Leoni XIV në Turqi: mijëra të rinj do të luten me të për paqen
R.SH. – Vatikan
“Nuk mendonim se do të mbushnim të gjitha 4.000 vendet e Arenës. Tani që Papa po vjen, na vjen keq që nuk kemi një hapësirë më të madhe! Megjithatë, Papa do të gjejë mijëra njerëz që do të mblidhen rreth tij dhe do të këndojnë për paqen në botë”. Me këto fjalë, imzot Vartan Kirakos Kazanjian, administrator eparkial i kryeipeskopatës së Stambollit të armenëve, tregon për media të Vatikanit disa detaje organizative të udhëtimit të parë apostolik të Papës Leoni XIV në Turqi, në program nga data 27 deri më 30 nëntor, dhe, në veçanti, Mesha e planifikuar në Volkswagen Arena të Stambollit të shtunën më 29 nëntor, në të cilën do të marrin pjesë me entuziazëm me mijëra besimtarë, sidomos të rinj.
Imzot Kazanjian, ju jeni koordinatori i udhëtimit apostolik të Papa Leonit XIV, i cili pas pak ditësh do të jetë mysafir në Turqi. Si do ta prisni Papën?
Do ta presim Papën me gëzim të madh, sigurisht me një organizim të shkëlqyer. Si Kishat ashtu edhe autoritetet lokale kanë bërë gjithçka të mundur për të siguruar një pritje të mirë. Jemi vërtet të lumtur që është vizita e parë apostolike dhe që është një vizitë me sfond ekumenik. Na bën të lumtur të kemi atin tonë, kreun e Kishës sonë, si ambasadorin më të madh, zërin më të madh në favor të paqes në botë sot. Shpresojmë që do të japë shumë fryte.
Ndër shumë takime që do të ketë Papa, njëri, në veçanti, është planifikuar për 28 nëntor: vizita në Iznik, ku do të ketë një takim ekumenik lutjeje për të përkujtuar 1700-vjetorin e Koncilit të Nikesë. Mund të na thoni diçka për këtë takim?
Ky takim do të jetë para së gjithash një takim lutjeje. Do të marrin pjesë 20 përfaqësues të 20 komuniteteve të krishtera, duke filluar nga Ati i Shenjtë Leoni XIV që do të përfaqësojë Kishën Katolike. Pastaj do të jetë Kisha lokale më e madhe, Kisha Greko-Ortodokse, Patriarkana Greko-Ortodokse, dhe pastaj Kisha Siro-Ortodokse, Patriarkanat e Antiokisë, të Aleksandrisë dhe komunitete të ndryshme ungjillore dhe protestante. Lutja do të zhvillohet në një platformë në liqenin e Iznikut, ku ishte qyteti i Nikesë, ku perandori kishte ftuar të gjithë ipeshkvijtë për të marrë pjesë në punimet e Koncilit të Nikesë.
Një tjetër nga takimet ekumenike është ai i caktuar për të dielën, më 30 nëntor, me Shenjtërinë e Tij, Bartolomeun I, në Patriarkanën Ekumenike, dhe vizita në Patriarkanën Apostolike Armene të Turqisë.
Të dielën, Ati i Shenjtë Leoni XIV do ta fillojë ditën me vizitën e tij në Patriarkanën Armene të Stambollit, ku do të takojë Lumturinë e Tij, Patriarkun Sahak II Mashalian, si përfaqësues edhe i "Katolikos" të Echmiadzin, Karekin II. Ky takim do të zgjasë gjysmë ore dhe më pas Papa do të transferohet në Patriarkanën Greke të Fanarit. Papa Leoni XIV do të marrë pjesë në Eukaristinë Hyjnore të kremtuar nga Patriarku Bartolomeu I me rastin e Festës së Shën Andreut Apostull. Pas kremtimit është parashikuar një drekë dhe pas drekës është largimi, pra lamtumira e Atit të Shenjtë nga Stambolli për t'u transferuar në Liban, etapa e dytë e udhëtimit të tij.
Sa i përket Meshës në Volkswagen Arena, e cila padyshim do të bashkojë të gjithë botën e krishterë katolike në një kremtim rreth Papës, çfarë mund të na thoni për këtë?
Kjo Meshë, si në të gjitha udhëtimet apostolike, përfaqëson një moment kyç në të cilin Ati i Shenjtë Leoni XIV takohet me komunitetin lokal dhe kremton me ta. Pra, do të jenë shoqëruesit e Papës dhe autoritetet e Kishave lokale. Dhe mbi të gjitha autoritetet katolike. Një detaj i rëndësishëm, nëse mund ta them, do të jetë prania e të rinjve, të cilët janë mbledhur për të takuar këtë "njeri të paqes", Papën që vjen për të sjellë një mesazh paqeje për të gjithë botën. Për momentin kemi 120 vullnetarë të rinj që janë regjistruar pikërisht me qëllim që të punojnë për paqen. Po reflektojmë me përgjegjësit e tyre që Mesha të mos jetë fundi i shërbimit të tyre. Mendojmë ta bëjmë këtë kremtim një moment themelues të një lëvizjeje rinore për paqen. Detaji tjetër është numri i madh i korit që do të përbëhet nga 250 persona nga të gjitha minoritetet që ndodhen në Stamboll: katolikë dhe jo, por të gjithë janë të krishterë. Ka një pjesëmarrje edhe të emigrantëve që ndodhen prej kohësh në Stamboll, pra armenët apostolikë së bashku me armenët katolikë që formojnë një kor të vetëm për të kënduar himnet armene së bashku. Do të jetë gjithashtu prania e një kori të vogël siro-katolik që do të intonojë melodi tradicionale, himnet specifike të Kishës siro-katolike. Së fundi do të ketë një kor të kaldeasve me himnet e tyre tradicionale dhe një kor tjetër i madh prej 110 personash që do të këndojë në të gjitha gjuhët dhe do të shoqërojë kremtimin e Meshës në ritin latin.