Kërko

Neshtari italian Carmelo De Palma Neshtari italian Carmelo De Palma

Në Bari, lumturimi i Carmelo De Palma, "hero i rrëfyestores"

Kardinali Semeraro, Prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, do të kryesojë Meshën e Lumnimit nesër, më 15 nëntor, në Bari për priftin dioqezan i cili ia kushtoi të gjithë energjinë e tij shërbesës si rrëfyes dhe drejtues shpirtëror. Postulatori: "Me një zemër bujare, ai u bë baba, edukator dhe vëlla për shumë njerëz".

R.SH. / Vatikan

"Datorem hilarem diligit Deus! Zoti e do dhuruesin e gëzuar!": kjo ishte motoja e Carmelo De Palma-s, meshtar i Kryedioqezës së Bari-Bitontos, Itali, i cili do të shpallet i Lum nesër, të shtunën, më 15 nëntor, në orën 10:00, në Katedralen e Shën Nikollës,  në Bari, kryeqytetin puliez. Kremtimi, i cili fillon në orën 10:00, kryesohet nga Kardinali Marcello Semeraro, Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Çështjet e Shenjtorëve, përfaqësues i Papës.

Arsimi teologjik

De Palma lindi në qytetin e vjetër të Barit, më 27 janar 1876: ishte i treti nga pesë fëmijë. Bir i një familjeje, që nuk ishte e pasur, në moshën pesëvjeçare i humbi të dy prindërit. Dhjetë vjeç hyri në seminarin e Shën N’kollit e, më pas, përfundoi studimet teologjike në Napoli, ku u shugurua prift në vitin 1898.

Letërkëmbim me Alfredo Ildefonso Schuster

Duke vuajtur nga dhimbjet e kokës, kaloi disa kohë në manastirin benediktin të Montecassino-s. Atje u takua me Alfredo Ildefonso Schuster, Kardinal i ardhshëm i Milanos, shpallur i lum nga Shën Gjon Pali II, në vitin 1996, me të cilin filloi letërkëmbimin. I tërhequr nga përshpirtëria benediktine, donte të bëhej murg, por nuk qe thirrja e tij, kështuqë vendosi të qëndronte në Kapitullin e Shën Nikollës, në Bari. Në atë rast, Kardinali Shuster i shkroi: "Do të bëhesh shenjtor gjithsesi".

Kujdesi për Liturgjinë

Në vitin 1899, përveç një diplome në Teologji, mori diplomën në Letërsi nga Universiteti i Napolit. Në vitin 1902 shkoi në Romë për të përfunduar studimet në Kolegjin Leonin dhe, po atë vit, u emërua kanonik i Bazilikës së Shën Nikollës ku, me kalimin e kohës, do të merrte detyra të ndryshme. Eprori i Madh i bazilikës i besoi drejtimin shpirtëror të murgeshave benediktine të Manastirit të Shën Skolastikës, e ai iu përgjigj me pasion e zell për dyzet vjet, duke u kujdesur për përshpirtërinë dhe liturgjinë. U kujdes ndërkaq, edhe për Motrat Oblate të Shën Benediktit.

Ndihmesa për kthesën e në shumë laikëve

Në vitin 1926 u emërua asistent i Rinisë Femërore të Veprimit Katolik (më vonë edhe i Rinisë së Grave) dhe mbështeti e gjallëroi Unionin Apostolik të Klerit (themeluar në Bari në vitin 1957). U ofroi drejtim shpirtëror shumë laikëve, përfshirë Shërbëtorët e Zotit Giovanni Modugno (një nga edukatorët më të mëdhenj të shekullit të 20-të), në kthesën e të cilëve De Palma kontribuoi ndjeshëm në bashkëpunim me Bina Morfinin, themeluese e Urdhrit të Tretë të Karmelitanëve në Bari. I quajtur "heroi i rrëfyestores", ai vazhdoi ta ushtronte këtë shërbesë deri në fund të jetës së tij, pavarësisht sëmundjeve të ndryshme fizike.

Sëmundja e gjatë

Një humbje progresive e shikimit i bëri të nevojshëm përjashtimin nga leximi i breviarit (lutjeve gjatë ditës), të cilin e zëvendësoi me Rruzaren, dhe me kremtimin e Meshës së duhur të çdo dite, të cilën, nga sa mbaj mend, e zëvendësonte gjithmonë me Meshën e Zojës. Në muajt e fundit të jetës, u detyrua të rrinte palëvizur. Vdiq më 24 gusht 1961, nga ligështia e zemrës. Në gurin e varrit të tij u shkrua thjesht: “Carmelus De Palma, sacerdos Christi”.

