Kërko

Papa: në Ostia pasdite viziton 'anijen shkollë për paqe'

Faza e fundit e odisesë MED25 Le Bel Espoir, kalimi nga Napoli në Marsejë, duke kaluar nga Roma, përqendrohet në temën e ndërtimit të paqes. Përmes takimit dhe njohjes reciproke, në vend të logjikave të konfrontimit dhe mbrojtjes së interesave të veçanta, 25 të rinjtë në bord, që vijnë nga të gjitha prejardhjet dhe të gjitha fetë, mishërojnë provën e gjallë se dialogu dhe paqja janë të mundshme.

R.SH. / Vatikan

Papa Leoni XIV do të shkojë sot pasdite në Ostia, afër Romës, për të vizituar anijen shkollë të paqes "Med 25 Bel Espoir". Këtë bën të ditur zyra e shtypit e Vatikanit. Takimi është parashikuar për në orën 17:00. ‘Bel Espoir’ (Shpresa e Bukur) është një anije-shkollë për paqe, e gjatë 29 metra, e cila që nga marsi i kaluar po përshkon Detin Mesdhe, duke u ndalur në qytetet që lag Deti Ynë, duke promovuar dialogun, mirëkuptimin dhe humanizmin. Udhëtimi do të përfundojë më 26 tetor në Marsejë. Ekuipazhi i anijes-shkollë për paqe përbëhet nga të rinj të moshës 20 deri në 35 vjeç, të ardhur nga Palestina, Libani, Siria, Egjipti, Maroku, Tunizia, Jordania, Spanja, Franca, Greqia, Italia dhe vende të tjera të Mesdheut. Gjatë udhëtimit do të hartohet një libër i bardhë mbi Mesdheun, i cili do t'i dorëzohet Papës.

17 tetor 2025, 12:25