Doktrina e Fesë: monogamia nuk është limit, martesa është premtim i pafundësisë
R.SH. – Vatikan
“Bashkim i pazgjidhshëm”: kështu e përkufizon martesën Nota Doktrinore e Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Doktrinën e Fesë (Ddf), pra si një “bashkim ekskluziv dhe përkatësi reciproke”. Jo rastësisht, dokumenti – i miratuar nga Leoni XIV më 21 nëntor të kaluar, në përkujtim liturgjik të Paraqitjes së Virgjërës së Lume Mari në Tempull, dhe i prezantuar sot për shtyp, më 25 nëntor – ka titullin “Una caro (një trup i vetëm). Lavdërim i monogamisë”. Në dokument shpjegohet se ata që i dhurojnë vetveten plotësisht dhe tërësisht tjetrit mund të jenë vetëm dy, përndryshe do të ishte një dhurim i pjesshëm i vetvetes që nuk respekton dinjitetin e partnerit.
Arsyet e dokumentit
Tre janë motivet në origjinë të tekstit: në radhë të parë — shkruan në hyrje prefekti i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Doktrinën e Fesë, kardinali Víctor Manuel Fernández — është vëmendja ndaj “kontekstit global aktual të zhvillimit të fuqisë teknologjike” që e shtyn njeriun të mendojë për veten si “një krijesë pa kufij” dhe për rrjedhojë larg vlerës së një dashurie ekskluzive dhe të rezervuar për një person të vetëm. Përmenden gjithashtu edhe diskutimet me ipeshkvijtë afrikanë mbi temën e poligamisë, duke kujtuar se “studimet e thelluara mbi kulturat afrikane” mohojnë “mendimin e përbashkët” mbi veçantinë e martesës monogame. Së fundi, dokumenti konstaton, në Perëndim, rritjen e “poliamorisë”, pra të formave publike të bashkimit jo-monogam.
Bashkimi bashkëshortor dhe bashkimi midis Krishtit e Kishës
Në këtë kontekst, dokumenti i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Doktrinën e Fesë dëshiron të theksojë bukurinë e unitetit bashkëshortor që, “me ndihmën e hirit të Zotit”, përfaqëson gjithashtu “bashkimin midis Krishtit dhe nuses së tij të dashur, Kishës”. I destinuar para së gjithash për ipeshkvijtë, Nota Doktrinore — thekson kardinali Fernández — dëshiron të jetë gjithashtu edhe një ndihmë për të rinjtë, të fejuarit, bashkëshortët që të kuptojnë “pasurinë” e martesës së krishterë, në mënyrë që të stimulojë “një reflektim të qetë dhe një thellim të zgjatur” mbi temën. Përkatësia e bazuar në pëlqimin e lirë
I ndarë në shtatë kapituj, plus Përfundimet, t Nota Doktrinore thekson se monogamia nuk është një kufizim, por mundësia e një dashurie që hapet drejt të përjetshmes. Dy elemente shfaqen vendimtare: përkatësia reciproke dhe dashuria bashkëshortore. E para, “e bazuar në pëlqimin e lirë” të dy bashkëshortëve, është pasqyrim i bashkësisë trinitare dhe bëhet “një motivim i fortë për stabilitetin e bashkimit”. Bëhet fjalë për “përkatësinë e zemrës, aty ku vetëm Zoti sheh” dhe ku vetëm Ai mund të hyjë, “pa shqetësuar a trazuar lirinë dhe identitetin e personit”.
Mos e nëpërkëmbeni lirinë e tjetrit
Kështu e kuptuar, “përkatësia e ndërsjellë, tipike e dashurisë reciproke ekskluzive, nënkupton një kujdes delikat, një frikë të shenjtë për të mos nëpërkëmbur a përdhosur lirinë e tjetrit, i cili ka të njëjtin dinjitet dhe për rrjedhojë të njëjtat të drejta”. Sepse kush dashuron, e di se “tjetri nuk mund të jetë një mjet për të zgjidhur pakënaqësitë e veta” dhe e di se zbrazëtia e vet nuk duhet të mbushet kurrë “nëpërmjet dominimit të tjetrit”. Në këtë drejtim, Nota Doktrinore dënon “format e shumta të dëshirës së sëmurë që çojnë në manifestime të ndryshme të dhunës së qartë ose të hollë, të shtypjes, të presionit psikologjik, të kontrollit dhe në fund të asfiksisë”. Bëhet fjalë për “mungesë respekti dhe nderimi përballë dinjitetit të tjetrit”.
Martesa nuk është posedim
Përkundrazi, një “ne të dy” i shëndetshëm nënkupton “reciprocitetin e dy lirive që nuk shkelen kurrë, por zgjedhin njëra-tjetrën, duke lënë gjithmonë të sigurt një kufi që nuk mund të kalohet”. Kjo ndodh kur “personi nuk humbet në marrëdhënie, nuk shkrihet me personin e dashur”, në respekt të çdo dashurie të shëndetshme “që nuk synon kurrë të përthithë tjetrin”. Në këtë drejtim, Nota Doktrinore thekson se çifti do të mund të “kuptojë dhe pranojë” një moment reflektimi ose ndonjë hapësirë vetmie ose autonomie të kërkuar nga njëri prej bashkëshortëve, pasi “martesa nuk është posedim”, nuk është “pretendim për qetësi absolute”, as çlirim total nga vetmia (vetëm Zoti, në fakt, mund të mbushë zbrazëtinë që ndjen një qenie njerëzore), por besim dhe aftësi për të përballuar sfida të reja. Në të njëjtën kohë, bashkëshortët ftohen të mos refuzojnë njëri-tjetrin, sepse “kur distanca bëhet shumë e shpeshtë, ‘ne të dy’ ekspozohet ndaj eklipsit të tij të mundshëm”. Një dialog i sinqertë do të mundësojë, përkundrazi, të shërohen shkaqet e largimit reciprok dhe të gjendet ekuilibri i duhur.
