Kërko

COP30, Kard. Parolin: bëjini konkrete angazhimet, koha mbaron shpejt

Sekretari i Vatikanit, kard. Parolin në "Samitin për Klimën" që paraprin Konferencën e 30-të të Kombeve të Bashkuara në Belém, Brazil, thekson angazhimin e Selisë së Shenjtë dhe të Kishave lokale për të dhënë "një përgjigje etike" ndaj ndryshimeve klimatike, një çështje që, thotë ai, mund të bëhet një mundësi për të ringjallur multilateralizmin në krizë. Kardinali Parolin gjithashtu paralajmëron për numrin e të zhvendosurve sot "më të lartë" për emergjencat klimatike sesa për konfliktet

R.SH. – Vatikan

“ Koha u shkurtua”. Citon Shën Palin, Kardinali Pietro Parolin, për të formuluar thirrjen e tij mbi urgjencën lidhur me “zbatimin” dhe “konkretësinë” e angazhimeve marrë tashmë në COP-et e mëparshme mbi ndryshimet klimatike. Sekretari i Shtetit të Vatikanit ndodhet aktualisht në Belém, kryeqytet i shtetit të Pará (Brazil), për të udhëhequr delegacionin e Selisë së Shenjtë në "Samitin e Klimës", i cili i paraprin COP30, Konferencës së 30-të të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, planifikuar për 10-21 nëntor. Duke folur për mediat e Vatikanit, kardinali denoncoi përmasat gjithnjë e më alarmuese të këtij problemi, i cili sot shkakton "më shumë njerëz të zhvendosur" sesa konflikte. Në të njëjtën kohë, deklaroi ai, reflektimi dhe veprimi mbi ndryshimet klimatike mund të jenë  mundësi për të rigjallëruar multilateralizmin, që ka përjetuar "një krizë shumë serioze" për vite me radhë.

Papa është i shqetësuar për pasojat e ndryshimeve klimatike në jetën e miliona njerëzve, veçanërisht më të varfërve. Cilat duhet të jenë prioritetet e Kishave lokale në kontekste të ndryshme globale?

Në të vërtetë, është fenomen që prek gjithnjë e më shumë njerëz, natyrisht me kuptim negativ, e prek më të prekshmit. Në muajt e fundit patëm takime me autoritetet e ishujve të Paqësorit, ku na njohën me realitetin tragjik të një zhdukjeje të afërt: a mund të parashikojmë çfarë mund të thotë kjo për popullsinë, apo jo? Dhe, nga ajo që kam lexuar, sot numri i personave të zhvendosur është më i lartë për shkak të ndryshimeve klimatike, sesa për shkak të konflikteve të vazhdueshme në mbarë botën. Pra, një situatë vërtet e rëndë. Kisha u angazhua në nivelin e Selisë së Shenjtë. Ne kujtuam kontributin e madh që dha Papa Françesku me Laudato Si' e, më pas, me Laudate Deum. E, natyrisht, edhe Kishat vendase bashkohen me ne, në këtë angazhim. Dëgjova gjithashtu se gjatë COP30, Kisha në Brazil po bën një përpjekje të madhe për ta ulur këtë çështje në nivelin e komuniteteve dhe individëve të ndryshëm. E pastaj pati bashkëpunim ndërmjet takimeve të Konferencave (Ipeshkvnore) të kontinenteve të ndryshme, kështu që ndjehet një farë lëvizjeje. Besoj se së pari duhet të theksohen, sidomos, përmasat etike të këtij fenomeni. Me sa duket, nuk mundemi, nuk kemi mjetet ose ekspertizën për të ofruar përgjigje teknike, edhe pse ekspertët tanë në Sekretarinë e Shtetit dhe në Dikasteret e tjera po i monitorojnë këto aspekte e përmasa. Nuk janë të panjohura për ne, ndaj ato gjithashtu po marrin pjesë në dialogun dhe negociatat e vazhdueshme për këto çështje. Megjithatë, besoj se kontributi themelor i Selisë së Shenjtë dhe i Kishave lokale është të rrisin ndërgjegjësimin dhe të ofrojnë përgjigje etike ndaj problemit të ndryshimeve (klimatike). Kjo, padyshim, kërkon edhe një punë të konsiderueshme formimi dhe edukimi.

Ju jeni takuar me shumë prijës botërorë, ndaj mund të na thoni çfarë veprimesh konkrete mund të ndërmerren nga COP30 në nivel qeveritar?

Më duket se kjo është pikërisht çka po theksohet. Dikush më bëri përshtypje këtë mëngjes kur tha se edhe nga COP30 nuk duhet të presim shpallje madhështore, por më tepër angazhim dhe vendosmëri nga udhëheqësit botërorë, të pranishëm ose të përfaqësuar në inaugurimin e sotëm për të zbatuar angazhimet e marra tashmë: në lidhje me uljen e emetimeve të karbonit, në lidhje me ndihmën për vendet më të cenueshme, në lidhje me rezistencën, etj. Pra, ka shumë fusha, ndaj besoj se këto angazhime duhet të bëhen konkrete. E pastaj, do të kujtoja gjëra të tjera themelore: e para është se koha është shkurtuar. E tha Shën Pali, por e tha për jetën tonë, ndërsa këtu e themi për COP. Koha është shkurtuar, në kuptimin që pyetja themelore është pikërisht nëse jemi të vetëdijshëm se koha po shkurtohet gjithnjë e më shumë. Pra, urgjenca është e pranishme, kjo urgjencë duhet të ekzistojë. Pastaj edhe përmasa e multilateralizmit: ndryshimi i klimës bëhet vërtet mundësi për të rinisur multilateralizmin, i cili ka jetuar një krizë të thellë vitet e fundit. E kështu besoj se këto janë drejtimet në të cilat duhet të lëvizim dhe të punojmë.

Këto ditë, Ju vizituat një spital, që punon kryesisht me fëmijët...

Po, shkuam në Marituba, ku ndodhet ky spital i bukur i themeluar nga Ipeshkvi Pirovano, ku punoi edhe Marcello Candia, tani i besuar Shërbëtorëve të Varfër të Provanisë Hyjnore, Vepër e Don Kalabrisë. Shkuam edhe ndër organizatat e tjera, pjesë e këtij institucioni, edhe në "Fazenda da Esperança", projekt i mrekullueshëm për fëmijët vendas – në një zonë që, edhe shoqërisht, është shumë në rrezik - që ndihmon në edukimin e tyre në mënyra të ndryshme, duke përfshirë edhe krijimin. Mendova se ishte e bukur: i pashë të gjitha mjediset e tyre, kopshtet me perime që kultivojnë, prodhimin e biogazit nga mbeturinat... Këto gjëra më mahnitën vërtet, ngaqë janë fëmijët, që e bëjnë. Ndaj mendoj se është një mënyrë për t'i ndihmuar ata të shpëtojnë nga disa mjedise negative. Në vend të kësaj, ndihmojini ata të punojnë së bashku për të krijuar çka të gjithë e duam: një botë më të drejtë, një botë më të shëndetshme, një botë më solidare.

A mund të fillojmë me fëmijët?

Po, po, mund të fillojmë me ta. Takova disa prej tyre dhe dukeshin shumë të vetëdijshëm për këtë. Kjo më la edhe një përshtypje të madhe. Ishin ata që më udhëhoqën pak gjatë kësaj vizite dhe pashë se ishin shumë të vetëdijshëm si për sfidën, ashtu edhe për mundësinë për t’iu përgjigjur kësaj sfide duke u nisur nga kontributi i tyre.

07 nëntor 2025, 14:03