Imzot Gallagher në Sri Lanka për të përkujtuar 50 vjet marrëdhënie diplomatike me Selinë e Shenjtë
R.SH. / Vatikan
Që sot, 3 nëntor, deri të shtunën, 8 nëntor, Kryeipeshkvi Paul R. Gallagher, Sekretar i Vatikanitm për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, do të jetë në Sri Lanka për të përkujtuar 50 vjet marrëdhënie diplomatike me Selinë e Shenjtë dhe për të forcuar angazhimin e përbashkët për paqe dhe bashkëpunim. Gjithashtu do të vizitojë vendet e prekura nga sulmet e tmerrshme të Pashkëve të vitit 2019.
Programi i udhëtimit
Më konkretisht, sipas programit të publikuar nga faqja zyrtare e platformën sociale X e Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, @TerzaLoggia, Kryeipeshkvi Gallagher do të takohet sot me Kryeministren Harini Amarasuriya. Një takim me Presidenten Anura Kumara Dissanayake është planifikuar për të martën, më 4 nëntor, i ndjekur nga një takim tjetër me Vijitha Herath, Ministër i Punëve të Jashtme. Po atë ditë, Kyeipeshkvi Gallagher do të marrë pjesë në Konferencën mbi Perspektivën dhe Angazhimin e Selisë së Shenjtë për Dialog e Paqe dhe në kremtimin e 50-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike.
Vizitë në vendet e sulmeve të vitit 2019
Dita e 5-të do të fillojë me një vizitë në vendet e sulmeve të Pashkëve të vitit 2019, ku u shuan mbi 250 jetë. Menjëherë pas kësaj, Kryeipeshkvi Gallagher do të kremtojë një Meshë falënderimi në Katedralen e Shën Luçisë, në Kolombo, dhe do të takohet me anëtarët e Konferencës Ipeshkvnore të Sri Lankës. Takimet janë planifikuar për 6 nëntor me autoritetet fetare të Malwatta në Kandy dhe autoritetet fetare të Asgiriya në Kandy, të ndjekura nga një vizitë në Tempullin Budist të Kandy. Ditën e fundit, Sekretari i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet do të vizitojë Seminarin Kombëtar të Zojës së Lankës dhe do të takohet me seminaristët dhe stafin akademik.