Kërko

Fjala e Paolo Ruffinit në Seminarin e Komunikimit të Kryedioqezës së Rio de Janeiro-s, nga 28 deri më 31 tetor Fjala e Paolo Ruffinit në Seminarin e Komunikimit të Kryedioqezës së Rio de Janeiro-s, nga 28 deri më 31 tetor

Komunikimi, Ruffini: të rikrijohet besimi në lajmet e vërteta

Inteligjenca artificiale, dezinformimi, algoritmet dhe izolimi dixhital. Këto janë disa nga temat e trajtuara nga Prefekti i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Komunikim, në fjalimin e tij gjatë Seminarit të 12-të të Komunikimit në Kryedioqezën e Rio de Janeiro-s, mbajtur nga 28 deri më 31 tetor. Praktikat e mira të komunikimit, theksoi, janë ato që nxisin dialogun.

R.SH. / Vatikan

"Çdo informacion që përhapim është si ushqimi: mund të ushqejë - ose të helmojë". Këtë theksoi Paolo Ruffini, Prefekt i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Komunikim, gjatë fjalimit të tij në Seminarin e 12-të të Komunikimit të Kryedioqezës së Rio de Janeiro-s, mbajtur nga 28 deri më 31 tetor. Prefekti foli kryesisht mbi rolin e komunikuesve në kohët bashkëkohore, duke trajtuar çështje shumë aktuale: inteligjencën artificiale, dezinformimin dhe lajmet e rreme, fuqinë e algoritmeve në manipulimin e përmbajtjes dhe vetminë e krijuar nga platformat dixhitale, ku humbet kontakti i drejtpërdrejtë ndërmjet njerëzve. Përballë këtij peizazhi konfuz dhe të pasigurt, shpjegoi Ruffini, të gjithë mund të rindërtojnë besimin në lajmet e mira dhe të vërteta, të përqafojnë pluralizmin dhe të krijojnë mundësi për të promovuar hapësira për dëgjim, dialog dhe ndjekje të palodhur të së vërtetës.

Tema e Seminarit të këtij viti është: Nise lundrimin! (Lk 5,4) - Ndërtimi i zërit dhe i pranisë në strategjitë e komunikimit dhe menaxhimi i rrjeteve sociale". Prefekti i Dikasterit mori pjesë në një diskutim në tryezë të rrumbullakët me titull: "Arsimi, Politika, Gazetaria dhe Shëndetësia: Ura për Dialog Social". U shoqërua nga pulmonologia dhe studiuesja në Fiocruz, Maragareth Dalcolmo, gazetari Gerson Camarotti dhe edukatorja Cláudia Sabino, e cila merret me edukimin qytetar dhe integrimin e arsimit dhe të komunikimit.

Komunikimi, që ndërton ura

Ruffini foli me të pranishmit për nevojën për komunikim të përqendruar në ndërtimin e urave, ndarjen e ideve, ëndrrave, sfidave dhe shpresave, për të kundërshtuar komunikimin e urrejtjes, intolerancës, mosbesimit, ndarjes dhe dorëzimit.

"Ne duhet të dëgjojmë histori - histori të së mirës, ​​por edhe histori të ligësisë, në të cilat gjithmonë ekziston mundësia e ndryshimit dhe e shpengimit; ne duhet të rizbulojmë, duke dëgjuar njëri-tjetrin, bukurinë e njerëzimit tonë." Përqafimi i pluralizmit është gjithashtu një hap i rëndësishëm drejt komunikimit të respektueshëm ndërmjet njerëzve. Ruffini citoi fjalët e Papës Pali VI: "Ne jemi pluralistë pikërisht, sepse jemi katolikë, domethënë universalë", e respekti për realitetin dhe të vërtetën nuk duhet të kufizohet.

Inteligjenca Artificiale

Lidhur me inteligjencën artificiale, Prefekti i Dikasterit për Komunikim theksoi se ajo ofron njohuri dhe praktikë të jashtëzakonshme, por në të njëjtën kohë drejtohet nga algoritme që filtrojnë përmbajtjen përmes klikimeve dhe mund ta çojnë shoqërinë të besojë në diçka që nuk ekziston ose nuk ka ndodhur kurrë. "Hapësira në dukje publike a në dukje neutrale e platformave dhe inteligjencës artificiale qeveriset nga algoritme që askush prej nesh nuk i ka negociuar, por që imponojnë rregullat e lojës. Një lojë, që mund të jetë shumë e rrezikshme", paralajmëroi ai. "Për herë të parë në histori" theksoi Ruffini, "njerëzimi po pyet veten nëse ajo që sheh dhe dëgjon është e vërtetë apo e rreme".

