Jubileu i të Varfërve: në Romë priten 10 mijë shtegtarë, të dielën mesha me Papën
R.SH. / Vatikan
Nga e premtja 14 deri të dielën 16 nëntor në Romë do të mbahet Jubileu i të Varfërve, brenda të cilit përfshihet edicioni i IX i Ditës Botërore të të Varfërve, që kremtohet të dielën më 16 nëntor.
Në Jubile do të marrin pjesë 10 mijë shtegtarë nga e gjithë bota, sidomos persona në kushte brishtësie dhe varfërie, të asistuar nga shoqatat bamirëse të dioqezave, vullnetarë dhe operatorë. Ngjarja jubilare do të fillojë të premten, 14 nëntor, në orën 17:30 me "Vigjiljen e Mëshirës", e animuar nga shoqata franceze "Fratello", pranë Bazilikës së Shën Palit jashtë mureve. Të shtunën më 15 nëntor, pastaj, ndërmjet orës 9 dhe 15 shtegtarët do të kalojnë Portën e Shenjtë të Bazilikës së Shën Pjetrit. Pasdite, në orën 16, shoqata "Fratello" do të animojë një moment të dytë lutjeje mariane në Sheshin Shën Pjetrit në Vatikan. Të dielën më 16 nëntor Papa Leoni XIV do të kryesojë kremtimin Eukaristik në Bazilikën e Shën Pjetrit me rastin e Ditës IX Botërore të të Varfërve dhe të Jubileut të të Varfërve.
Në Bazilikë do të jenë të pranishëm të varfër dhe shoqata të angazhuara përditë në shoqërimin e më nevojtarëve, 1.300 prej të cilëve, pas Meshës, do të jenë mysafirë në Sallën Pali VI për drekën me Papën, organizuar nga Dikasteri i Vatikanit për Shërbimin e Bamirësisë. Në fund të drekës secili do të marrë si dhuratë një çantë shpine me mallra të nevojës së parë, falë mbështetjes së Etërve Vinçencianë, të cilët, me rastin e 400-vjetorit të themelimit të kongregatës së tyre, kanë dashur të nderojnë të varfërit me një gjest konkret afërsie.
Në kremtimin në Bazilikën e Shën Pjetrit do të jenë të pranishme në mënyrë të jashtëzakonshme reliket e Shën Benediktit Jozef Labre, i quajtur "endacaku i Zotit", të ruajtura normalisht në Kishën e Santa Maria ai Monti, në Romë. Labre është një shenjtor që nuk kishte banesë fikse, dhe që kishte zgjedhur Koloseun si shtëpi. Motoja e zgjedhur nga Papa Leoni XIV për edicionin e këtij viti është marrë nga Psalmi 71 (v. 5): "Ti je, Zoti im, shpresa ime", siç u njoftua më 13 qershor të këtij viti.
"Ta ndihmosh të varfrin" është "çështje drejtësie, para bamirësisë" dhe "të gjitha format e varfërisë, pa përjashtim, janë thirrje për ta jetuar konkretisht Ungjillin e për të dhënë shenja shprese". Kjo, thirrja që bën Papa Leoni XIV në Mesazhin e tij për Ditën e IX Botërore të të Varfërve, e cila do të kremtohet të dielën më 16 nëntor. I botuar sot, 13 qershor, në kujtim të Shën Antonit të Padovës, Pajtorit të të varfërve, Leoni XIV këmbëngul në rëndësinë e shpresës së krishterë, temë e këtij Viti Shenjt, për të prodhuar vepra konkrete që mund t’i kundërvihen indiferencës, pabarazisë dhe konflikteve, të cilat sot i katandisin mijëra njerëz në mbarë botën në situata varfërie.