Kërko

2025.10.25 Armi

Selia e Shenjtë: Braktisni iluzionin e sigurisë së bazuar në armë

Fjalimi i Kryeipeshkvit Caccia në Kombet e Bashkuara mbi armët konvencionale. Vitin e kaluar, shpenzimet globale ushtarake arritën një rekord prej 2.7 trilionë dollarësh.

R.SH. / Vatikan

"Përhapja dhe keqpërdorimi i vazhdueshëm i armëve konvencionale përfaqëson një pengesë të rëndësishme për arritjen e paqes dhe besimit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në vend që të sigurojnë stabilitetin, përhapja e tyre e pakontrolluar krijon mosbesim, nxit dhunën dhe minon dialogun midis shteteve", theksoi Kryeipeshkvi Gabriele Caccia, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, duke folur në diskutimin tematik mbi armët konvencionale në sesionin e 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Shpenzimet ushtarake globale: 2.7 trilionë dollarë në vitin 2024

Prelati vuri në dukje se shpenzimet ushtarake globale kanë parë një "rritje dramatike", duke arritur një shifër marramendëse prej 2.7 trilionë dollarësh vitin e kaluar. Ai citoi fjalët e Leonit XIV: "Si mund të vazhdojmë të tradhtojmë dëshirën e popujve për paqe?". 

"Këto burime përjetësojnë modele frike dhe përçarjeje që minojnë ndjekjen e paqes", theksoi Kryeipeshkvi Caccia.  "Është gjithashtu urgjente të ndalohet përdorimi i armëve shpërthyese, përfshirë municionet thërrmuese, në zonat e populluara. Përdorimi i eksplozivëve në zonat e populluara ka efekte të pakontrollueshme, siç është shkatërrimi i shkollave, spitaleve dhe vendeve të kultit".

Dëmtime të pakontrollueshme dhe të qëndrueshme

Për Kryepeshkopin Caccia, tërheqja e fundit nga Konventa e Otavës mbi minat kundër personelit është shkak për shqetësim të madh. "Këto armë," theksoi ai, "shkaktojnë dëmtime të pakontrollueshme dhe të qëndrueshme tek individët, komunitetet dhe mjedisi, duke lënë një trashëgimi vdekjeprurëse shumë kohë pasi konfliktet të kenë mbaruar. Fakti që ato mund të aktivizohen pa dashje nga kushdo, veçanërisht nga civilët e pafajshëm, i bën ato të papajtueshme me parimet e njerëzimit dhe të së drejtës ndërkombëtare. 

I njëjti shqetësim vlen për të gjitha sistemet e armëve që veprojnë pa kontroll e mbikëqyrje kuptimplote njerëzore. Në këtë drejtim, prelati shpreh bindjen e tij se "vendimet për jetën dhe vdekjen nuk duhet t'u besohen makinave". Në këtë kontekst, Selia e Shenjtë mbështet fuqimisht thirrjen e Sekretarit të Përgjithshëm që negociatat të fillojnë për të përfunduar, brenda vitit të ardhshëm, një instrument ligjërisht të detyrueshëm që ndalon sistemet vdekjeprurëse autonome të armëve. Ndërkohë, të gjitha shtetet duhet të përmbahen nga zhvillimi ose përdorimi i tyre.

Një angazhim i vazhdueshëm për të ndaluar trafikimin e armëve është urgjentisht i nevojshëm.

Sipas prelatit, po aq urgjent është "trafikimi i paligjshëm i armëve të kalibrit të vogël dhe të lehta (SALW). Përhapja e paligjshme e këtyre armëve", shpjegon ai, "vazhdon të marrë viktima midis më të prekshmëve në shoqëri, veçanërisht fëmijët, të cilët shumë shpesh rekrutohen në grupe kriminale ose terroriste, privohen nga pafajësia dhe arsimi i tyre, e edhe nga e ardhmja".

 Prandaj, Selia e Shenjtë i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare "të braktisë iluzionin e sigurisë së bazuar në armë dhe në vend të kësaj të punojë pa u lodhur për të ndërtuar një paqe bazuar në dialog, drejtësi dhe dinjitet te çdo jete njerëzore.  Kjo", përfundoi Kryeipeshkvi Caccia, "është detyrë themelore, që kërkon angazhim të vazhdueshëm".

25 tetor 2025, 14:28