Kërko

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin

Kard. Parolin: nevojitet kontributi i të gjithëve për paqen në Ukrainë

Sekretari i Shtetit të Vatikanit ndërhyn gjatë një eventi pranë spitalit ‘Bambino Gesù’. Ai shpreson në përfshirjen e Shteteve të Bashkuara dhe një "rol më të madh" të Evropës në përpjekjet për t'i dhënë fund konfliktit ukrainas, duke theksuar se edhe Kina ka "një fjalë për të thënë" në favor të paqes. Duke iu referuar takimit të djeshëm me kryeministrin hungarez Viktor Orbán, kard. Parolin flet për një "konfrontim të mirë" dhe shpjegon se po kërkohet të afrohen "gjithnjë e më shumë" pozicionet

R.SH. / Vatikan

"Vërtet nevojitet kontributi i të gjithëve për të bërë disa hapa drejt paqes" në Ukrainë. Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, te një Evropë e thirrur për një rol "më të madh", deri te Kina dhe Lindja, ku këto ditë është i pranishëm pikërisht presidenti amerikan Donald Trump. Një thirrje drejtuar komunitetit ndërkombëtar në tërësi për t'i dhënë fund konflikteve, e bëri sot paradite, më 28 tetor, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, i cili mori pjesë në një event në Spitalin Pediatrik ‘Bambino Gesù’, me rastin e kremtimeve për dyzetvjetorin e njohjes si Institut i Kërkimit dhe Kujdesit me Karakter Shkencor.

Angazhimi humanitar

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve me rastin e eventit, kardinali Parolin e përshkroi strukturën e spitalit pediatrik romak ‘Bambino Gesù’ si "një ekselencë" të shëndetësisë katolike dhe italiane. "Ky është një moment i rëndësishëm – tha Parolin – për të theksuar praninë dhe rolin që zë spitali ‘Bambino Gesù’ brenda shëndetësisë, si katolike ashtu edhe italiane". Dhe kujtoi veprën humanitare të spitalit, i cili ka pritur fëmijë jo vetëm nga Palestina, por edhe nga vende të tjera në situata konflikti. "Bambino Gesù po bën një vepër të madhe humanitare", pohoi kardinali. "Ne jemi të angazhuar në këtë drejtim, duke menduar se edhe përpjekja humanitare, si në kujdesin për viktimat e luftës ashtu edhe në shkëmbimet e të burgosurve, mund të jetë një rrugë paraprake drejt paqes". Kard. Parolin shtoi se Selia e Shenjtë ndihet "thellësisht e angazhuar" në këtë fushë, "që është një fushë tradicionale në të cilën diplomacia e Vatikanit vepron që nga Lufta e Parë Botërore".

Përpjekje kolektive për t'i dhënë fund konflikteve

Për luftën në Ukrainë, Sekretari i Shtetit të Vatikanit bëri thirrje për kujdes e maturi, por edhe për shpresë: "Nuk është e lehtë të përgjigjesh" se cilat hapa nevojiten për një armëpushim: "Sikur ta dija, do t'i kishim zbatuar tashmë. Besoj se disa negociata janë në zhvillim, ndoshta jo publike". Duke ripohuar shpresën se këto bisedime do të japin fryte, kardinali Parolin theksoi më pas nevojën për një angazhim të gjerë të komunitetit ndërkombëtar: "Nevojitet përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sigurisht, dhe shpresojmë që Evropa të marrë një rol më të madh. Edhe Kina ka një fjalë për të thënë, në fakt presidenti Trump është aktualisht në Kinë dhe në Lindjen e Largët për të prekur këtë pikë. Vërtet nevojitet kontributi i të gjithëve për të bërë disa hapa drejt paqes".

Takimi me Orbán

I pyetur së fundi për audiencën e djeshme, më 27 tetor, të kryeministrit hungarez Viktor Orbán, kardinali Parolin e përshkroi bisedën si "një takim të mirë", duke shpjeguar se "secili ka mundur të shprehë pikëpamjen e tij". Dhe në pyetjen nëse pozicionet janë "të largëta", ai u përgjigj: "Ne përpiqemi t'i afrojmë gjithnjë e më shumë".

28 tetor 2025, 13:17