Kërko

Mons. Josef Grünwidl kryeipeshkëv i ri metropolit i Vjenës

Që nga janari 2025 mons. Grünwidl ishte administrator apostolik i së njëjtës Kryedioqezë austriake. Papa e emëroi sot në krye të Kishës së Vjenës, selia e së cilës ishte vakante pas dorëheqjes së kardinalit Schönborn, sekretar i të cilit Grünwidl ishte për tre vjet në vitet '90.

R.SH. / Vatikan

Kryedioqeza e Vjenës ka një kryeipeshkëv të ri metropolit: është monsinjor Josef Grünwidl, deri tani administrator apostolik i së njëjtës Kryedioqezë, i emëruar në këtë detyrë nga Papa më 22 janar 2025, pas dorëheqjes së kardinalit Cristoph Schönborn nga drejtimi i Kishës së Vjenës, pas tre dekadash.

"Kam vendosur që edhe si kryeipeshkëv të mos zhytem në menaxhim dhe detyra administrative, por të mbetem në përmasën shpirtërore. Dëshiroj që gjithmonë, jo vetëm të dielave gjatë vizitave nëpër famulli, por edhe ndryshe të dal dhe të jem pranë të varfërve dhe të sëmurëve, si dhe pranë fëmijëve dhe të rinjve, dhe në këtë mënyrë të mbaj kontaktin", tha Jmonsinjor osef Grünwidl. pas lajmit të emërimit të tij si kryeipeshkëv i Vjenës.

Detyra të shumta

I lindur më 31 janar 1963 në Hollabrunn (Kryedioqeza Metropolitane e Vjenës), Grünwidl ndoqi Seminarin e Vjenës dhe studioi Filozofi dhe Teologji në Universitetin lokal. Më 29 qershor 1988 u shugurua meshtar për të njëjtën Kryedioqezë dhe që atëherë ka mbajtur detyra të ndryshme, duke përfshirë ato të vikarit famullitar të Shën Gjon Nepomukenit në Vjenë (1988-1991); vikarit famullitar të Wiener Neustadt-Dom (1991-1993); asistentit shpirtëror dioqezan i të rinjve (1993-1995); famullitar dhe dekan në Kirchberg am Wechsel (1998-2014) e në Perchtoldsdorf (2014-2023); presidentit ekzekutiv të Këshillit Presbiterial të Kryedioqezës Metropolitane të Vjenës (2023-2025); kanonik nderi i Katedrales së Shën Shtjefnit të Vjenës.

Një bari "i afirmuar"

Nga viti 1995 deri në vitin 1998 Josef Grünwidl ka qenë gjithashtu edhe sekretar personal i kryeipeshkvit Schönborn, i cili, në fakt, në emërimin e tij si administrator apostolik e përshkruante atë si "një mik të dashur". "Ai është vërtet një bari i mirë. Ka qenë një sekretar i mrekullueshëm për tre vjet...", shtonte kardinali Schönborn, "e njeh dioqezën tonë. I njeh komunitetet. Nëse mund ta them kështu, ai është vërtet një 'bari i afirmuar'".

17 tetor 2025, 12:42