Kërko

Varri i Shën Carlo Acutis në kishën e Zojës së Madhe - shenjtërorja e Zhveshjes së shën Françeskut, Asizi Varri i Shën Carlo Acutis në kishën e Zojës së Madhe - shenjtërorja e Zhveshjes së shën Françeskut, Asizi

Kardinali Parolin: "Shën Carlo Acutis, perlë për Asizin dhe dhuratë për Kishën"

Sekretari i Shtetit të Vatikanit kremtoi përkujtimin e parë liturgjik të shenjtorit të ri, kanonizuar nga Papa më 7 shtator, në kishën e Zojës së Madhe - shenjtërorja e Zhveshjes së shën Françeskut nga pasuritë e kësaj bote. Kardinali u lut para varrit dhe u takua me prindërit e tij: "Carlo na mëson të gëzohemi me Zotin"

R.SH. – Vatikan

“Carlo është perlë e re e këtij qyteti shenjtorësh dhe dhuratë e madhe për Kishën: dëshmia e tij dhëntë shumë fryte shenjtërie ndërmjet të rinjve.” Kështu pohoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, sot paradite, 12 tetor, në homelinë e mbajtur në përkujtimin e parë liturgjik të Shën Carlo Acutis. Të pranishëm, autoritete civile, ushtarake dhe fetare, prindërit e Carlo Acutis, Antonia Salzano dhe Andrea Acutis, si edhe qindra shtegtarë e besimtarë. Mesha u kremtua në kishën e Zojës së Madhe - shenjtërorja e Zhveshjes së shën Françeskut nga pasuritë e kësaj bote, në Asizi të Italisë.

Shembulli i Carlo-s

"Fjala e Zotit e saposhpallur, gati e fotografon Carlo-n dhe përshpirtërinë e tij. Nga ana tjetër, ai vetë na ndihmon ta kuptojmë atë përmes shembullit të jetës", pohoi kardinali, duke cituar Leximin e dytë në të cilin Shën Pali apostull u drejtohet besimtarëve të Filipisë, bashkësisë që themeloi vetë dhe qytetit të parë evropian, që u ungjillëzua. Në fragmentin që u lexua, zgjedhur posaçërisht për përkujtimin liturgjik të Shën Carlo Acutis, ka vërtet "një ftesë për gëzim":

"E gjithë shpallja e Ungjillit është në funksion të gëzimit: Biri i Hyjit zbriti nga qielli dhe erdhi për të na bërë të lumtur - pohoi kardinali. - E kush më mirë se Carlo mund ta shpjegojë këtë? Nëna e tij, Antonia, shpesh ka thënë se i mungon më shumë humori i tij i mirë, me të cilin i bënte njerëzit të qeshnin dhe të buzëqeshnin. Tani shumë preken nga buzëqeshja kur e shikojnë figurën e tij: Carlo flet për Jezusin para së gjithash me fytyrën e tij rrezatuese, të ndritshme dhe të qeshur, duke na dëshmuar se e jetoi ftesën e Shën Palit: 'gëzohuni gjithmonë në Zotin'. E nëse krishterimi është mesazh shpëtimi dhe Jezusi shpëtimtari ynë, si mund të mos gëzohemi? Të krishterët e trishtuar, që ankohen, nuk janë dëshmitarë të mirë të Ungjillit. E nëse është e vërtetë që jeta ka vuajtje - mendoni vetëm për luftërat e tmerrshme, që zhvillohen me kaq shumë gjakderdhje - kjo na imponon të jetojmë një tjetër mësim të Palit: gëzohuni me ata që gëzohen, qani me ata që qajnë. Por ky i fundit është vajtim bashkëndarjeje dhe dashurie, i cili, edhe pse e lag me lot gëzimin, nuk e shuan paqen dhe shpresën”.

Mesazh për të rinjtë

Kardinali Parolin kujtoi se Carlo ishte i ri si gjithë të tjerët, por e kishte kuptuar se Jezu Krishti nuk i heq asgjë rinisë e gjërave të bukura në jetë. Çdo gjë vjen nga Zoti dhe është e mirë në vetvete; ajo që i bën gjërat të këqija është mëkati. Carlo, vërejti Sekretari i Shtetit të Vatikanit, është mjeshtër i bukurisë dhe i mirësisë, sepse ai i përdori gjërat e botës me zemër të pastër, duke e vënë Jezusin në qendër të jetës. Ky ishte edhe sekreti i origjinalitetit të tij.

"Për t'u mbushur me Jezusin - vazhdoi prelati - Carlo e kuptoi se e kemi atë krejt afër dhe, falë pranisë eukaristike, nuk kemi pse ta kërkojmë diku tjetër nëpër botë. Carlo thoshte se ka një rrugë, ose më saktë një autostradë, që është e veçantë, pa taksa, bllokime trafiku dhe aksidente: kjo autostradë është Eukaristia”.

Fryte shenjtërie

Carlo Acutis u shpall shenjt më 7 shtator nga Papa Leoni XIV, së bashku me italianin tjetër të ri, Pier Giorgio Frassati. Eshtrat e tij mortore ruhen pikërisht në kishën, ku u kremtua mesha e sotme për atë që të gjithë e quajnë “Influencer i Zotit”, siç përmendi kardinali Parolin. “Ai i flet botës dhe na kujton se të gjithë jemi të thirrur të bëhemi shenjtorë. Me thjeshtësinë e jetës së tij na shpjegon se shenjtëria është e mundur në çdo moshë dhe në çdo gjendje të jetës. Carlo - përfundoi kardinali - është perlë e re e këtij qyteti shenjtorësh dhe dhuratë e madhe për Kishën: dëshmia e tij dhëntë shumë fryte shenjtërie ndërmjet të rinjve".

12 tetor 2025, 16:01