Kard. Parolin inauguron Qendrën e Rehabilitimit Gjon Pali I: "Na frymëzoftë dashuria e tij e madhe"
R.SH. – Vatikan
“Figura e Papës Gjon Palit I, të cilit i dedikojmë këtë Qendër Rehabilitimi, duhet të jetë një frymëzim për të gjithë ne. Nuk mjafton vetëm të vendosim emrin e tij në një pllakë, por duhet të frymëzohemi nga mënyra e tij e veprimit, sidomos nga dashuria e tij e madhe”. Kështu tha kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit dhe president i Fondacionit të Vatikanit Gjon Pali I, në ceremoninë e inaugurimit të Qendrës së re Ambulatore të Rehabilitimit “Gjon Pali I”, në lagjen juglindore të Romës, La Romanina. Kardinali Parolin arriti në Qendër rreth orës 17.10, i pritur nga të paktën 200 persona, nga stafi i Ambulatorit dhe nga autoritetet civile.
Dashuria e buzëqeshur
Ceremonia e shkurtër e inaugurimit u zhvillua në hyrje të ‘Qendrës së Rehabilitimit Gjon Pali I', ku kushdo që hyn pritet menjëherë nga një pllakë e ndriçuar me emrin "Gjon Pali I". Dhe kujtimi i kardinalit Parolin shkoi menjëherë te Papa venecian: “Papa Luciani mësonte se ne e duam Zotin duke dashur të afërmin tonë: të dy dashuritë janë binjake të pandashme. Dashuria e tij ishte e thjeshtë, që shfaqej në përditshmëri, ishte bërë nga vëmendje të vogla. Dhe ishte gjithashtu edhe një dashuri e buzëqeshur. Të varfrit, thoshte Papa Luciani, janë thesari i Kishës”.