Kard. Fernández: dokumenti "Mater Populi Fidelis" shenjë kujdesi për fenë e popullit të Zotit
R.SH. – Vatikan
Mbledhja e dyshimeve dhe propozimeve të ardhura në dekadat e fundit në Selinë e Shenjtë për të sqaruar disa aspekte në marrëdhëniet ndërmjet Marisë dhe popullit të Zotit. Një devocion, ai për Virgjrën Mari, që është "thesar i Kishës", i aftë të ndihmojë besimtarët ta nderojnë atë si "një prej tyre", pjesëmarrëse në ndjenjat dhe "problemet" e tyre dhe të hapë zemrën "ndaj hirit që vetëm Zoti mund të krijojë dhe komunikojë në thellësinë e zemrave tona". Duke analizuar këto aspekte, sot, më 4 nëntor, në Kurien e Përgjithshme të Shoqërisë së Jezusit, në Romë, u prezantua dokumenti i ri i Dikasterit të Vatikanit për Doktrinën e Fesë me titull Mater Populi Fidelis. Nota doktrinore mbi disa tituj marianë që i referohen bashkëpunimit të Marisë në veprën e shëlbimit. Morën pjesë prefekti i Dikasterit për Doktrinën e Fesë, kardinali Víctor Manuel Fernández, dhe profesor Maurizio Gronchi, profesor në Universitetin Papnor Urbaniana dhe këshilltar i Dikasterit. Takimin e moderoi monsinjor Armando Matteo, sekretar për seksionin doktrinor të Dikasterit vatikanas të Fesë.
Dyshimet dhe propozimet e besimtarëve
Dokumenti ka një vlerë "të veçantë", "të lartë" në krahasim me ato të publikuara në dy vitet e fundit, theksoi kardinali Fernández në fjalën e tij, duke specifikuar se Mater Populi Fidelis, i nënshkruar nga Papa, i përket Magjisterit të zakonshëm të Kishës dhe "duhet të merret parasysh në studimin dhe thellimin e argumenteve mariologjike". Një tekst, shtoi kardinali argjentinas, që nuk ka rënë "nga qielli", pasi i përgjigjet dyshimeve dhe propozimeve të ardhura në Selinë e Shenjtë në tridhjetë vitet e fundit në lidhje me devocionin dhe titujt marianë. Që në kohën e kardinalit të atëhershëm Joseph Ratzinger, tema ishte trajtuar me kujdes, duke dhënë origjinë në një analizë të cilës Shën Gjon Pali II i kushtoi "vëmendje të veçantë". Kjo, theksoi kardinali, tregon se dokumenti rrënjoset në një reflektim dhjetëvjeçar.
"Marrëdhënia e Marisë me ne"
Kardinali Fernández më pas ofroi disa çelësa për interpretimin e Notës doktrinore. Nxitja apostolike Evangelii gaudium, shpjegoi ai, trajton kumtimin e Ungjillit dhe jo temën më të gjerë të ungjillëzimit. Në të njëjtën mënyrë, Mater Populi Fidelis trajton në mënyrë specifike "marrëdhënien e Marisë me ne", pra "devocionin e vërtetë marian në dritën e Fjalës së Zotit". Fija udhëheqëse e dokumentit është pra "mëmësia e Marisë ndaj besimtarëve", temë që "nxitë devocionin e besimtarëve" dhe përmban dy aspekte themelore: afërsinë e saj amësore dhe ndërmjetësimin e saj. "Nuk është e nevojshme të shpikim koncepte të tjera për të vlerësuar rolin e Marisë në jetën e besimtarëve", tha kardinali Fernández. Dokumenti thellon devocionin marian në Bibël, duke konfirmuar se ai nuk është "një shpikje e Kishës", as një produkt "thjesht psikologjik apo kulturor", por "një vepër e Shpirtit Shenjt te besimtarët".
Të mësosh "besimin e freskët"
Devocioni marian paraqitet pra si "thesar i Kishës". "Ne nuk duam t'i gjykojmë të krishterët e thjeshtë si besimtarë të dorës së dytë sepse nuk kanë bërë kurse teologjie ose sepse nuk marrin pjesë në strukturat kishtare", theksoi kardinali. "Ne duam, përkundrazi, të mësojmë prej tyre besimin e freskët, aftësinë për t'ia besuar vetveten pa hezitim, në saje të butësisë së gjallë të dashurisë së tyre, Zotit dhe Nënës." Shumë besimtarë, vuri në dukje kardinali Fernández, nuk dyshojnë në transcendencën: "Nuk pyesin veten nëse Zoti ekziston apo jo; ata e dinë me siguri se kanë nevojë për misterin që i tejkalon". Është një besim që shprehet në mënyrën e vet, jo përmes fjalëve apo teorive, por si "shprehje mistagogjike dhe simbolike e astij qëndrimi ungjillor të besimit te Zoti që Shpirti Shenjt ngjall lirisht te besimtarët". Duke zbukuruar fuguret mariane, besimtarët njohin dhe nderojnë "Marinë historike", e cila është "njëra prej tyre": një nënë që ka mbajtur fëmijën në kraharor, e ka rritur, duke u përballur me vështirësitë e amësisë. Virgjëra Mari është gjithashtu ajo që "kupton çfarë do të thotë të jesh migrant ose i mërguar" dhe e di çfarë do të thotë "të jesh i përbuzur sepse i përket familjes së një zdrukthëtari të varfër". Titulli i dokumentit Mater Populi Fidelis, shpjegoi Fernández, tregon se si devocioni marian nuk është "një çështje individuale", por shtrihet në të gjithë popullin e besimtarëve: një koncept që gjen shprehje konkrete në shtegtime, përvoja komunitare por edhe intime e personale.
Të dallosh për të ruajtur
Në këtë kontekst futet “shqetësimi” për të sqaruar “legjitimitetin” e disa titujve marianë. Ekzistojnë në fakt grupe dhe botime, edhe online, që “zgjojnë shpesh dyshime te besimtarët më të thjeshtë”. Dokumenti Mater Populi Fidelisdallon pra midis titujve që korrespondojnë “me një devocion marian të vërtetë e të frymëzuar nga Ungjilli” dhe të tjerëve që “nuk favorizojnë një kuptim të përshtatshëm në harmoni me mesazhin e krishterë”. Nuk bëhet fjalë, saktësoi ai, për të “gjykuar qëllimet e besimtarëve që kërkojnë mënyra të reja për të shprehur bukurinë e Marisë”, por për të dalluar dhe për të ruajtur “besimin e vërtetë”. Nota doktrinore na fton të merren parasysh tekstet biblike që pohojnë me forcë unicitetin e Krishtit. “Në asnjë tjetër nuk ka shpëtim”, pohojnë Veprat e Apostujve dhe “Një i vetëm, në fakt, është Hyji dhe një i vetëm është edhe Ndërmjetësi midis Hyjit e njerëzve, Njeriu - Jezu Krishti ”, lexohet në Letrën e Parë të Palit drejtuar Timoteut. Nga këto pasazhe, Kisha ka shpjeguar "vendin unik të Krishtit”, që megjithatë nuk përjashton se “në kuptime të tjera, Biri e përfshin Marinë në një ndërmjetësim pjesëmarrës”.