Kërko

Kori i Kapelës Sikstine Kori i Kapelës Sikstine

Jubileu i koreve e i koraleve: priten në Romë 35,000 shtegtarë

Anëtarët e koreve, profesionistë dhe jo-profesionistë nga 117 vende, po përgatiten për të arritur në Vatikan për ritet e Jubileut: të shtunën, më 23, audienca me Papën dhe kalimi nëpër Portën Shenjtë, ndjekur nga Mesha e mbrëmjes në më se 90 kisha të Romës. Të dielën në mëngjes, festimi Eukaristik i kryesuar nga Leoni XIV në Sheshin e Shën Pjetrit, ndërsa pasdite, koncertet "Una sola voce nei secoli" – “Një zë i vetëm ndër shekuj”, do të ndiqen në katër kisha, në qendrën historike të kryeqytetit

R.SH. / Vatikan

U regjistruan afërsisht 35,000 shtegtarë, nga 117 vende. Janë anëtarë të koreve profesioniste, dioqezane, famullitare dhe amatore. Do të marrin pjesë në ngjarjen e Jubileut të Shpresës, e cila fillon këtë të shtunë në orën 10:00 paradite me Audiencën Jubilare të Papës Leonit XIV, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Më pas pjesëmarrësit e Jubileut të koreve do të kalojnë nëpër Portën Shenjte të Bazilikës së Vatikanit. Pasdite, nga ora 14:00 deri në orën 17:00, është në program shtegtimi në Portat Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit,  të Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran,  të Bazilikës së Shën Palit Jashtë Mureve dhe  të Bazilikës së Shën Marisë së Madhe. Në Kishat romake të Jubileut shtegtarët mund të kremtojnë edhe Sakramentin e Pajtimit a të Rrëfimit. Nga ora 17:00 deri në orën 19:30, mbi njëqind prej këtyre koreve do të gjallërojnë Meshët e mbrëmjes në më shumë se 90 Kisha të ndryshme të Romës.

Koncerti "Një zë i vetëm ndër shekuj"

Të dielën, më 23 nëntor, në orën 10:30, shtegtarët e Jubileut të koreve do të marrin pjesë në Meshën, e cila do të kryesohet nga Papa Leoni XIV në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan.

Pasdite, pas koncerteve Jubilare titulluar "Harmonitë e Shpresës” Dikasteri i Vatikanit për Ungjillëzim do të organizojë një koncert titulluar "Një zë i vetëm ndër shekuj". Kjo nismë, pjesë e programit kulturor "Jubileu është kulturë", përbëhet nga një shtegtim liturgjik-muzikor që paraqet, në formën e një shtegtimi artistik, pasurinë dhe larminë e formave korale të lindura në gjirin e traditës së shenjtë perëndimore. Nisma bazohet në idenë se kënga korale nuk është thjesht ekzekutim estetik, por gjuhë e aftë të shprehë, në stile dhe timbre të ndryshme, të njëtën fe të Kishës gjatë shekujve.

Koncerte korale në katër kisha, në qendrën historike

Duke nisur nga ora 16:00 e së dielës, katër Kisha në qendrën historike të Romës do të mirëpresin po aq shfaqje muzikore, secila kushtuar një stine të ndryshme të këngës korale liturgjike. Programi nis në orën 16:00 në Santa Maria in Campo Marzio, me korin  “Accademia Lirica Beniamino Gigli”, që do të interpretojë pjesë nga Palestrina, Croce, De Victoria, De Prez dhe Duruflè. Në orën 17:00, i njëjti kor do të dalë në skenë në Sant'Agnese in Agone, duke shtuar pjesë nga Praetorius, Tartini dhe Bruckner. Më pas, në orën 18:00, kori i Institutit Giovanni Battista Lulli do të interpretojë pjesë nga Delalande dhe Brossard, në Kishën e Shën Luigjit të Francezëve, ndërsa më pas do të shkojë në  Kishën San Salvatore në Lauro, ku në orën 19:00 do të interpretojë pjesë nga Charpentier dhe Dumont.

Udhëtimi do të jetë, pra, fizik dhe shpirtëror: nga pastërtia kontrapuntistike rinashimentale, tek solemniteti i Barokut e deri tek atmosferat më intime e më kundruese të epokës moderne, duke dëshmuar se si kënga, me kalimin e kohës, mori karakteristika të ndryshme teknike dhe gjuhësore, por duke mbetur gjithnjë  zë i përshpirtërisë!

21 nëntor 2025, 12:26