Kërko

"Një në Krishtin, të bashkuar në mision" tema e Ditën Misionare Botërore 2026 "Një në Krishtin, të bashkuar në mision" tema e Ditën Misionare Botërore 2026

"Një në Krishtin, të bashkuar në mision" tema e Ditës Botërore Misionare 2026

U bë e ditur tema e zgjedhur nga Papa Leoni XIV për kremtimin e Ditës së ardhshme botërore Misionare 2026 e cila kremtohet në njëqindvjetorin e themelimit, vendosur nga Papa Piu XI, me propozimin e Veprës Papnore të Përhapjes së Fesë

R.SH. / Vatikan

"Një në Krishtin, të bashkuar në mision". Kjo është tema e Ditës Botërore Misionare 2026, për të cilën vitin e ardhshëm shënohet 100-vjetori i themelimit vendosur nga Papa Piu XI, me propozimin e Veprës Papnore të Përhapjes së Fesë. Në ditën kur përfundon muaji tetor, tradicionalisht i dedikuar misioneve, bëhet e ditur tema e zgjedhur nga Papa Leoni XIV për Ditën e ardhshëm Botërore Misionare, e cila do të kremtohet më 18 tetor 2026, si çdo vit, të dielën e parafundit të tetorit.

Apeli i Leonit XIV
Papa Leoni, në apelin e këtij viti në mbështetje të Ditës Botërore Misionare, theksoi se ajo është një rast i privilegjuar kur e gjithë Kisha bashkohet në lutje për misionarët dhe për frytshmërinë e punës së tyre apostolike. Papa Prevost, duke kujtuar përvojën e tij personale si meshtar dhe më pas ipeshkëv misionar në Peru, pohoi: "Kam parë me sytë e mi se si feja, lutja dhe bujaria e treguar në këtë Ditë mund të ndryshojnë komunitete të tëra".

Mesazhi i Papës, fije udhëheqëse e të gjitha nismave
Tema e Ditës Botërore të Misionit 2026, e cila në pjesën e parë kujton moton e zgjedhur nga Ati i Shenjtë Prevost për papninë e tij "In Illo uno unum", nënvizon unitetin e besimtarëve në fe, bazuar në unitetin e Krishtit me Atin, dhe misionin pasues të përbashkët të ungjillëzimit.

Hapi tjetër në përgatitjen e Ditës Botërore Misionare 2026 do të jetë shpërndarja, në muajt e parë të vitit të ri, e mesazhit të Atit të Shenjtë Leoni XIV që do të bëhet fije udhëheqëse e shumë nismave të formimit të shpirtit dhe përgjegjësisë misionare në të gjithë besimtarët gjatë këtij viti domethënës, gjatë të cilit do të kremtohet edhe 110-vjetori i themelimit të Bashkimit Papnor Misionar, i përcaktuar nga Papa Shën Pali VI si "shpirti i Veprave të tjera Papnore Misionare" (Vepra e Përhapjes së Fesë, Vepra e Fëmijërisë së Shenjtë dhe Vepra e Shën Pjetrit Apostull). Këto katër vepra, secila me specifikën e saj, i kushtohen së bashku promovimit të përgjegjësisë misionare te të pagëzuarve dhe mbështetjes së Kishave të reja të veçanta.

31 tetor 2025, 13:24