Kërko

Liria fetare: kard. Parolin, “është detyrë e qeverive ta garantojnë”, duhet “kujdes politik”

Njerëzit kudo meritojnë lirinë nga çdo formë detyrimi në çështjet e fesë, qoftë nga presionet shoqërore, qoftë nga ndërhyrje të hapura shtetërore”. Kështu kard. Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, në Universitetin Augustinianum, në Romë, me rastin e paraqitjes së Raportit vjetor të fondacionit ‘Ndihmë për Kishën që vuan’ mbi lirinë fetare në botë. E drejta për lirinë fetare “duhet të njihet zyrtarisht brenda kornizave ligjore”, tha Parolin: “Duhet të sanksionohet si një e drejtë themelore"

R.SH. / Vatikan

“Burrat dhe gratë kudo meritojnë lirinë nga çdo formë shtrëngimi në çështjet e besimit, qoftë çështje presionesh delikate shoqërore po mandate të hapura shtetërore”. Kështu tha kard. Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, duke folur në prezantimin, në Universitetin Augustinianum, në Romë, të Raportit vjetor të fondacionit ‘Ndihmë Kishës në Nevojë’ mbi lirinë fetare në botë, i cili ka arritur edicionin e 25-të.

“Është detyrë e qeverive dhe komuniteteve të përmbahen nga detyrimi i dikujt për të shkelur bindjet e tyre thellësisht të rrënjosura ose nga pengimi i kujtdo që t'i jetojë ato në mënyrë autentike”, theksoi kardinali Parolin duke cituar 60-vjetorin e deklaratës së Koncilit të Dytë të Vatikanit ‘Dignitatis Humanae’ mbi lirinë fetare: “Megjithatë, kjo liri nuk përbën një miratim të përgjithshëm të gënjeshtrës, as nuk është një leje kalimi për të përqafuar gabimin në mënyrë të pamatur. Përkundrazi, është një ftesë për të ndjekur të vërtetën me zell, duke pasur parasysh se edhe ata që devijojnë në kërkimin e tyre kanë të drejta të patjetërsueshme kundër forcës, dhe se të gjithë janë thirrur në përgjegjësinë morale”.

E drejta për lirinë fetare “duhet të njihet zyrtarisht brenda kornizave ligjore”, teza e Parolin: “Duhet të sanksionohet si një e drejtë themelore civile në kushtetuta, në ligjet kombëtare dhe në traktatet ndërkombëtare”. Liria fetare, shpjegoi më tej Sekretari i Shtetit të Vatikanit, është “një ekuilibër dinamik”, kufijtë praktikë të të cilit duhet të vendosen përmes “kujdesit politik” dhe janë “të përcaktuar nga nevojat e përgjithshme të të mirës së përbashkët”.

21 tetor 2025, 13:26