vëllavrasëse, që po zhvillohen në botë.