Kërko

Fao – museu Fao – museu

Nesër Papa në FAO, e cila feston 80 vjet angazhim kundër urisë

Vizita e parë e Leonit XIV në selinë e agjencisë së OKB-së në përputhje me Ditën Botërore të Ushqimit. Vëzhguesi i Selisë së Shenjtë, imzot Chica Arellano: nga Papa një mesazh realizmi për botën, lufta kundër mungesës së ushqimit "është një detyrë që na prek të gjithëve"

R.SH - Vatikan

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) feston 80-vjetorin e saj në përputhje me Ditën Botërore të Ushqimit. Selia e organizatës në Romë pret një javë ngjarjesh ndërkombëtare që përfshijnë Forumin Botëror të Ushqimit dhe ceremoninë qendrore të Ditës, me pjesëmarrjen e Papa Leonit XIV.

Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë FAO-s, monsinjor Fernando Chica Arellano thekson angazhimin e Vatikanit në çrrënjosjen e urisë dhe në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. Prelati nënvizon edhe lidhjen e thellë historike midis Selisë së Shenjtë dhe FAO-s, duke kujtuar se ky institucion i OKB-së ishte organizmi i parë ndërkombëtar me të cilin Selia e Shenjtë vendosi marrëdhënie diplomatike të rregullta. Monsinjor Chica Arellano përmend gjithashtu edhe rolin e Vatikanit, gjithmonë shumë afër agjencisë së Kombeve të Bashkuara, dhe pozicionin e Papëve romakë, të cilët kanë njohur vazhdimisht përpjekjet e vazhdueshme të FAO-s për të vendosur bujqësinë në qendër të iniciativave ndërkombëtare, e konsideruar si një mjet thelbësor për të luftuar plagën e varfërisë dhe urisë në planet.

Së pari, dinjiteti njerëzor

Leoni XIV, i cili do të marrë pjesë për herë të parë në një ngjarje zyrtare të FAO-s, do të transmetojë - sipas monsinjor Chica Arellano - "një mesazh inkurajimi dhe realizmi, në mënyrë që bota të kuptojë se lufta kundër urisë është një detyrë që na prek të gjithëve". Papa, shtoi ai, "dëshiron të vendosë personin njerëzor në qendër të politikave ushqimore dhe të kujtojë se teknika ose ekonomia nuk mund të mbizotërojnë mbi dinjitetin njerëzor".

Jo vetëm strategji, por angazhim serioz

Përfaqësuesi i Vatikanit pranë FAO-s këmbëngul se bota posedon "mjetet shkencore dhe teknike për të çrrënjosur urinë, por mungon vullneti politik. Uria - pohoi ai - nuk luftohet vetëm me të dhëna ose strategji, por me angazhim dhe bashkëpunim në zbatimin e qasjeve serioze dhe të gjera që u përgjigjen nevojave të njerëzve më të cenueshëm. Në këtë sfidë, ne jemi të gjithë të nevojshëm, sepse të gjithë i përkasim të njëjtës familje njerëzore". Monsinjor Chica Arellano thekson gjithashtu edhe dimensionin etik të luftës kundër urisë që nënkupton, vuri në dukje ai, "reduktimin e pabarazive dhe garantimin e një shpërndarjeje të drejtë të burimeve. Për sa kohë që do të ketë qoftë edhe një person të vetëm pa të nevojshmet për të jetuar, askush nuk mund të jetë i qetë".

Investimi në zonat më të prekura

Prelati u bëri thirrje feve dhe komuniteteve fetare që të promovojnë stile jetese më solidare, të reduktojnë humbjen e ushqimit dhe të mbështesin bujqësinë familjare. "Uria - theksoi ai - është një kambanë për ndërgjegjen tonë, një ftesë për të ndryshuar zakonet tona dhe për të synuar një konsum të përgjegjshëm". Duke parë zonat më të prekura nga mungesa e ushqimit, veçanërisht në Afrikë dhe Azinë Perëndimore, monsinjor Chica Arellano thekson urgjencën e investimit, në zonat më të prekura të planetit, në bujqësinë e qëndrueshme, në zhvillimin e infrastrukturave, në zbatimin e sistemeve të ujit të pastër dhe në promovimin e arsimit, pa harruar forcimin e mbrojtjes sociale dhe mbështetjen e grave në zonat rurale dhe të rinjve. "Reforma agrare dhe rishpërndarja e tokës - tha ai - janë mekanizma thelbësorë për të reduktuar pasigurinë ushqimore".

Një thirrje globale

FAO dhe Selia e Shenjtë bien dakord se çrrënjosja e urisë kërkon bashkëpunimin ndërkombëtar, vullnetin politik dhe një ndërgjegje të thellë etike. "Së bashku mund ta bëjmë më mirë dhe ta bëjmë të bashkuar", përfundoi vëzhguesi i përhershëm pranë FAO-s, duke kujtuar se lufta kundër urisë "është një detyrë e gjithë njerëzimit".

15 tetor 2025, 16:53