Kujdesi për të varfrit dhe të përjashtuarit

Lumnimi i tij është njëkohësisht dhuratë dhe shenjë nga Shpirti Shenjt për Kishën e Krishtit në Bari. De Palma ishte meshtar i veçantë, studiues i Etërve dhe i liturgjisë, thellësisht i rrënjosur në traditën teologjike dhe shpirtërore katolike! E pikërisht për këtë arsye, i aftë të kujdesej me vëmedje e dashuri për gjithkënd: të varfër e të pasur, të arsimuar e analfabetë, laikë e shuguruar, të rinj dhe të vjetër.

I orientuar gjithnjë nga Krishti

Eci në udhën e shenjtërimit me dëshirë dhe fe të madhe në veprën e hirit të Zotit gjatë gjithë jetës së tij tokësore, pa ngurrim, pa u lodhur, gjithmonë i orientuar nga Zoti, i mbështetur nga orë të gjata lutjeje para tabernakullit të Shenjtueshmit Sakrament të Eukaristisë, a duke medituar me Marinë, jetën e Krishtit përmes Rruzares; i gjallëruar nga kremtimi liturgjik, ushtrimi i shërbesës së Pajtimit dhe mëshira e Zotit ndaj atyre që i afroheshin.

Përshpirtëria Benediktine

E ndjeu thellë praktikën e drejtimit shpirtëror, veçanërisht ndaj të rinjve, së bashku me pasionin për përshpirtërinë benediktine, që e ndihmoi gjatë qëndrimeve të tij të shpeshta në manastirin e Montecassino-s. Në detyrat e shumta dhe të larmishme të jetës meshtarake, synonte të shenjtëronte veten dhe të tjerët, duke praktikuar një asketizëm të vazhdueshëm shpirtëror me Krishtin!

Dëgjimi dhe ngushëllimi

E jetoi shërbesën e tij në bashkëpunim besnik me ipeshkvijtë dhe, me  zemër bujare, u bë atë, edukator e vëlla për shumë njerëz. Në një prani të kujdesshme, por të vazhdueshme në strukturën kishtare të qytetit, i shoqëroi të rinjtë dhe të rriturit në udhëtimin e tyre të besimit, duke mbështetur me kujdes laikët e përkushtuar dhe duke u ofruar një vesh dëgjues dhe një ngushëllim, për ata që ishin në nevojë.

Shërbesa meshtarake, si rrugë drejt shenjtërimit

Fjalët që gjenden në Dekretin Presbyterorum ordinis të Koncilit II të Vatikanit, në lidhje me rrugët e shenjtërimit për barinjtë dhe priftërinjtë, zbatohen në mënyrë të përsosur për të:

"Meshtarët do ta arrijnë shenjtërinë në mënyrën e tyre nëse, në Frymën e Krishtit, i ushtrojnë funksionet me një angazhim të sinqertë dhe të palodhur". Shërbesa meshtarake është në vetvete një rrugë drejt shenjtërimit personal, drejt pjekurisë së plotë dhe takimit me Krishtin.

Sa më shumë që De Palma ushtronte shërbesën e tij meshtarake - shërbesë e Fjalës së Zotit, të cilën ai e donte vazhdimisht - aq më shumë e praktikonte. Shërbesë udhëzimi dhe edukimi e bashkësisë së krishterë dhe besimtarëve individualë; shërbesë e shenjtërimit të popullit të Zotit përmes sakramenteve; shërbesë e bamirësisë dhe shërbimit - aq më shumë e shenjtëroi veten duke zhvilluar një humanitet tërheqës, humanitet që rrezatonte paqe dhe bindte zemrat ta jetonin Ungjillin në mënyrë radikale, burim i mirë për të gjithë ata që i afroheshin.

Mbështetje për shumë thirrje

Shumë dëshmitarë pohojnë se ai mbështeti, e pa u lodhur kurrë, shumë thirrje dhe të rinj, veçanërisht i vëmendshëm ndaj meshtarëve dhe të varfërve, i gatshëm për të përmbushur bujarisht nevojat e shumta materiale dhe shpirtërore të popullit të Zotit.

"Prifti duhet të jetë vetëm prift"

Mbi të gjitha, De Palma gjithmonë deshi të ishte si Krishti, më i bukuri nga bijtë e njeriut. I zhytur në kompleksitetin e epokës aktuale të ndryshimit, fraza që shqiptoi kur iu ofrua një mundësi mësimdhënieje latinisht dhe greqisht në shkollat ​​e mesme, të cilën autoritetet shtetërore të shkollave donin t'ia jepnin e që ai e refuzoi, ndriçon të gjithë udhëtimin e tij: "Meshtari duhet të jetë vetëm meshtar!"

Romano Gambalunga, postulator

14 nëntor 2025, 17:43