Lutja, mjet i çmuar për t’u rritur në dashuri
Përkatësia reciproke shprehet edhe në ndihmën e ndërsjellë midis bashkëshortëve për t'u pjekur si persona: në këtë, lutja është "një mjet i çmuar" me të cilin çifti mund të shenjtërohet dhe të rritet në dashuri. Kështu, realizohet dashuria bashkëshortore, "fuqi bashkuese" "afektive, besnike dhe totale", "dhuratë hyjnore" e kërkuar në lutje dhe e ushqyer në jetën sakramentale dhe që, pikërisht në martesë, bëhet "miqësia më e madhe" midis dy zemrave të afërta, "të afërta", që duhen dhe që ndihen "në shtëpi" njëri pranë tjetrit.
Seksualiteti dhe pjelloria
Falë fuqisë transformuese të dashurisë, do të jetë gjithashtu e mundur të kuptohet seksualiteti "në trup dhe shpirt", pra jo si një impuls apo shfryrje, por si "një dhuratë e mrekullueshme e Zotit" që orienton drejt dhurimit të vetvetes dhe të mirës së tjetrit, të marrë në tërësinë e personit të tij. Dashuria bashkëshortore shprehet edhe në pjellori, "edhe pse kjo nuk do të thotë se ky duhet të jetë qëllimi i qartë i çdo akti seksual". Përkundrazi, martesa ruan karakterin e saj thelbësor edhe nëse është pa fëmijë. Kujtohet, gjithashtu, legjitimiteti i respektimit të kohëve natyrore të infertilitetit. Rrjetet sociale dhe urgjenca e një pedagogjie të re
Megjithatë, "në kontekstin e individualizmit konsumist postmodern" që mohon qëllimin bashkues të seksualitetit dhe martesës, si mund të ruhet mundësia e një dashurie besnike? Përgjigja, thekson dokumenti, gjendet në edukim: "Universi i rrjeteve sociale, ku zhduket turpi dhe shumohen dhunat simbolike dhe seksuale, tregon urgjencën e një pedagogjie të re". Prandaj, është e nevojshme "të përgatiten brezat për të pranuar përvojën e dashurisë si mister antropologjik", duke paraqitur dashurinë jo si një shtysë të thjeshtë, por si një thirrje për përgjegjësi, dhe "aftësi shprese të gjithë personit". Edukimi për monogaminë nuk është "arkaizëm", as "detyrim moral", por përbën "një iniciacion në madhështinë e një dashurie që tejkalon menjëhershmërinë" dhe parashikon në një farë mënyre "misterin e vetë Zotit". Vëmendja për të varfërit, "antidot" ndaj endogamisë
Dashuria e bashkimit bashkëshortor shihet edhe te çiftet që nuk mbyllen në individualizmin e tyre, por hapen ndaj projekteve të përbashkëta për të "bërë diçka të bukur për komunitetin dhe për botën", pasi "njeriu realizon veten duke u lidhur me të tjerët dhe me Zotin". Ndryshe, është vetëm egoizëm, autoreferencialitet, endogami për t'u luftuar, për shembull, duke praktikuar "kuptimin social" të çiftit që angazhohet, së bashku, në kërkimin e të mirës së përbashkët. Qendrore, në këtë fushë, është vëmendja ndaj të varfërve, të cilët — siç theksoi Leoni XIV — janë "një çështje familjare" e të krishterit, jo një "problem social" i thjeshtë.
Dashuria bashkëshortore si premtim i pafundësisë
Në përfundim, Nota Doktrinore thekson se "çdo martesë autentike është një unitet i përbërë nga dy individë, që kërkon një marrëdhënie aq intime dhe totalizuese sa nuk mund të ndahet me të tjerët". Prandaj, midis dy pronave thelbësore të lidhjes martesore — uniteti dhe pazgjidhshmëria — është e para që themelon të dytën: besnikëria është e mundur vetëm duke u nisur nga një bashkësi e zgjedhur dhe e rinovuar. Vetëm kështu dashuria bashkëshortore do të jetë një realitet dinamik, i thirrur për një rritje dhe zhvillim të vazhdueshëm në kohë, në një "premtim pafundësie".
Nga Libri i Zanafillës te magjisteri i Papëve
Duhet theksuar se Nota Doktrinore ofron gjithashtu edhe një ekzaminim të gjerë teologjik, filozofik dhe poetik mbi temën e monogamisë, duke filluar nga kapitulli 2 i Librit të Zanafillës ("Të dy do të jenë një trupi vetëm") dhe duke kaluar te Etërit e Kishës, ndër të cilët Shën Augustini që përshkruan bukurinë e unitetit bashkëshortor si "një ecje së bashku, krah për krah". Nuk mungojnë, pastaj, referencat ndaj ndërhyrjeve kryesore të magjisterit të Kishës në këtë fushë: nga Papa Leoni XIII që lidh mbrojtjen e monogamisë me mbrojtjen e dinjitetit të gruas, te Papa Piu XI, autor i enciklikës Casti connubii. Të shumta janë gjithashtu edhe citimet e Koncilit të Dytë të Vatikanit, në të cilat theksohet se si dashuria monogame është pasqyrë e "dinjitetit të barabartë të secilit prej dy bashkëshortëve".