Boshllëk pasigurie dhe mundësish

Edhe pse peizazhi i komunikimit është plot me sfida, gracka dhe boshllëqe dixhitale, për Ruffinin, kjo është gjithashtu një kohë mundësish dhe zgjedhjesh. "Një fushë e hapur ku mund të zgjedhim të bashkëpunojmë", shpjegoi ai, "të ndërtojmë ura dhe aleanca midis burrave dhe grave me vullnet të mirë; ose t'i lëmë të tjerët ta mbushin atë me kaos dhe manipulim." Adresimi i këtij skenari kërkon rindërtimin e besimit "për të ruajtur njerëzimin tonë", pasi komunikimi i shtrembëruar lind grupe armiqësore, në vend të komuniteteve mbështetëse. "Ne mund dhe duhet ta rivendosim komunikimin në kuptimin e tij origjinal, kaq afër bashkimit", shpjegoi prefekti. "Të komunikosh do të thotë të kërkosh, madje edhe me kokëfortësi, një marrëdhënie."

Vetmia dhe Izolimi Dixhital

Në vend që të ndërtojë ura, komunikimi mund të bëhet mjet përçarjeje, polarizimi dhe ndasie partiake, paralajmëroi Ruffini, kur përdoret për qëllime të errëta ose personale. Ne duhet të ofrojmë një alternativë, shtoi ai, "për ata që shfrytëzojnë frikën, manipulojnë nevojat reale për përfitime ideologjike ose personale, duke krijuar armiq për të luftuar dhe beteja inekzistente për t'u paraqitur si udhëheqës dhe shpëtimtarë". Prefekti, më pas, trajtoi fenomenin e vetmisë së shkaktuar nga hiperlidhshmëria dhe bombardimi i informacionit. "Rritja e platformave dixhitale na ka mësuar me një jetë pa kontakt", vërejti ai, "duke porositur ushqim, në vend që të darkojmë me miqtë, duke blerë libra në internet, në vend që të vizitojmë biblioteka, duke punuar nga distanca, duke qëndruar në shtëpi pa kontakt të vërtetë njerëzor dhe pa ndërtuar marrëdhënie me kolegët".

Në këtë mënyrë, sipas Ruffinit, ne humbasim spontanitetin e takimeve, madje edhe të papritura, dhe aftësinë për të ndërtuar marrëdhënie jashtë rretheve tona të zakonshme. Jeta jonë fizike ka filluar të ngjajë me atë dixhitale. Një botë bipolare, e ndarë ndërmjet 'nesh dhe atyre'". Një dikotomi, që i bën qeniet njerëzore të humbasin aftësinë për të jetuar në pluralizëm dhe për të pranuar diversitetin.

"Varet nga ne ta thyejmë këtë magji. Të rizbulojmë veten. Të rizbulojmë veten në bukurinë e dialogut, të takimit, në kërkimin e mundimshëm të së vërtetës, e cila nuk është një supë e gatshme".

Roli themelor i Kishës

Kisha luan një rol themelor në formimin e opinionit publik, sepse "prek zemrat dhe mendjet e njerëzve", theksoi Ruffini, dhe promovon rindërtimin e kapacitetit për dialog "dhe për t'u takuar vërtet personalisht". Sinodaliteti në Kishë shpreh - sipas prefektit - parimin konkret të "ecjes së bashku". Por ai paralajmëron se nuk duhet të mbetet thjesht koncept abstrakt: duhet të bëhet lëvizje e vërtetë: zgjedhja në jetë duhet të jetë ndërmjet shërbimit ndaj egoizmit vetjak ose frytit të dialogut dhe të komunitetit, "në kuzhinën publike ku ushqehemi të gjithë ".

Seminari i komunikimit

Gjatë katër ditëve të aktiviteteve të tij, Seminari i 12-të i Komunikimit i Kryeipeshkvnisë së Rios ofroi konferenca, tryeza të rrumbullakëta dhe diskutime mbi ungjillëzimin dixhital, zyrën e shtypit, etikën e komunikimit dhe praninë e krishterë në mediat sociale. Sipas organizatorit të ngjarjes, Atë Arnaldo Rodrigues, drejtor i komunikimit i CNBB, qëllimi ishte të promovonte takimin ndërmjet besimit, kulturës dhe qytetarisë në kontekstin e komunikimeve, duke u ndalur tek sfidat aktuale shoqërore. Më shumë sesa një konferencë, ishte: "Hapësirë ​​pluraliste për dëgjim, reflektim dhe veprim të përbashkët për t'iu përgjigjur sfidave bashkëkohore të komunikimit, teknologjisë, etikës dhe jetës publike".

02 nëntor 2025, 14:54