Vetitë dalluese dhe përshpirtëria e shtatë të Lumve, që Papa do t'i shpallë shenjtorë të dielën
R.SH. / Vatikan
Shtatë "drita të buta" të reja do të ndizen për të ndriçuar rrugën e Kishës. Të dielën, më 19 tetor, në Kapelën Papnore të Bazilikës së Shën Pjetrit, Papa Leoni XIV do të shpallë shtatë shenjtorë të rinj të cilët, siç i pëlqente të përsëriste Papës Françesku, do të ndriçojnë "errësirën e botës". Janë të Lumturit Bartolo Longo, Ignazio Choukrallah Maloyan, José Gregorio Hernández Cisneros, Maria del Monte Carmelo Rendiles Martínez, Peter To Rot, Maria Troncatti dhe Vincenza Maria Poloni. Karizmat dhe përshpirtëria e tyre u paraqit këtë mëngjes, 17 tetor, nga postulatorët e tyre në Zyrën e Shtypit të Vatikanit.
Bartolo Longo, angazhim për të varfrit, me Rruzaren në dorë
I Lumi Bartolo Longo (1841-1926) do të jetë në gjendje të ndezë një dritë për të gjithë ata që nuk besojnë. "Ai u rrit në besim" shpjegon postulatori, Atë Antonio Marrazzo, C.SS.R., "pastaj shkoi në Napoli për të përfunduar studimet për drejtësi dhe iu kushtua diçkaje krejtësisht të ndryshme, duke përfshirë sektet satanike. Por një nga mësuesit e tij i tha një ditë: 'Ky nuk je ti. Nuk është kjo e vërteta për ty. Ajo që kërkon, mundimi i shpirtit tëndnuk duhet të gjendet në atë që po përjeton tani". Duke u nisur më në fund në udhëtimin e tij të fesë, i Lumi Longo e kuptoi se "mënyra më e mirë për të arritur tek Zoti, është Rruzarja për Zojën tonë".
Fakti që ai ishte laik dhe jo prift e afroi me shumë besimtarë. "I shoqëruar nga prania e Zojës dhe përkushtimi ndaj Rruzares, lutjes kristologjike", jo vetëm krijoi Shenjtoren e Pompeit, por ndërtoi vetë qytetin e Pompeit. Për të ndërtuar kishën, i transformoi fermerët vendas në muratorë, të cilëve u siguroi edhe strehim. Kështu u themeluan spitalet, farmacitë dhe shkollat. U kujdes edhe për fëmijët e të burgosurve dhe të braktisurve". Faltorja e Pompeit ishte kështu fara nga e cila lulëzuan shumë organizata shoqërore për të varfrit. " Nga i Lumi Bartolo kuptojmë se nuk mund të kesh marrëdhënie me Zotin pa qenë në harmoni me njerëzit e tjerë," përfundon Ati Marrazzo.
Dashuria e të Lumit Maloyan për Eukaristinë
"Nëse të rinjtë janë dashuruar me Shën Carlo Acutis, i cili shpesh përsëriste se Eukaristia ishte autostrada drejt Parajsës, atëherë ata do ta duan edhe të Lumin Maloyan, i cili para se të martirizohej, bekoi një copë bukë dhe e ndau me 600 shokët e tij në martirizim: Eukaristia ishte padyshim ushqimi i fesë së tij", reflekton Atë Carlo Calloni, OFM, postulator i çeshtjes për kanonizimin e Kryeipeshkvit të Mardinit të Armenëve, shpallur "martir i fesë" nga Papa Gjon Pali II, më 7 tetor 2001.
Maloyan (1869-1915), ipeshkëv i kishës armene, "u kujdes për grigjën që i ishte besuar gjatë 46 vjetëve, e Kisha e shpalli shenjt kur ia dhuroi jetën", vazhdon frati kapuçin. Gjatë "Së keqes së madhe" të vitit 1915, Imzot Maloyan nuk pranoi të hiqte dorë nga feja e tij e krishterë dhe të besonte në Islam. Kjo, pra, është karizma e këtij shenjtori të ardhshëm: "Kishte aftësinë t'ia kthente Zotit jetën, që e kishte marrë prej Tij. Për më tepër, përqafoi gjithnjë e gjithçka që i ofronte hiri i Zotit, madje edhe martirizimin", përfundon postulatori i çështjes së tij për kanonizim.
I bekuari Cisneros, mjekësi, fe e dashuri
Kombinimi i besnikërisë ndaj Ungjillit në jetën e përditshme dhe bamirësisë ndaj të varfërve ndjehet fort edhe tek i Lumi José Gregorio Hernández Cisneros (1864-1919), shpallur i lum më 30 prill 2021, në Karakas, nga Papa Françesku. "Ai ishte mjek i kalibrit më të lartë shkencor, profesor universiteti, por kur këshillohej në praktikën e tij private, i priste dhe i vizitonte të gjithë: ata që mund ta përballonin dhe ata që nuk mundeshin", shpjegon postulatoria Silvia Monica Correale. "U kërkonte më të pasurve të linin lëmoshë për pacientët më të varfër". Papa Françesku shpesh e mbante si shembull të një "shenjti fqinj". Për përkushtimin ndaj më të varfrit, u thirr "mjeku i të varfërve". Vdiq në Karakas, më 29 qershor 1919, i shtypur nga një makinë, ndërsa po shkonte për t'i çuar ilaçe një të sëmuri.
"Papa Françesku e kuptoi që i Lumi Gregori mund të përfaqësonte një pikë referimi për përkushtimin popullor të popullit venezuelian", përfundon postulatori.
E Lumja Maria Carmen sjell gëzim të dyfishtë në Karakas
"E diela do të jetë gëzim i madh për Kryeipeshkvninë Metropolitane të Karakasit, sepse është hera e parë që u shenjtëruan dy të Lum”.