Kërko

Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB, kryeipeshkvi Gabriele Caccia Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB, kryeipeshkvi Gabriele Caccia

Selia e Shenjtë në OKB: Braktisni "logjikën iluzore" të garës së armatimeve

Kryeipeshkvi Caccia, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, denoncon rritjen e shpenzimeve ushtarake globale, të cilat vitin e kaluar arritën në një shifër "të papranueshme" prej 2.7 trilionë dollarësh: "Shpirti i diplomacisë dhe multilateralizmit, hartuar me aq kujdes për të mbrojtur njerëzimin nga plaga e luftës, po errësohet gjithnjë e më shumë."

R.SH. / Vatikan

Është e domosdoshme të braktisim "logjikën iluzore" të garës së armatimeve dhe parandalimit bërthamor dhe, në vend të saj, të përqafojmë rrugën e dialogut dhe të çarmatimit. Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, Kryeipeshkvi imzot Gabriele Caccia, përsëriti thirrjen për t'i dhënë fund "garës së armatimeve" gjatë fjalimit të tij dje, në debatin e përgjithshëm të komitetit të parë të sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Rizbulimi i Multilateralizmit

Imzot Caccia vërejti se, 80 vjet pas shkatërrimit të Hiroshimës e Nagasakit dhe themelimit të Kombeve të Bashkuara, "fryma e diplomacisë dhe multilateralizmit, e krijuar me aq kujdes për të mbrojtur njerëzimin nga plaga e luftës, po errësohet gjithnjë e më shumë nga kthimi i rrezikshëm i forcës dhe i frikës, parë si mënyra për të zgjidhur mosmarrëveshjet". Duke cituar fjalët e Papës Leoni XIV në takimin e agjencive të ndihmës për Kishat Lindore, qershorin e kaluar, Kryeipeshkvi Caccia pyeti: "Si mund të vazhdojmë ta tradhtojmë dëshirën e njerëzve të botës për paqe me propagandë për grumbullimin e armëve, sikur supremacia ushtarake do të zgjidhë problemet, në vend që të nxisë edhe më shumë urrejtje dhe një dëshirë për hakmarrje?". Paratë e shpenzuara për armë, të cilat në vitin 2024 arritën shifrën "e papranueshme" prej 2.7 trilionë dollarësh, mund të përdoren për të ndërtuar shkolla dhe spitale të reja, në vend që t'i shkatërrojnë ato.

Lidhja e rrezikshme ndërmjet armëve dhe IA-së

Imzot Caccia shpreh shqetësim edhe në lidhje me "garën e re të armatimeve, të shënuar nga integrimi i Inteligjencës Artificiale (IA) në sistemet ushtarake me potencial të madh shkatërrues", duke i nxitur shtetet me arsenale bërthamore të respektojnë detyrimet e tyre sipas Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT), veçanërisht në dritën e Konferencës së Rishikimit të ardhshëm. Për më tepër, zbatimi i IA-së në armët konvencionale "paraqet një sfidë serioze që duhet të rrisë ndërgjegjësimin etik të të gjithë komunitetit ndërkombëtar", pasi këto armë veprojnë "pa asnjë kontroll njerëzor" dhe për këtë arsye "kapërcejnë të gjitha kufijtë ligjorë, të sigurtë, humanitarë dhe, mbi të gjitha, etikë".

Nevojitet ndryshim në perspektivë

"Tragjikisht, të panumërt të pafajshëm vazhdojnë të vuajnë pasojat shkatërruese të armëve shpërthyese, të cilat përdoren gjithnjë e më shumë pa dallim në zonat e populluara, si dhe kërcënimin e minave tokësore, që vazhdojnë të gjymtojnë dhe të vrasin shumë kohë pasi konfliktet të kenë mbaruar", vazhdoi Kryepeshkvi imzot Caccia, duke denoncuar gjithashtu trafikimin e paligjshëm të armëve të vogla.

"Ajo që nevojitet" - përfundoi Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara - është ndryshimi themelor në perspektivë: braktisja e mbështetjes tek armët për të ndërtuar paqen përmes dialogut, bazuar në përqendrimin tek njeriu, rrënjosur fort në dinjitet dhe respekt të plotë për të drejtat e njeriut, dhe e përkushtuar ndaj zhvillimit integral njerëzor".

18 tetor 2025, 11:53