Kërko

Kryeipeshkvi i Kishës maronite të Bejrutit: Papa këtu në Liban na thotë se nuk jemi vetëm

Imzot Paul Abdel Sater e pret me padurim vizitën e ardhshme të Papës Leonit XIV në Vendin e Kedrave, Liban, duke theksuar afërsinë e vazhdueshme të shprehur që në ditët e para të papnisë së tij: "Nuk presim që Papa të ofrojë një zgjidhje për problemet tona", por një "shpresë më të madhe për të vazhduar misionin tonë". Papa vjen në Liban për t’i ngrohur zemrat e besimtarëve. Komuniteti i krishterë lokal po përgatitet të mirëpresë Papën nga 30 nëntori deri më 2 dhjetor.

R.SH. – Vatikan

Në mes të krizave socio-ekonomike dhe politike të përballuara në dekadat e fundit, vizita e Papa Leonit XIV në Liban përfaqëson një balsam "shprese, paqeje dhe dashurie" për popullatën lokale. Jo një "zgjidhje" e menjëhershme për të gjitha çështjet që ende prekin Vendin e Kedrave, Liban, por një "prani" që në vetvete është tashmë "e mjaftueshme" për të ngrohur zemrat e besimtarëve. Këto janë pritshmëritë e kryeipeshkvit maronit të Bejrutit, imzot Paul Abdel Sater, i cili shpjegon për mediat e Vatikanit se si komuniteti lokal po përgatitet të mirëpresë Papën nga 30 nëntori deri më 2 dhjetor.

Cili është mesazhi kryesor që shpresoni se Papa Leoni XIV mund t'u transmetojë besimtarëve në Liban gjatë vizitës së tij?

Besoj se Papa tashmë e ka dërguar mesazhin e tij. Një mesazh shprese, paqeje dhe dashurie. Që nga ditët e para të papnisë së tij ka folur për Libanin, për vështirësitë tona. Ai ka treguar sa shumë i intereson vendi ynë dhe misioni i të krishterëve libanezë në rajon. Do të jetë sigurisht një mesazh i fuqishëm, dashurie, drejtuar të gjithë të pranishmëve, dhe atyre që nuk do të mund të marrin pjesë. Do të na japë gjithashtu edhe më shumë shpresë për të vazhduar misionin tonë në zonë, për të qenë ende dëshmitarë të dashurisë ndaj çdo personi. Besoj se vizita e tij do të ketë një ndikim të madh tek të gjithë ne.

Si mund të kontribuojë kjo vizitë e Papës në forcimin e shpresës mes popullit libanez, në dritën e rrethanave aktuale ekonomike dhe sociale?

Kur mendon se nuk je vetëm në këtë botë, se vështirësitë e tua janë edhe vështirësitë e të tjerëve, se të tjerët mendojnë për ty dhe luten për ty çdo ditë, dhe bëjnë çmos për të lehtësuar vuajtjet e tua, ndihesh shumë i dashur. Kjo dashuri sigurisht që vendos shpresë në zemrën tënde. Nuk presim që Papa të ofrojë një zgjidhje për problemet tona. Prania e tij është tashmë e mjaftueshme, dhe nuk po flas në emrin tim, por në emër të të gjithë besimtarëve që takoj, dhe me të cilët flas për vizitën e Papës. Gëzohemi që Leoni XIV vjen të vizitojë Libanin, të qëndrojë me ne, të lutet me ne. Për ne është më shumë se e mjaftueshme. Do të vazhdojmë me shumë forcë pasi e dimë, jemi të sigurt, se nuk jemi vetëm. Se jemi të mbështetur nga të gjithë katolikët në botë, nga të gjithë njerëzit që besojnë në Liban, në libanezët, dhe në misionin e tij.

Cili është mesazhi juaj për besimtarët dhe të gjithë libanezët në përgatitje për pritjen e Papës në vend?

Do të doja t'u them të gjithë besimtarëve libanezë: ejani dhe shihni Papën. Ejani dhe dëgjoni fjalët e tij. Ejani dhe tregoni atij sa shumë e vlerësojmë vizitën e tij, sa shumë e duam, sa shumë vlerësojmë gjithçka që Ati i Shenjtë po bën për ne. Dhe pastaj, shkoni dhe flisni për dashurinë e Jezusit dhe shpresën që keni në zemër për praninë e Tij.

25 nëntor 2025, 11:22