Lartohet bredhi i Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit
R.SH. – Vatikan
Me ndihmën e një vinçi, u lartua sot paradite, 27 nëntor, bredhi i Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit, në hapësirën qendrore ku po përgatitet edhe betlehemi, skena e lindjes së Krishtit, që sivjet vjen nga provinca italiane e Salernos, në Kampania, me elementë tipikë të asaj zone.
Bredhi, rreth 27 metra i lartë, u pre, duke respektuar pyllin, nga lugina alpine e Ultimos në provincën e Bolzano-s, Trentino-Alto Adige dhe iu dhurua Vatikanit pikërisht nga komunat e Lagundos dhe Ultimos. "Prerja e pemës", deklaroi ipeshkvi i Bolzano-Bressanone, imzot Ivo Muser, "nuk është një akt pa respekt për pyllin, por fryt i administrimit të vëmendshëm të tij, në kuadrin e të cilit prerja është pjesë e kujdesit aktiv, që siguron shëndetin e pyllit dhe mbikëqyr rritjen e tij".
Mahnitja para Krijimit të Zotit
"Uroj që pema jonë e Krishtlindjes të zgjojë mahnitjen para Krijimit të Zotit e të frymëzojë për reflektim", theksoi prelati në një intervistë të botuar në faqen e internetit të Shtet-Qytetit të Vatikanit. “Kemi nevojë për njerëz të vëmendshëm, që mahniten e respektojnë, që janë gati edhe të zbatojnë stile të qëndrueshme e të thjeshta jetese". Gjithnjë nga Alto Adige vijnë edhe bredhat e tjerë, që do të zbukurojnë Vatikanin për Krishtlindjen e vitit 2025, e para e Papës Leoni XIV. Janë pemë më të vogla, që do të vendosen në zyrat dhe ndërtesat e Selisë së Shenjtë. Të gjitha janë dhuruar nga komunat e Lagundos dhe Ultimos, në zonën e Meranos.