Kërko

2020.03.23 bandiera albanese e bandiera città del Vaticano

Ambasada e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë kremton Ditën e Flamurit

Ambasadorja Frangaj vë në dukje historinë e vështirë e të ndërlikuar të atdheut të shqipeve për të arritur pavarësinë, duke përmendur njerëzit e mëdhenj, që e bënë të mundur mëvetësinë e Shqipërisë. Festa, me të ftuar nga Vatikani, nga ambasadat e akredituara në Selinë e Shenjtë, nga diaspora shqiptare, nga bashkësitë arbëreshe, nga miqtë e dashamirët e shqiptarëve, u kremtua në një nga hotelet më prestigjozë të Romës

R. SH. – Vatikan

Në një atmosferë festive, pavarësisht nga shiu i rrëmbyeshëm, ambasada e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë kremtoi në Romë Ditën e Flamurit, shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Në hotelin Cavalieri Waldorf Astoria u mblodhën mbrëmjen e 24 nëntorit, përfaqësues nga Vatikani, nga ambasadat e akredituara në Selinë e Shenjtë, nga diaspora shqiptare, nga bashkësitë arbëreshe, nga miqtë e dashamirët e shqiptarëve, të ftuar nga ambasadorja Majlinda Frangaj.

 Në përshëndetjen e saj, ambasadorja Frangaj përshkoi historinë e vështirë të Shqipërisë dhe përpjekjet e mundimshme të fatosave të kombit për arritjen e pavarësisë dhe për njohjen e mëvetësisë së shtetit shqiptar. Don Nikollë Kaçorri, Isa Boletini, Dedë Gjo Luli, ishin emrat që tërhoqën vëmendjen e të pranishmëve, të cilët mundën të vlerësonin udhën e vështirë e të ndërlikuar, por edhe të vendosur të atdheut të shqipeve drejt pavarësisë së vet. Ambasadorja Frangaj nuk harroi të përmendë edhe periudhën e errët të komunizmit në Shqipëri, gjatë së cilës u mbyllën kishat e objektet e tjera të kultit dhe u persekutuan besimtarët.

Edhe një shenjte si Nënë Tereza, krenari e popullit shqiptar, nuk u lejua të shkelte në truallin e të parëve për të sjellë motrat e saj të bamirësisë, të cilat, me rënien e regjimit diktatorial, hapën kudo shtëpitë e tyre e filluan t’u shërbejnë më të varfërve ndër të varfër. Shqipëria u bekua edhe nga vizitat e dy Papëve, shën Gjon Palit II dhe Papës Françesku, kujdesin e veçantë të të cilit për popullin shqiptar, ambasadorja Frangaj e përmendi në fund të përshëndetjes, duke i lënë vendin festës e koktejit të përgatitur për të ftuarit. Mbrëmja u gjallërua nga muzika e sopranos Ana Lushi, e cila këndoi edhe himnin kombëtar të Shqipërisë, e shoqëruar në piano nga Kozeta Prifti.

25 nëntor 2025, 12:22