Kërko

Kur Pjetri na kujton se të varfrit janë zemra e Ungjillit

Nxitja e Leonit XIV ‘Dilexi te’: një tekst që propozon themelet e Zbulesës së krishterë dhe të traditës së Kishës

R.SH. / Vatikan

Andrea Tornielli

Dilexi te’, nxitja e parë apostolike e Leonit XIV, që nga titulli lidhet me enciklikën e fundit të Papa Françeskut, ‘Dilexit nos’ (tetor 2024) dhe përfaqëson, në një farë mënyre, vazhdimin e saj. Nuk është një tekst i Doktrinës Shoqërore të Kishës, nuk hyn në analizën e problemeve specifike. Propozon më tepër themelet e Zbulesës ( hyjnore), duke theksuar lidhjen e fortë që ekziston midis dashurisë së Krishtit dhe thirrjes së tij për t'u bërë afër të varfërve. Qendërsia e dashurisë ndaj të varfërve është në të vërtetë në zemër të vetë Ungjillit dhe për këtë arsye nuk mund të reduktohet në një "fiksim" të disa Papëve ose të rrymave të caktuara teologjike, as nuk mund të paraqitet si një pasojë sociale dhe humanitare e jashtme ndaj besimit të krishterë dhe shpalljes së tij. "Dashuria për Zotin bashkohet me atë për të varfrit", shkruan Leoni. Prandaj janë të pandashme: "Gjithçka që i keni bërë njërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, ma keni bërë mua", thotë Jezusi. Pra, këtu "nuk jemi në horizontin e bamirësisë, por të Zbulesës: kontakti me ata që nuk kanë pushtet dhe madhështi është një mënyrë thelbësore takimi me Zotin e historisë".

Papa vëren se, për fat të keq, edhe të krishterët rrezikojnë të "infektohen" nga qëndrimet botërore, ideologjitë dhe vizionet politiko-ekonomike mashtruese. Bezdisja me të cilën ndonjëherë flitet për angazhimin ndaj të varfërve, pothuajse sikur të ishte një shpërqendrim nga dashuria dhe kulti i drejtuar ndaj Zotit, zbulon sa aktual është dokumenti: "Fakti që ushtrimi i dashurisë shpërfillet ose tallët, sikur të ishte fiksimi i disave dhe jo thelbi i zjarrtë i misionit kishtar, më bën të mendoj – thotë Leoni XIV – se duhet lexuar gjithmonë Ungjilli, për të mos rrezikuar ta zëvendësojmë atë me mentalitetin botëror".

Nëpërmjet citimeve biblike dhe komenteve të Etërve të Kishës, na kujtohet kështu se dashuria ndaj të varfërve nuk është një "rrugë opsionale", por përfaqëson "kriterin e kultit të vërtetë". Ndriçuese, edhe për Kishën e sotme, janë për shembull fjalët e Shën Gjon Gojartit dhe të Shën Augustinit: i pari fton ta nderojmë Jezusin në trupin e të varfrit duke pyetur veten se çfarë kuptimi ka të kesh altarët plot me kupa ari ndërsa Krishti është i rraskapitur nga uria sapo jashtë kishës; i dyti e definon të varfrin si "prani sakramentale të Zotit" duke parë në kujdesin ndaj të varfërve një provë konkrete të sinqeritetit të besimit: "Kush thotë se e do Zotin dhe nuk ka dhembshuri për nevojtarët gënjen".

Në forcë të kësaj lidhjeje me thelbin e mesazhit të krishterë, në pjesën përfundimtare të ‘Dilexi te’ përmbahet një thirrje drejtuar çdo të pagëzuari që të angazhohet konkretisht për mbrojtjen dhe promovimin e më të dobëtve: "Është detyrë e të gjithë anëtarëve të Popullit të Zotit të bëjnë të dëgjohet një zë që zgjon, që denoncon, që ekspozohet". Edhe me koston e të dukurit "budallenj". Një mesazh i dendur me pasoja për jetën kishtare dhe sociale: sistemi aktual ekonomiko-financiar dhe "strukturat e tij" nuk janë të pashmangshme dhe për këtë arsye është e mundur të angazhohesh në mendimin dhe ndërtimin, me forcën e së mirës, të një shoqërie ndryshe dhe më të drejtë, nëpërmjet "ndryshimit të mentaliteteve por edhe, me ndihmën e shkencave dhe teknikës, nëpërmjet zhvillimit të politikave efektive në transformimin e shoqërisë". Nxitja Dilexi te’ ishte përgatitur fillimisht nga Françesku. E ka bërë të vetën pasardhësi Leoni XIV, i cili si rregulltar augustinian dhe më pas si ipeshkëv misionar ka ndarë pjesën më të madhe të jetës së tij me të fundit duke u ungjillëzuar prej tyre.

09 tetor 2025, 12:08