Kërko

Jubileu i bashkëpunëtorëve të Nunciaturave, kard. Parolin: praktikoni gjithmonë përvujtërinë

Kardinali Sekretar i Shtetit të Vatikanit kryesoi sot paradite, në Bazilikën e Vatikanit, Meshën për Jubileun e bashkëpunëtorëve të përfaqësive diplomatike papnore: “Feja dhe shpresa janë një binom i pandashëm”. Ftesa për të bërë mirë në mënyrë “falas dhe të fshehtë”, larg dritave “të përkohshme” të suksesit. Çdo shërbim në Kishë, përfshirë atë diplomatik, “nuk gëzon lavdi të vetën, por duhet të pasqyrojë dritën e Krishtit”

R.SH. / Vatikan

Drita e fesë, qëndresa në lutje dhe praktikimi i përvujtërisë: këto janë tre udhëzimet e treguara nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në Meshën e kryesuar sot paradite, më 17 nëntor, me rastin e Jubileut të bashkëpunëtorëve të përfaqësive papnore. Bashkë-kremtim nga eprorët e Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, riti u zhvillua në Bazilikën e Vatikanit, në altarin e Katedrës, dhe u parapri nga një moment lutjeje në Kishën e San Salvatore in Lauro, në Romë, me një meditim të mbajtur nga rregulltari augustinian Atë Rocco Ronzani, prefekt i Arkivit Apostolik të Vatikanit, dhe nga kalimi procesional i Portës së Shenjtë në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.

Të vëresh praninë e Zotit në jetën e përditshme

Në një fragment të homelisë kardinali Parolin ftoi ta krahasojmë kalimin e Portës së Shenjtë të Bazilikës së Shën Pjetrit me kalimin e Jezusit në rrugën e Jerihos, sikur rrëfen pjesa e Ungjillit të sotëm nga shën Luka (Lk 18,35-43): “Sa herë kalon Jezusi - tha ai - në ditët tona”, edhe gjatë orëve të punës sonë në zyrë, “në bashkëpunimin e kërkuar” me shefin e misionit, në takimet me ipeshkvijtë, meshtarët dhe laikët, “në kryerjen edhe të funksionit diplomatik, në momentet e qetësisë apo në situatat e vetmisë dhe të moskuptimit”. Zoti kalon “dhe ne, ndryshe nga i verbëri i Jerihos, mbetemi në anë të rrugës”. Prandaj, ftesa për të kërkuar, në Vitin e Shenjtë të Shpresës, hirin për të vënë re “kur Zoti kalon në jetën tonë”, në mënyrë që “të rritemi në fe”.

Binomi midis fesë dhe shpresës

Përveç kësaj, vazhdoi kardinali Parolin, feja dhe shpresa “janë një binom i pandashëm”: siç shkruante shkrimtari dhe poeti francez Charles Péguy, “shpresa mbështet fenë” dhe, në të njëjtën kohë, “mbështetet në fe, në sigurinë se Zoti na do”. Ajo e krishterë është, pra, “një shpresë e ndritshme, sepse hap sytë ndaj dashurisë së Zotit”.

Lutja ndihmon të shohësh përtej kufijve dhe pengesave

Duke u ndalur sërish te figura e të verbrit të Jerihos, Sekretari i Shtetit të Vatikanit ftoi të pranishmit të marrin shembull nga “feja e tij e palëkundur” që nuk dorëzohet para turmës që do të donte ta bënte të heshtte dhe shprehet “në qëndresën e lutjes”, duke marrë nga Jezusi “jo vetëm shërimin fizik, por edhe një jetë të re”. “Qëndresa në lutje - tha kardinali Parolin - na mundëson të shohim përtej të gjitha kufijve, si materialë ashtu edhe shpirtërorë; na lejon të kapërcejmë pengesat e përshtatjes, të bashkëjetesës, të vetmisë, të moskuptimit, të zhgënjimit, sepse vë në lojë fuqinë dhe mëshirën e Zotit, për të cilin asgjë nuk është e pamundur”.

Drita e butë” dhe ushtrimi i përgjegjësive

Në fjalët e kardinalit Pietro Parolin edhe kujtimi i Shën John Henry Newman, i shpallur Doktor i Kishës më 1 nëntorin e kaluar, i cili e përkufizonte fenë si një “dritë të butë” që mundëson “të ushtrojmë shqyrtimin e gjykimin në mënyrë të drejtë, pa u kufizuar në kritere ekskluzivisht njerëzore”. Dhe pikërisht kjo është drita e nevojshme “në ushtrimin e përgjegjësive tona personale”, theksoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit.

Shërbimi diplomatik të jetë një pasqyrim i lavdisë së Krishtit Nga këtu, paralajmërimi drejtuar bashkëpunëtorëve të përfaqësive diplomatike papnore që të mos kërkojnë “dritat e përkohshme të skenës, të suksesit, të rezultateve të menjëhershme”, por të praktikojnë “përvujtërinë, duke bërë vepra të mira falas dhe në fshehtësi, duke ndihmuar ata që jetojnë momente të vështira në shtëpi ose në zyrë, duke mos lënduar të tjerët me fjalë të këqija ose me shembuj të këqij”. Kjo sepse, përfundoi kard. Parolin, “çdo shërbim në Kishë, përfshirë atë diplomatik, nuk shkëlqen me dritë të vetën, nuk gëzon lavdi të vetën, por duhet të pasqyrojë, si në një pasqyrë, dritën dhe lavdinë e Krishtit. Përndryshe, kemi dështuar”.

17 nëntor 2025, 15:12