Kërko

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Parolin Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Parolin

Kard. Parolin: të mbrosh dinjitetin e të miturve në epokën e IA është një nga sfidat më të mëdha

Sekretari i Shtetit Vatikanit, Kard. Parolin, u dërgon një mesazh pjesëmarrësve në konferencën ndërkombëtare "Dinjiteti i Fëmijëve dhe Adoleshentëve në Epokën e Inteligjencës Artificiale", që po zhvillohet në Romë. Kardinali paralajmëron për rrezikun që njerëzit mund të shkaktojnë "me zhdukjen e tyre" përmes përdorimit të formave artificiale të jetës që nuk e respektojnë dinjitetin njerëzor dhe për këtë arsye, bën thirrje për "përpjekje ndërdisiplinore dhe multikulturore"

R.SH. / Vatikan

"Jemi rrëzë një epoke të re, apo njerëzit, heret a vonë, do të shkaktojnë zhdukjen e tyre përmes përdorimit të formave artificiale të jetës? Apo do të zvetënohemi në simulime të thjeshta, që nuk e njohin më dinjitetin njerëzor?".

Pyetje themelore, kjo, paralajmërim alarmues dhe nxitje për reflektim pyetja që Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, u drejtoi pjesëmarrësve në konferencën ndërkombëtare titulluar "Dinjiteti i Fëmijëve dhe Adoleshentëve në Epokën e Inteligjencës Artificiale". I organizuar nga Telefono Azzurro dhe Fondacioni i Fëmijëve për Studimin dhe Kërkimin mbi Fëmijërinë dhe Adoleshencën, ngjarja u zhvillua dje, më 12 nëntor, në Pallatin e Kancelerisë, në Romë, bashkoi zëra autoritarë nga bota e akademisë, institucioneve, shkencës dhe teknologjisë, për të gjurmuar implikimet etike, ligjore, sociale dhe antropologjike të Inteligjencës Artificiale!

Çështje ekzistenciale e morale

Temë veçanërisht e rëndësishme kjo e konferencës ndërkombëtare "Dinjiteti i Fëmijëve dhe Adoleshentëve në Epokën e Inteligjencës Artificiale", shkruan Kardinali Parolin në mesazh, sepse lidhet me mbrojtjen dhe dinjitetin e fëmijëve:

"Një nga sfidat më të mëdha, me të cilat duhet të përballet njerëzimi: sot e edhe në të ardhmen".

Sekretari i Shtetit të Vatikanit shikon "mundësitë" e ofruara nga shkenca dhe teknologjia, të cilat në mënyrë të pashmangshme çojnë në kërkim të lirisë dhe përgjegjësisë njerëzore. Këto përparime të shpejta, veçanërisht në fushën e Inteligjencës Artificiale, po pasohen nga "çështje ekzistenciale dhe morale në një shkallë që rrallëherë është parë deri më sot".

Progres njerëzor dhe shpirtëror

Kjo është arsyeja pse Kard. Parolin inkurajon "vlerësimin e mundësive dhe rreziqeve të epokës dixhitale, për të mirën e qenieve njerëzore, të bashkësisë njerëzore dhe krijimit në tërësi", shkruan Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë. "Është e dobishme edhe për të nxjerrë përfundime të përshtatshme lidhur me veprime konkrete, për shembull në politikë, legjislacion, arsim e edhe në hartimin e shërbimeve sociale mbështetëse".

E gjithë kjo "mund të ndodhë vetëm përmes përpjekjeve ndërdisiplinore dhe shumëkulturore, nëse duam ta zgjidhim me drejtësi kompleksitetin e çështjes dhe diversitetin e realiteteve njerëzore", pohon Kard. Parolin.

Sekretari i Shtetit të Vatikanit e përfundon mesazhin duke cituar fjalët e Papës Françesku në Kongresin Botëror mbi Dinjitetin e Fëmijëve në Botën Dixhitale,  mbajtur në Universitetin Papnor Gregorian, në vitin 2017: "Liria njerëzore është e aftë ta kufizojë teknologjinë, ta ridrejtojë dhe ta vërë në shërbim të një lloji tjetër progresi, më të shëndetshëm, më njerëzor, më social e më integral".

12 nëntor 2025, 15:09