Dikasteri për Doktrinën e Fesë: "Shfaqjet e supozuara në Dozulé nuk janë të mbinatyrshme"
R.SH. / Vatikan
"Fenomeni i shfaqjeve të hamendësuara të ndodhura në Dozulé" të lidhura me ndërtimin e një kryqi me përmasa të mëdha që do të garantonte faljen e mëkateve dhe shpëtimin për ata që do t'i afroheshin, "duhet të konsiderohet, në mënyrë definitive, si jo mbinatyrore". Këtë e vendos Dikasteri i Vatikanit për Doktrinën e Fesë duke e njoftuar me një letër të firmosur nga kardinali prefekt Victor Manuel Fernández, me të cilën autorizohet ipeshkvi i Bayeux-Lisieux Jacques Habert të lëshojë dekretin përkatës. Vendimi u miratua nga Leoni XIV më 3 nëntor.
Në qytetin francez të Dozulé, midis viteve 1972 dhe 1978, Jezusi thuhet se u shfaq 49 herë nënës së familjes Madeleine Aumont, duke kërkuar ndërtimin e të ashtuquajturit "Kryqi i Lavdishëm i Dozulé", i cili nuk u ndërtua kurrë: ai duhej të ishte i gjithi i ndriçuar dhe të arrinte lartësinë 738 metra, me krahë 123 metra, pra i dukshëm nga shumë larg si shenjë e shpëtimit universal. Në dekadat e fundit, në vende të ndryshme të botës janë ngritur "Kryqet e Dashurisë", reduktuar në shkallë një me njëqind të atij "të Lavdishëm". Që në prill 1983, ipeshkvi i atëhershëm dioqezan Jean-Marie-Clément Badré deklaroi se "në asnjë rast ndërtimi i një kryqi monumental të ndërmarrë në Dozulé (...) nuk mund të jetë një shenjë autentike e manifestimit të Shpirtit të Zotit". I njëjti ipeshkëv, më 8 dhjetor 1985, kishte deklaruar: "Për sa i përket asaj që po ndodh në Dozulé, veprimi dhe agjitacioni, mbledhja e fondeve nga persona që veprojnë nën përgjegjësinë e tyre, pa mandat, pa asnjë respekt për autoritetin e ipeshkvit, (...) propaganda fanatike në favor të 'mesazhit', (...) dënimi pa apel i atyre që nuk i bashkohen, më bëjnë të besoj, në ndërgjegje, se përtej gjithë kësaj trazire, nuk arrij të dalloj shenjat që do të më autorizonin të deklaroja autentike 'shfaqjet' për të cilat flitet".
Ipeshkvi aktual Habert, bazuar në normat e fundit për të proceduar me dallimin e fenomeneve të supozuara si të mbinatyrshme, i ka propozuar Dikasterit të Vatikanit një "deklaratë të jo-mbinatyrores". "Dikasteri – lexohet në letrën e kardinalit Fernández – ju autorizon të deklaroni në mënyrë definitive se fenomeni i shfaqjeve të supozuara të Dozulé njihet si jo mbinatyror, domethënë se nuk ka një origjinë autentike hyjnore". Midis elementeve problematike të theksuara në mesazhe është krahasimi i "kryqit të kërkuar në Dozulé me atë të Jeruzalemit", gjë që "rrezikon të ngatërrojë shenjën me misterin, dhe të japë përshtypjen se mund të 'riprodhohet' ose 'rinovohet' në kuptimin fizik ajo që Krishti ka kryer tashmë një herë e përgjithmonë". Theksohet gjithashtu se "disa formulime të përfshira në mesazhet e supozuara të Dozulé insistojnë në ndërtimin e 'Kryqit të Lavdishëm', si një shenjë e re, e nevojshme për shpëtimin e botës, ose mjet i privilegjuar për të marrë faljen dhe paqen universale. Flitet ndonjëherë për 'shumëfishimin e shenjës', sikur kjo përhapje të përbënte një mision të imponuar nga vetë Krishti".
Dikasteri i Vatikanit për Doktrinën e Fesë vëren se "Kryqi nuk ka nevojë për 738 metra çelik ose beton për t'u njohur: ai ngrihet sa herë që një zemër, nën veprimin e hirit të Zotit, hapet ndaj faljes, që një shpirt kthehet te Zoti, që shpresa ringjallet aty ku dukej e pamundur, dhe gjithashtu kur, duke puthur një kryq të vogël, një besimtar i beson Krishtit". Dhe thekson se "asnjë zbulesë private nuk duhet të konsiderohet një detyrim universal ose një shenjë që i imponohet ndërgjegjes së besimtarëve, edhe nëse bashkë me fenomene të tilla prodhohen fryte shpirtërore.
Kisha inkurajon shprehjet e besimit që çojnë në kthim dhe dashuri, por paralajmëron kundër çdo forme të 'sakralizimit të shenjës' që çon në konsiderimin e një objekti material si garanci absolute të shpëtimit". Në mesazhet e Dozulé thuhet se "të gjithë ata që do të vijnë të pendohen te këmbët e Kryqit të Lavdishëm do të shpëtohen", se "Kryqi i Lavdishëm do të falë çdo mëkat" dhe se të gjithë ata që "me besim do të arrijnë atje për t'u penduar, do të shpëtohen në këtë jetë dhe për amshim". Pohime të konsideruara nga Dikasteri i Vatikanit për Doktrinën e Fesë "të papajtueshme me doktrinën katolike të shëlbimit, hirit dhe sakramenteve".
Letra e Dikasterit të Vatikanit për Doktrinën e Fesë citon më pas mesazhe të tjera që janë përgënjeshtruar nga faktet, si për shembull ai sipas të cilit Jezusi kishte kërkuar të realizohej "Kryqi i Lavdishëm dhe Shenjtërorja" brenda fundit të Vitit të Shenjtë 1975 "sepse do të jetë Viti i Shenjtë i fundit". Rrethanë jo e vërtetë duke qenë se që atëherë janë kremtuar dy të tjerë të zakonshëm (2000 dhe 2025) dhe dy të tjerë të jashtëzakonshëm (1983 dhe 2016). Si dhe renditen pohime apokaliptike si ai sipas të cilit Jezusi kishte thënë: "Nëse njeriu nuk e ngre Kryqin, unë do ta bëj të shfaqet, por nuk do të ketë më kohë". "Kryqi si shenjë devocioni – përfundon Dikasteri i Vatikanit për Doktrinën e Fesë me një reflektim të veçantë mbi vlerën e kryqit si sakramental – nuk është kurrë thjesht eksterioritet. Kur një i krishterë nderon kryqin, nuk adhuron drurin ose metalin, as nuk mendon se një kryq material mund të zëvendësojë veprën shpëtuese që tashmë ka ndodhur e është realizuar në Pashkën e Krishtit, por adhuron Atë që mbi kryq e dha jetën".